N’Kosovë
13 Dhjetor, 2024
Prijësit e partive politike në Kosovë, “figurat e shahut”, po i lëvizin në mënyrë interesante dhe me prapavijë për ulëse në Kuvend.
Le të kandidojmë me kryetarë aktualë të komunave në zgjedhje, fitojmë vota dhe ulëse në Kuvend, pastaj shohim… Metodë kjo e menduar mirë nga ta.
Listës me trika manipulimi, që asnjë ligj nuk ua ndalon (dhe boll mirë që po e shfrytëzojnë, derisa kungulli mbi ujë t’u shkojë), i prin LDK, e cila po operon mjaft mirë me figura të forta.
Numri shtatë i LDK-së, dhe njëshi i Lipjanit, Imri Ahmeti, shihet në lista për të zënë një ulëse të re me më shumë privilegje.
Logjika qëndron këtu: qytetari e voton, rritet potenciali i partisë për fitore, dhe po i mori ai votat e mjaftueshme merr mandatin; nëse jo, kthehet prapë në ulësen e kryetarit të komunës.
Ahmeti nuk është i vetëm në këtë, pasi LDK ia ka bashkëngjitur edhe kolegun tjetër nga Ferizaj, Gazmend Muhaxherin.
AAK nuk e la pa u përfshirë, me kryetarin e Gjakovës, Ardian Gjinin, dhe Bali Muharremajn e Suharekës.
Valles i bashkohet edhe njëshi i PDK-së në Mitrovicë, Bedri Hamza, por, përkundër të lartpërmendurve, Hamza ka një vizion më të largët.
Ai po kandidon për kryeministër të vendit, por metoda përsëri qëndron e njëjtë si ajo e deputetëve.
Sa i përket deputetëve, po nuk u funksionoi kjo, në vend të tyre do të vijë dikush tjetër që nuk dihet se kush do të jetë, dhe vota do shkojë “huq”.