Live Stories from Prishtina

LIVE

24 Nëntor, 2024

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Dhe nganjëherë shoqërues i dashur, kundrejtë çdo shance dhe logjike të shëndoshë, ne shpresojmë dhe vetëm shpresojmë! Është e tëra çka na mbanë gjallë! Të dua lexues i përditshëm… kur zgjohesh dhe thua: “dua ta lexoj artikullin ditor në Paper”, sepse edhe këtë e nis duke shpresuar se do lexosh diçka të mirë!🤍

Nejse…çka ndodhi dje n’Kosovë:

Përderisa turneu i ndryshimit dhe aktivitetet për Kosovën që mundet ma mirë, janë zhvendos edhe jashtë Kosovës, zhvillimet tjera për vendin sikur nuk do ecin deri sa të përfundojnë këto zgjedhje.

Sado që mund të duket gallatë, lufta për pushtet ka filluar dhe tash rrethi është zgjeruar.

Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë kurrfarë qëndrimi sa i përket propozimit të presidentes Vjosa Osmani për fillimin e zbatimit të njëanshëm të marrëveshjes me Serbinë në këmbim të garantimit të sigurisë, njohjeve të reja dhe anëtarësimeve ndërkombëtare. E në BE thonë se për zbatim të marrëveshjeve s’duhet të ketë parakushte. Sido që të jetë ky zbatim i njëanshëm i marrëveshjes me Serbinë, nuk do t’i shërbente në prag të zgjedhjeve kryeministrit Albin Kurti!

Duke e ditë mosgadishmërinë e Kurtit, a po e bën me qëllim presidentja Osmani?

Risi***

Të hënën do të fillojnë punimet ndërtimore në Parkun e Përgjithshëm Industrial, “Drenas 2”. Parku do të zë vend përballë Parkut të Biznesit ekzistues, në kilometrin e 18-të të magjistrales Prishtinë-Pejë, më saktësisht në Korreticë të Epërme. Parku synon të jetë një qendër e re për zhvillimin ekonomik, duke ofruar hapësira moderne për bizneset dhe mundësi të reja për investime dhe punësim në rajon. A thu kush do jenë biznesmen-ët që do investojnë këtu?

Kulturë***

Me të 22-in është hapë edicioni i parë i Festivalit të Kompozitorëve Kosovarë, një nismë që, sipas organizatorëve “synon ruajtjen dhe promovimin e pasurisë kulturore të Kosovës përmes krijimtarisë muzikore.” Ky festival shërben si një platformë e re për kompozitorët kosovarë, me qëllim bujar me hapë “mundësi për një dialog të qëndrueshëm ndërkombëtar mbi vlerat dhe traditat tona.” Me 22 nëntor, në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare është mbajt edhe koncerti hapës, ndërsa ka pas edhe master klasa, debate dhe ngjarje tjera.

 

***

Kështu; kur në mendjen tënde liston vetitë e kqija të të tjerëve, mendon se çfarë mund të bësh me to dhe çka kanë për të të shërbyer? Ku do të qojnë këto listime? Pyte veten: a mundesh me jetu edhe me këto veti të kqija, a mundesh me dashtë prapë? Përndryshe nëse i mbyll sytë karshi gjanave që tash të pengojnë, gjithmonë kanë me ta uzurpu paqen tënde!