Live Stories from Prishtina

LIVE

2 Janar, 2025

Temat për Vitin e Ri, dekoret, festimet nga qytetet e mëdha nëpër botë, çfarë të hamë, çfarë të veshim, çfarë të dëgjojmë, programet me skenarë të stërpërsëritur, çfarë të lëmë pas në 2024-ën, çfarë të fokusohemi në 2025-ën… janë konsumuar mjaftueshëm dhe i keni lexuar çdokund…

Andaj, le të kalojmë te diçka që ndoshta nuk e keni dëgjuar si term dhe zgjerimin e tij. Është koha të vazhdojmë pas pushimit…

Në jetë ka arsye të çuditshme pse nuk arrijmë t’i përballojmë gjërat që na sjell jeta (nga më të rëndat te më të lehtat, varet nga këndvështrimi). Filozofët përdorin termin akrasia, një fjalë e lashtë greke që do të thotë “dobësi e vullnetit-dëshirës”, për të përshkruar zakonet e të vepruarit në kundërshtim me atë që dëshiron të bësh, ose të mos vepruarit sipas vendimeve që ke marrë. Në teori, akrasia përjetohet kur ha një copë tjetër ëmbëlsirë, edhe pse e di që nuk është ide e mirë, ose kur qëndron duke parë video në YouTube, megjithëse ke veshur këpucët për të dalë. Mos përballimi i gjërave për të cilat tashmë ke vendosur është shembulli klasik i akrasia-s. Por a është akrasia një fenomen i vërtetë? A ka kuptim të thuash që ke vendosur të bësh diçka dhe ke bërë diçka tjetër? Apo, thjesht, ke vendosur të bësh atë që në fakt ke bërë?

Filozofi Donald Davidson argumentonte se akrasia shpesh vjen nga tensioni midis gjykimeve tona të vogla dhe përfundimeve “të të gjitha-gjërave-të-marra-parasysh.” Në një shkallë të vogël, mund ta dish që ëmbëlsira është e keqe për ty dhe të vendosësh që nuk do hash më; por në një kontekst më të gjerë, janë festat e fundvitit, ëmbëlsirën e ka bërë nëna jote dhe ti ke pasur një dhjetor të vështirë, ndaj, mbi të gjitha-gjërat-e-marra-parasysh, një copë tjetër tingëllon mirë. Nuk është se vullneti yt është i dobët, por se vendimet po marrin një qasje më të gjerë.

Një version i kësaj dinamike që mund të shpjegojë përballjen:

Hamlet, siç dihet, betohet të marrë hak ndaj xhaxhait të tij, Claudius, për vrasjen e babait të tij, por pastaj ngurron, vonon dhe përfundimisht çmendet, duke e vrarë Claudius-in vetëm në fund të dramës më të gjatë të Shekspirit. Studiuesit letrarë kanë shkruar ese të panumërta mbi këtë vonesë të Hamletit dhe e kanë interpretuar atë si një person të çrregullt, shumë melankolik dhe intelektual për të bërë atë që ka vendosur. Megjithatë, mund të argumentohet se kjo është një pikëpamje e çuditshme. Në një kuptim të ngushtë, Hamlet ka arritur në përfundimin se duhet ta vrasë xhaxhain e tij, por, në një kuptim më të gjerë, “duke marrë parasysh të gjitha gjërat,” ai heziton të bëhet një vrasës. Kjo është një mënyrë tërësisht e arsyeshme për të vepruar; është mënyra si do të dëshironim të vepronim edhe ne. Vetëm brenda kufijve të një drame hakmarrjeje, veprimet e Hamletit duken të çuditshme.

Drama “Hamleti” na ofron një mësim për të përballuar sfidat. Nëse nuk gjen artikulimin e duhur të arsyeve, atëherë të paktën ta kesh qëndrueshmërinë. Përballja shpesh kërkon qëndrueshmëri, madje edhe një lloj ftohtësie.

Autori i disa artikujve në The New Yorker, Joshua Rothman, tregoi një shembull në artikullin e tij “Si të përballemi”:

“Para disa vitesh, kur jepja mësim në një program masteri, një nga studentët e mi, një kolonel përgjegjës për mijëra ushtarë, më tha se, sipas tij, liderët nuk ishin shumë më të mençur se të tjerët; përkundrazi, ata ishin të gatshëm të merrnin vendime në kushte që të tjerët i gjenin paralizuese dhe të pranonin pasojat e këtyre vendimeve, qofshin të mira apo të këqija.”

Pra, i dashur lexues, shkruaje emailin (në formën e duhur, siç e thotë shefi im) që ke shtyrë prej muajsh! Nëse gjërat nuk shkojnë mirë, të paktën e ke marrë një vendim.

Përballja me gjërat e vështira kërkon që t’i njohësh ato nga afër. Ndonjëherë, të kuptosh një problem të koklavitur dhe të vështirë është si të përqafosh dimrin, kur të gjithë mbajnë pallto të trasha me xhepa të mbushur. Shpesh duhet të përthyhesh në një përqafim të sikletshëm. Dhe një përqafim i shpejtë nuk mjafton; duhet të qëndrosh aty, të zhytesh në të. Të nevojitet nuancë, këmbëngulje, fleksibilitet, vendosmëri, vëmendje ndaj detajeve gati një lloj dashurie për problemin. Miq para se t’i thoni njëri tjetrit lamtumirë?