Dje n’Kosovë
20 Dhjetor, 2024
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Është në rregull të ndihesh i humbur. Ndryshimet e mëdha shpesh fillojnë me konfuzion. Ji i/e sjellshëm/e ndaj vetes në këtë hapësirë të ndërmjetme. Ke të drejtë të ndalesh, të kërkosh më shumë dhe të ndjekësh ato gjëra që të bëjnë të ndihesh gjallë sërish.
Çfarë e karakterizon ditën e djeshme sot? Pas një nate me këngë të Armend Rexhepagiqit, ka mundësi që edhe zëri të jetë shterruar, por asnjëherë ngjarjet…
***
Ndikimi i deklaratave të bëra pas takimit të liderëve të Bashkimit Evropian me ata të Ballkanit Perëndimor po konsiderohet i paefektshëm nga njohësit e çështjeve politike. Sipas tyre, është dashur të punohet më shumë me BE-në për të ndryshuar qasjen ndaj Kosovës.
Nga 16 përfundimet për të cilat janë pajtuar liderët në takimin e së mërkurës, në njërën prej tyre përmenden në mënyrë specifike Kosova dhe Serbia, si dhe pengesat që këto vende kanë për shkak të mungesës së normalizimit të marrëdhënieve.
Pse nuk ka ndryshuar botëkuptimi i BE-së për Kosovën nga viti i kaluar?
***
Ndoshta Jeffrey Hovenier do të mbahet mend për fjalinë më të fuqishme të këtij viti: “Nëse doni të shkoni në një klub, mos urinoni para derës së tij” – për shkak të mesazhit që përcillte. Megjithatë, në përmbajtje kemi dëgjuar edhe fjali të tilla si “Mos e dh* punën.”
Përfaqësues të institucioneve të Kosovës morën pjesë në takimin e lamtumirës së ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier. Kryeministri Albin Kurti deklaroi se gjatë mandatit të Hovenierit, Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë rritur bashkëpunimin në mbrojtje, siguri dhe inteligjencë. Ai përmendi gjithashtu zgjerimin e kapaciteteve energjitike.
Zyra e Kryeministrit njoftoi të enjten se Kurti u shpreh krenar “për gjithçka që kemi arritur së bashku për popullin e Kosovës.”
***Kulturë
Fondacioni Dhemetra, në bashkëpunim me Muzeun e Mitrovicës, organizon ekspozitën etnologjike “Një Jetë në Gajtan,” një shpalosje unike e trashëgimisë kulturore materiale përmes mjeshtërisë së punës në tekstil.
Kjo ekspozitë ndriçon artizanatin tradicional të rajonit të Mitrovicës gjatë shekujve XIX-XX, duke prezantuar një koleksion të pasur jelekësh, mitanesh dhe dallamash të punuara me gajtan, të mbledhura ndër dekada në Muzeun e Mitrovicës. Ekspozita hapet sot, më 20 dhjetor, nga ora 18:00, në Muzeun e Mitrovicës.
***
Lexues i dashur, dëgjo këtë me kujdes: nuk është tepër vonë. Nuk je ‘tepër i vjetër,’ ‘tepër prapa’ apo ‘tepër vonë për të filluar nga e para.’ Çdo ditë që zgjohesh është provë se ende ke kohë për të rishkruar historinë tënde.