Live Stories from Prishtina

LIVE

19 Dhjetor, 2024

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Sot, i dashur lexues,
Me këngën që e do më së shumti në sfond, me ushqimin e parë që të vjen në mendje, me momentin më të mirë që të kujtohet, me personin për të cilin je shumë falënderues që e njeh, për familjen dhe shëndetin e mirë që gëzon… të uroj një ditë të mbarë dhe të mbushur me dashuri!

Çfarë ndodhi dje në Kosovë?

***

500K! LVV ka prezantuar dje deputetët e saj në një tubim, ku ka shpalosur edhe sloganin “500K”. Pa hezitim, si në shumë fjalime të tij, kryeministri ka shprehur mllefin ndaj sistemit të drejtësisë dhe opozitës. Në disa momente, fillova të mendoja se në pushtet për katër vite ka qenë opozita.

“Prandaj, të dashur qytetarë, ka kaq shumë zhurmë çdo natë në studiot televizive, sepse zori është i madh. Tek ata nuk flet mendja, por pisket sikleti. Sikleti i madh i oligarkisë që transmeton britma analisti. Sepse buxheti i shtetit me neve është nga qytetarët, për qytetarët, pa dallim dhe kurrsesi asnjëherë i dedikuar mujsharëve dhe sejmenëve të tyre.”

Kjo është një nga pjesët e fjalimit të kryeministrit Kurti, kandidatit për kryeministër nga LVV. Nëse e analizojmë këtë fjalim, çfarë kuptimi ka?

Nuk duhet shumë mend për të kuptuar se fjalimi nënkupton që e keqja e kësaj shoqërie janë grupet politike që nuk kanë qenë në pushtet prej 4 vitesh dhe eksponentët mediatik, të cilët e paraqesin veten si të lënduar dhe kërkojnë mobilizim të madh të shoqërisë për të luftuar një të keqe të madhe! Sharje ndaj mediave, analistëve, opozitës?

Qasja e fjalimit duket shumë luftarake. Por luftë ndaj kujt? Gjysmës së kujt synohet me këtë slogan? A është mesazhi i këtij tubimi që në luftë nuk ka nevojë për program, sepse fitorja është e garantuar? Çfarë loje psikologjike është kjo? A synohet një mposhtje përfundimtare ndaj gjysmës së shoqërisë sonë?

***

Presidentja e Komisionit Evropian
Ursula von der Leyen ka deklaruar se Komisioni Evropian është i gatshëm për të përgatitur opinionin për statusin kandidat për Kosovën dhe të heqë masat, por për këtë duhet unanimitet në Këshill.

Von der Leyen e tha këtë duke iu përgjigjur pyetjes rreth kritikave të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për trajtimin e pabarabartë të Kosovës nga BE-ja dhe faktin që Kosova ende përballet me masa ndëshkuese dhe nuk ka status kandidati.

Duket pak kontradiktore: deklarata e presidentes në Kuvend, ku dukej sikur kritikonte më shumë Qeverinë e Kosovës dhe e përshkruante si “bixhoz” me bashkësinë ndërkombëtare, ndërsa sot ajo vetë kritikon politikën evropiane!

***

Elina Duni
Së bashku me kitaristin anglez Rob Luft, ka mbajtur mbrëmë një koncert festiv në Klan Arena, në orën 20:00. Gazeta e famshme Guardian e ka përshkruar zërin e Elinës si “të pastër si diamanti,” kështu që koncerti ishte padyshim ndër ngjarjet kryesore të këtyre ditëve të fundit të vitit 2024.

***

I dashur/unë i/e vogël!
Më vjen keq që nuk u bëra personi që ëndërroje. E di që imagjinoje dikë të patrembur, dikë që i kishte kuptuar të gjitha. Por jeta ishte më e ndërlikuar sesa menduam. Mora rrugë që ti nuk i planifikoje dhe bëra zgjedhje që ndoshta nuk i kupton.Më vjen keq nëse të kam bërë të ndihesh i harruar. Por mendoj për ty më shumë se ç’e di, për sytë e tu të ndritshëm.