Live Stories from Prishtina

LIVE

19 Dhjetor, 2024

“Feja e shqiptarit është shqiptaria!” Në kohën e vet, kjo fjali e Pashko Vasës ishte një mesazh që bënte thirrje për bashkim përmes shkrimeve, por sa qëndron në të vërtetë kjo fjali për shqiptarët sot?

Statistikat e fundit nga ASK (Agjencia e Statistikave të Kosovës) tregojnë rezultatet për numrin e popullsisë – mbi 1.5 milion (1.586.659), me një moshë mesatare prej 34 vjetësh dhe përqindjen e tyre sipas përkatësisë fetare (93.49% të besimit islam, 2.31% ortodoks dhe 1.75% katolik). Këto statistika janë kthyer në një temë që, si gjithmonë, prodhon përmbajtje shpesh shqetësuese për bazën e mendimeve që nxjerrin në pah.

Postimi i një personi, që në përshkrimin e tij në rrjetet sociale thotë se punon në Bashkësinë Islame të Kosovës, shprehej se “ju dushmanë”, demek ata që nuk janë myslimanë, duhet të kapin plaçkat dhe të ikin në Beograd.

Pse duhet të ikin? Pse në Beograd?

Beogradi është i banuar kryesisht nga shumica serbe, por përqindja e ortodoksëve në Kosovë nuk përbëhet vetëm nga serbët. Ndër ta ka edhe shqiptarë, nëse veç ky ka qenë indikatori ku është bazuar– e në Kosovë ka shqiptarë ortodoksë dhe shqiptarë katolikë.

Religjioni dhe politika janë tema që i përshtaten shprehjes “mos i hedh zjarrit benzinë”, pra ndezin debate, veçanërisht e theksuar mes shqiptarëve. Ndoshta për shkak se jemi një vend i vogël ku secili e di hallin e tjetrit – sikur tirpi që- sot shtyhesh me dikë, nesër e merr vesh gjithë lagjja.

Por ndoshta, në këtë mes, fokusi duhej të ishte tek disa shifra tjera, p.sh numrat e personave që kanë emigruar gjatë periudhës 2012-2022, e që sillet rreth 300 mijë. Ky numër mund të jetë edhe më i lartë duke marrë parasysh emigrimet e këtij viti, për të cilat ende nuk ka statistika të sakta. Nëse aryeja kryesore ka qenë kushtet më të mira të jetesës, a i kanë sot ato kushte?

Liberalizimi i vizave, që u pa si shpresë për thyerjen e kufijve, është kthyer në një alternativë për ikje dhe moskthim mbrapa.

Pse kësaj here, për herë të parë, popullsia urbane e kaloi atë rurale? Për sa ka ndryshuar dinamika e jetës? A do të thotë kjo që, përveç braktisjes së shtëpive në fshat, po ndalet edhe punimi i tokave bujqësore?