Live Stories from Prishtina

LIVE

5 Dhjetor, 2024

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Disiplina, lexues, do të thotë respekt ndaj vetes. Respekt ndaj kohës tënde dhe ndaj kohës së të tjerëve. Disiplina vendos standarde, dhe pa vendosjen e tyre, ti mundëson që çdokush dhe gjithçka të hyjë në jetën tënde, përfshirë edhe ato që ti nuk dëshiron.

***

Ç’ngjau dje në Kosovë?

Serbia denoncohet në Bruksel për sulmin në Ibër-Lepenc, kërkohet dorëzimi i Radoiçiqit.

Liderët e shtetit kanë vijuar ta denoncojnë Serbinë në Bruksel si nxitëse dhe organizatore të sulmit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit.

Kryeministri Albin Kurti, i cili të mërkurën në Bruksel takoi ndihmëssekretarin për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit Amerikan të Shtetit, James O’Brien, tha se lënia në liri e Milan Radoiçiqit është kërcënim për Kosovën.

Ana tjetër: “S’merremi me paragjykime, kemi prova konkrete se Serbia qëndron prapa sulmit terrorist në Ibër-Lepenc,” thotë presidentja Osmani.

Ndër të tjera, ajo ka fajësuar në mënyrë indirekte Perëndimin për inkurajimin e Serbisë për të vazhduar sulmet ndaj Kosovës – duke mos e mbajtur atë përgjegjëse për sulmet e vitit të kaluar në veri.

***

Në raportin e Departamentit të Shtetit theksohet se ka rritje të korrupsionit qeveritar çdo vit dhe cungim të lirisë së shprehjes.

Nëse thirremi në korrupsion për tash e 20 vite, së fundmi çka kemi të faktuar në media dhe ende nga organet e drejtësisë janë rastet në zhvillimin e bujqësisë, e shndërruar në grante familjare. Ambasadori i Kosovës nuk i ka marrë milionat “cash” prej llogarisë, janë katër ministra me aktakuzë korruptive të ngritur në Prokurorinë Speciale.
Pse, kur kjo prokurori ngre rastin për Banjskën është e mirë, ndërsa kur heton rastet e qeverisë është e “kapur” nga ish-pushteti?

Dhe prapë, mediat në Kosovë nga zyrtarë të lartë krahasohen me Sputnik dhe Russia Today, duke u quajtur “makineri të regjimit të Putinit”!

***

Një lajm i mirë: “Kcimi i Tropojës” shpallet zyrtarisht pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në UNESCO.

Kjo arritje festohet me kënaqësinë e progresit të kësaj dekade për shpëtimin, rilindjen dhe promovimin e vlerave të kësaj trashëgimie, deri dje të braktisur nën pluhurin e harresës.

***

Në hamamin e Prishtinës dje u hap ekspozita “Ky është një titull shumë i fuqishëm”, kuruar nga Vullnet Jakupi, me artistet Mjellma Goranci Firzi dhe Shqipe Kamberi.

Kjo ekspozitë sjell një reflektim të thellë mbi fuqinë transformuese të artit në luftën kundër dhunës gjinore. Ambienti historik i Hamamit përforcon mesazhin e fuqishëm që arti mund të jetë një forcë e ndryshimit, duke ndihmuar në ndërprerjen e cikleve të dhunës dhe promovimin e respektit ndërmjet gjinive.

***

“Miqësia është padyshim balsami më i mirë për dhimbjet e dashurisë së zhgënjyer.” Mbaj afër miqtë e tu, duaji dhe vlerësoji!