Live Stories from Prishtina

LIVE

26 Dhjetor, 2024

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Mirëmëngjesi i dashur lexues, sot kam një gëzim në zemër, që po ta uroj edhe ty të njëjtën ndjenjë! Nëse më pyet për arsyen, nuk mund ta them: është personale. Arsyeja është se sot festojmë 4 vite PAPER. Katër vite me njerëzit që na kanë qëndruar afër që nga dita e parë dhe që kanë vendosur të jenë pjesë e radios sonë. Unë mund vetëm të të falënderoj ty, lexues, dëgjues i përditshëm, që je arsyeja kryesore që shënojmë e lexojmë letra çdo ditë!

Çka e karakterizoi ditën e djeshme në Kosovë?

***

Ku i keni qirinjtë? Nëse jo në formë klasike, a funksionuan bateritë e llambave elektrike? Në vitin 2020, shkruheshin statuse nga anëtarët e Vetëvendosjes se si KEDS po shkelte të drejtat themelore të qytetarëve dhe si kompania duhet të ofronte shërbimet, duke mos i interesuar qytetarit për prishjet.

E sot, a vlen e njëjta ankesë? Pse dje nuk patëm asnjë reagim nga persona kompetentë, por me një mesazh nga KOSTT u tentua të na qetësonin? Reduktime? 5 orë pa rrymë? Jo vetëm Ferizaji, por edhe qytete të tjera mbetën pa rrymë me orë të tëra – një ditë e sabotuar!

A do të vijë më lirë rryma për këtë ndërprerje të gjatë?

***

Kosova dështoi me Listën Serbe ende pa u bo puna me në Gjykatën Speciale.
Ajo u konsiderua legjitime nga PZAP-ja. Lista Serbe duhet të certifikohet për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit, pasi ka përmbushur kriteret ligjore, thuhet në vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, marrë të mërkurën.

A do të shërbejë ky rast si moment elektoral i dobishëm për Listën Serbe?

***

A është dramë dhe tragjedi?
Disa momente që ndodhin në Kosovë shpesh mund të evitoheshin.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, paska treguar se për këto 100 eurot e fundvitit, kanë krijuar edhe një alternativë për ata që vullnetarisht heqin dorë nga aplikimi.

Ai që heq dorë ose nuk dëshiron t’i marrë, nuk e kërkon fare atë aplikacion, z. Murati, sepse e ka ndarë mendjen që në fillim. Kush nuk dëshiron t’i marrë 100 euro falas? Ankesat kanë qenë për sa sistematik mund të jetë ky veprim për ekonominë.

***

Një sugjerim:
Dëgjojeni intervistën e djeshme të Nasim Haradinajt në Frontal. Për trimërinë, lotët në mes të rrëfimit, pasigurinë në Hagë dhe veçantinë e transmetimit të informatave.

***

Paper këtë javë ka publikuar javën e 200-të, me TOP 40.
40 këngë të përditësuara çdo javë që nga fillimi i Paper Radios, në krye me autorin Astrit Dushin! Dëgjojeni nëse keni kohë!

***

Një proverbë shqipe thotë:
“Kush ndjek dy lepuj, s’kap asnjërin.”
Që do të thotë, nëse i shtyn shumë gjëra përnjëherë, me shumë gjasa nuk do t’i arrish asnjërën. Kjo e ilustron rëndësinë e të qenit i/e fokusuar në një qëllim.