N’Kosovë
10 Tetor, 2024
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndan me ty!
Një formë e nënvlerësuar e dashurisë është kur njerëzit mbajnë premtimet e tyre që u kanë dhënë që nga dita e parë.
Çfarë ndodhi dje në Kosovë?
***
Ku po merren këto përgjime, a kush i ka? Zemlak, po i bika vendase, edhe pse zonja Kusari-Lila nuk e paska pranuar që ka folur në gjuhën serbe me Radojiçiç; nuk paska pasur diskutime as për ligjet që ajo thoshte, por për ligjin mbi pagën minimale.
Dje është publikuar një incizim tjetër, i publikuar nga “Paparaci”, mes krye-deputetës së LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, dhe terroristit Milan Radojiçiç, të cilët ishin koordinuar për votimin e Projektligjit për Pagën Minimale dhe për votimin e një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese gjatë vitit 2022.
Në këtë mes, fakti që flet në gjuhën serbe po mbetet më i vogli, apo jo, dashur lexues? Pse zonja Kusari nuk i ka diskutuar këto tema me homologun e saj të Listës Serbe, Sllavko Simiç? Problemi më i madh mbetet te një qeveri që gjithmonë do të qeveriste pa Listën Serbe, e si bëhet që sigurimi i votave për ligje të caktuara duhet të kontaktohet një kriminel si Radojiçiç? A nuk i detyrohet zonja Kusari-Lila popullit për një shpjegim?
Nuk është lehtë të dalësh zëri që edhe rren, s’ke nevojë të thuash se e kam larguar prej zyrës, nëse në telefon grupi i njëjtë të drejtohet me “zemlak”.
***
Qershia mbi tortë për Republikën e Kosovës ka qenë edhe votimi në favor të kërkesës së Kosovës për largimin e UNMIK nga marrëveshja e CEFTA-së nga Komiteti i Përbashkët Special dhe tani e tutje, Kosova do të përfaqësohet nga institucionet e saj në kuadër të CEFTA-së.
***
Paper Gallery, në bashkëpunim me kreatoren Hana Zeqa, sjellin “Symbiotic Thread”, një projekt i studios së hapur, i cili lidhet me Biotekstilin.
Studio e hapur në Paper Gallery “Symbiotic Thread” nga Hana Zeqa, për dy muaj do të punojë në krijimin e veshjeve të realizuara me tekstile bio, plastikë bio dhe tekstile të printuara në 3D. Duke analizuar marrëdhëniet në zhvillim midis materialeve organike dhe atyre tradicionale, do të hulumtohet se si këto materiale të reja sfidojnë dhe ripërcaktojnë kufijtë midis natyrës, njerëzimit dhe teknologjisë në dizajnin e modës.
Duke marrë frymëzim nga “Abstraksioni dhe Empatia” e Wilhelm Worringer, Hana eksploron se si materialet abstrakte dhe të avancuara mund të ndërlidhen me lidhjet tona natyrore dhe njerëzore, kështu duke synuar të kuptojë ndikimin emocional dhe konceptual të këtyre materialeve novatore në modë.
Vlerëso momentet e vogla, i dashur lexues; ato janë gjithçka çka ka rëndësi!