N’Kosovë
21 Nëntor, 2024
Në këtë nëntor, natyra befasisht na dhuroi një spektakël të veçantë! Dikë e zuri pa çizme dhe me atletet e djeshme, e dikë tjetër pa pallton e trashë, që i ka mbetur në një dhomë tjetër, të ndarë prej pjesës ku mbahen rrobat më të holla.
A po e kuptoni ju që keni dollapë për të gjitha rrobat? Se ndoshta i mbani rrobat e të gjitha stinëve në një vend.
Disa e kishin ndjenjën: “Të zgjohem apo të mos zgjohem?” Njëfarë përtese…
Bora e parë e 2024-ës, që prej mbrëmë në orën 01:00 kur bëri mbulimin e parë, nuk qëndroi e njëjtë. Menjëherë në mëngjesin e sotëm, ajo u bë “skllotë,” pasi veturat e shkelën, trotuarët ishin të papastruar, ndërsa rruga e Bregut të Prishtinës ishte e pastruar.
Lutja kryesore shkon për ata që i ka zënë kjo borë pa i ndërruar gomat e kanë mbetë me ata të verës, nëse nuk e kanë përfillur rregulloren.
Trafikat te sheshi Xhorxh Bush po nxirrnin tezgat me gazeta mujore e javore, sepse ato ditore të shkruara mungojnë prej vitesh në Kosovë. Pak duke larguar borën nga çadrat, e pak duke i ulur çadrat e shiut e borës që janë më të shtrenjta se krejt shpenzimet ditore që mund të ketë një individ në Prishtinë. Trafikat po bëheshin gati për ditën e enjte.
Kjo borë i ka gjetur sheshet të pastolisura edhe pse mbi 200 mijë euro janë ndarë për dy kompani që do të bëjnë dekorimin.
T’kish qenë dimri i vitit 2010, fëmijët që kanë mësim pasdite do të kishin qenë me sajë para derës. Ndërsa sot, fëmijët janë duke bërë gati video për TikTok me promovu borën e parë.
Për fëmijët, kjo duhet të ishte një thirrje për lojë me topa bore.
Për të rriturit, një rikthim në kujtimet e dikurshme, kur bora e parë nënkuptonte mbledhje familjare dhe netë të ngrohta pranë zjarrit.
Metrin e druve a e keni marrë më lirë, apo i keni ngrohjet me rrymë? Kujdesuni në fund për faturën!
Midis -1 dhe 6 gradë Celsius, bora mbuloi Kosovën, por pa ngrirë gjithçka që preku. A jeni gati për dimrin e egër të këtij viti?
Për njerëzit nostalgjikë, që u nevojitet vetura për me shku në punë, dimri nuk e ka më hijeshinë e njëjtë. E për ata që ecin në këmbë, ka mundësi që nesër të ndiejnë ndezje të muskujve, nga kujdesi i tepërt që kanë treguar gjatë ecjes dhe frika nga rrëshqitja.