Live Stories from Prishtina

LIVE

16 Janar, 2025

Leposaviqi hapë dyert për Bankën Ekonomike. A po investohet në ndryshimin e vërtetë?

Në një moment që shënon një tjetër hap drejt konsolidimit ekonomik dhe institucional në veri të Kosovës, kryeministri Albin Kurti në kuadër të fushatës zgjedhore, vizitoi Leposaviqin.

Arsyeja?

Hapja e degës së re të Bankës Ekonomike, një zhvillim që ai e përshkroi si një ditë të mirë për banorët dhe ekonominë e vendit.

Por, në këtë rast, fjala “e mirë” duket se nuk i bën drejtësi momentit.

Leposaviqi, një zonë shpesh e përfolur për sfidat etnike, tashmë ka një qendër të re financiare që pretendohet të jetë motori i ri për zhvillimin ekonomik lokal.

Kurti, në fjalën e tij, u përqendrua tek rëndësia e kësaj dege të re bankare, duke theksuar se shërbimet financiare si pagesat, transfertat dhe kredidhëniet do të jenë tashmë më të lehta dhe më të arritshme për qytetarët e Leposaviqit.

Për të, ky është një hap drejt krijimit të një mjedisi financiar të rregullt, transparent dhe në përputhje me ligjet e Republikës së Kosovës.

“Ky është një hap jo vetëm që forcon ekonominë lokale, por edhe lidh më ngushtë veriun me pjesën tjetër të Kosovës,” tha kryeministri Kurti, duke vlerësuar përpjekjet e kryetarit të komunës Lulzim Hetemi dhe drejtuesve të Bankës Ekonomike.

Hapja e kësaj dege u cilësua si një mision i përmbushur nga përfaqësuesit e Bankës Ekonomike, të cilët falënderuan Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera publike për mbështetjen e tyre.

Kjo është dega e 33-të, e kësaj banke, por sipas tyre ndoshta më e rëndësishmja për shkak të vendndodhjes së saj dhe rëndësisë për qytetarët e Leposaviqit.