Dje n’Kosovë
8 Dhjetor, 2024
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Lexues, përsërite këtë pas meje: Mua nuk më përcakton si njeri ajo çfarë më ka ndodhur. Unë jam ajo çka unë zgjedh të jem. Vizioni im do të jetë më i qartë kur njoh thellësinë e zemrës sime. Nëse shoh jashtë saj, do të jetë ëndërr; nëse mësohem të shoh brenda saj, do të zgjohem. ☼
Ja çka e karakterizoi ditën e djeshme në Kosovë:
Në Paris janë mbledhur një numër i madh liderësh botërorë për nder të ceremonisë së rihapjes së katedrales Notre Dame. Në këtë ceremoni po merr pjesë edhe presidentja Vjosa Osmani, e cila ka pasur një moment shtrëngimi duarsh me presidentin amerikan Donald Trump.
Në vitin 2019, kur katedralja 850-vjeçare ishte djegur, Kosova kishte dhuruar 20 mijë euro në shenjë solidarizimi, në kohën e kryeministrit Ramush Haradinaj. Ceremonia e rihapjes pritet të zgjasë disa ditë.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit
Aktakuza e ngritur deri tash ndaj ish-kreut të UÇK-së, Hashim Thaçi, nga Dhomat e Specializuara nuk ishte e mjaftueshme, ndaj duhej diçka që e rëndonte edhe më shumë situatën. Të premten, ndaj tij u ngrit një aktakuzë tjetër, e cila ishte evidentuar nga prilli i 2023 deri në nëntor të 2023, nën pretendimin e gjykatës se Thaçi ka ndarë emrat e dëshmitarëve me vizitorët e tij.
Pse u prit një vit që të publikohej kjo akuzë, meqenëse paska qenë e ditur që prej një viti? A lidhet kjo me revoltimin e z. Thaçi në seancën e para disa ditëve, apo thjesht tani u pa e arsyeshme të bëhej publike aktakuza 16-faqëshe?
Kush do të luajë rolin e opozitës?
Tash, me aderimet e reja politike, fushatën në diasporë dhe agjendat e turneve, kush do të luajë rolin e opozitës për çështjet aktuale?
I tërë ai eksploziv i gjetur në veri të vendit, për sulmin që ndodhi në Ibër-Lepenc, a nuk do të vazhdojë të jetë temë debatesh në audiencë, ashtu siç do të duhej? Tash që bypass-i i kanalit ka përfunduar dhe sanimi i përhershëm do të vazhdojë, me përgjegjësinë kush do të merret? KFOR-i, EULEX-i, policia jonë, ndonjë bashkëpunim tjetër?
Kulturë
Mbrëmë ka përfunduar nata finale e festivalit Kënga Magjike 2024, ku çdo vit mblidhen këngëtarë nga të gjitha trevat shqipfolëse dhe konkurojnë me këngët e tyre. Këtë vit, fitues dolën Rozana Radi dhe këngëtari grek, Sany, me këngën Akoma.
Çfarë është kjo dashuri e shqiptarëve ndaj grekëve? Tash e disa vite, festivali ka kthyer performimin live të artistëve, gjë që është shumë më e kënaqshme. Sido që të jetë, ky është ndër festivalet e rralla shqip me këtë volum. Ndaj është për t’u duartrokitur për vullnetin e përvjetshëm, pavarësisht politikave të festivalit.
Mesazhi për lexuesin:
Nëse rruga ku je ti, lexues, është pa sfida dhe gjemba drejt qëllimeve tua në jetë, atëherë ajo nuk është rruga jote dhe ti po ecën në rrugën e tjetrit. Asnjë pemë nuk është rritur në parajsë, nëse njëherë nuk ka lëshuar rrënjët në ferr!