Live Stories from Prishtina

LIVE

11 Janar, 2025

Mesazhet masive, të cilat i drejtohen shumicës, nëse punohen mirë, arrijnë fuqi bindëse. Prandaj, për punën e sloganeve zakonisht angazhohen profesionistë dhe kompani që analizojnë audiencën.

Siç dihet, kohëve të fundit, kjo analizë shfrytëzon edhe gjurmët digjitale për ta profilizuar sa më mirë audiencën.

Edhe këtë vit, dikush i ka treguar VV-së, PDK-së, LDK-së dhe AAK-së se, përveç votuesve tradicionalë, ekziston një përqindje njerëzish që bindet për t’i votuar, kur u drejtohesh personalisht duke u thënë: “Cep më cep”, “Kosova mundet ma mirë”, “Bëhu ndryshimi” dhe “Për Kosovën fituese”.

Por, sa u shkojnë këto slogane secilës parti dhe cila mund të brohoritet?

VV, në zgjedhjet e vitit 2021, ka përdorur rimën “krejt dhe drejt”. Të njëjtën strategji e ka ruajtur edhe për këto zgjedhje me sloganin “Cep më cep”. Fjalët “cep” përsëriten dhe krijojnë një efekt ritmik dhe harmonik. Kjo lloj rimë quhet rima e plotë ose rima identike, sepse të dyja fjalët janë identike në tingull.

Synimi është gjithpërfshirës dhe i drejtohet shumicës, prandaj ka shfrytëzuar rimën, pasi mbahet mend lehtë dhe kuptohet nga të gjithë. Për dallim nga zgjedhjet e kaluara, këtë vit slogani duket më me tendencë modernizuese.

PDK-ja, e cila tradicionalisht është e ndërlidhur me vlerat e luftës, mund të ngjallë pyetje se sa i përshtatet formulimi “Kosova mundet ma mirë” për të joshur votuesit e rinj, pasi slogani më shumë anon drejt ruajtjes së votuesve tradicionalë. Sikur vetë PDK-ja të ketë pasur shpresë në qeverinë aktuale dhe, pas provimit të saj, të ketë kuptuar që “në fakt, Kosova mundet ma mirë se kjo që shpresuam”.

Ndërkaq, LDK-ja, me sloganin “Bëhu ndryshimi”, po i tregon votuesit të vet se i nevojitet ai, ajo apo ti për të ndërruar këtë qeverisje. Edhe pse tingëllon si një shprehje e përdorur, duket sikur bart mesazhin që LDK-ja ia ka mësy për të përcjellë.

Vërehet qartë se LDK-ja ka investuar shumë në strategjinë e saj për këtë vit, ndryshe nga viti 2021, kur, me sloganin “Shteti, shtet”, u vendos në një pozicion supremacie. Slogani përcillte mesazhin se “shteti është shtet vetëm kur jemi ne”. Përsëritja përforconte kuptimin dhe nuk linte hapësirë për dyshim, pasi pika nënkuptonte se ky fakt as që diskutohet.

AAK-ja dhe Nisma, me sloganin “Për Kosovën fituese”, krijojnë një ndjenjë bashkimi dhe motivimi për të kontribuar në përparimin e Kosovës si një shtet që kapërcen sfidat dhe arrin rezultate pozitive. Por, sa është unik dhe sa mund të mbetet në mendje? Hmm… pak!

Çfarë mendon ti, lexues? A kanë këto slogane kuptim? Apo janë një përpjekje për t’ia “larë trurin” votuesit të Kosovës, i cili po voton me ndjenja dhe mllef, ndërkohë që këto slogane apelojnë në koncepte thelbësore për jetën tonë, si liria, shteti, drejtësia dhe ardhmëria?