Live Stories from Prishtina

LIVE

21 Nëntor, 2024

Shkëputur nga emisioni “Drive time me Shukin”

 

Dje me një display mburrjesh kryeministri Albin Kurti u shfaq në depot e FSK-së duke folur për blerjet e reja të armëve për këmbësorin e FSK-së por kjo nuk e zhdukë hijen e dilemave të së tashmës nga skena.

Me stomak të zbrazët, nuk ecën as ushtari më i përkushtuar.

Ironia më therrëse? Hiç më larg se javën e kaluar, një tjerë pjesëtarë i qeverisë Kurti mburrej poashtu me FSK-në. Ministri i mbrojtjes Ejup Maqedonci, krekosej që ushtarët e FSK-së kishin ngrënë biftek të klasit të parë. Kjo pas debatit publik për shujtat e ligshta të ushqimit si pasojë e mashtrimeve në tendere. Pa marrë parasysh se kujt i besoni veç ideja që flitet për bukë është shqetësuese.

Kushdo që e njeh kulturën shqiptare e kupton peshën filozofike të bukës. Ne s’kemi ndërtuar piramida si shoqëri, por kemi ndërtuar një religjion mbi këtë kapitull jetësor. “Pasha bukën që e ha!” është betimi suprem i shqiptarëve, një formë e lashtë e moralit dhe besnikërisë.

Përdorimi i biftekut si histori prekëse për zemrat e qytetarëve është një satirë më vete. Qysh mundemi me fol për çkado tjetër kur për ne hala vlera kryesore është buka. Nëse buka është më e shenjtë se politika, më e rëndësishme se religjioni dhe më e fuqishme se propaganda, atëherë bifteku është thjesht një zëvendësim që s’e mbush dot boshllëkun!!

Armët mund të shiten si simbole të progresit, por për shqiptarët, buka është gjithmonë treguesi i parë i dinjitetit. Armët mund të na mbrojnë kufijtë, por buka ta mban shpirtin gjallë.