Live Stories from Prishtina

LIVE

17 Janar, 2025

Disponimi i luhatshëm, nervozizmi i ditës, “kapja për fjalë” janë vetëm disa nga efektet që m’i shkakton pagjumësia. Sot, përderisa e nisa ditën me shumë pak gjumë duke menduar për çka mund të shkruaj, e pashë si temë ideale pagjumësinë dhe desha të ndaj disa prej fakteve që kam lexuar dhe di për këtë fenomen.

Personalisht nuk vuaj nga insomnia, por kam luhatje të mëdha të pagjumësisë (disa ditë me 2-3 orë gjumë dhe disa ditë ku nuk mundem të përballoj as zgjimin). Si pjesë e brezit Z, lindur në fillim të viteve 2000, jam përdoruese mesatare e TikTok-ut, rrjet që e ka bërë procesin e gjumit të marrë vëmendje të madhe, duke përfshirë pjesë nga podcast-e të ndryshme rreth shëndetit, ndarjen e informatave për pasojat e pagjumësisë, etj.

E dimë që gjumi na bën të ndihemi mirë dhe që është i domosdoshëm. Sot, na këshillohet të flemë shtatë deri në tetë orë pa ndërprerje, inkurajohemi të ndjekim, numërojmë dhe monitorojmë çdo gjë për të arritur gjumin perfekt. Na thonë se nëse nuk flemë mirë, rrezikojmë sëmundjet e zemrës, diabetin e tipit 2, Alzheimerin, obezitetin, depresionin dhe madje edhe vdekjen.

Për këdo që vuan nga një gjumë jo i përsosur, dëgjimi i vazhdueshëm i pohimeve se gjumi është “superfuqia” jonë ka bërë më shumë për të rritur ankthin sesa për ta zbutur atë. Unë isha një prej këtyre. Kështu që, kur një seri humbjesh personale e shndërroi pagjumësinë time të lehtë në një problem të madh, dëgjova këshillën e një shkencëtari të gjumit, i cili më sugjeroi ta shihja si një dhuratë luksoze për kohë shtesë.

Duke e parë në këtë formë, netët pa gjumë u shndërruan në një shans për të “udhëtuar” metaforikisht në vende të reja dhe jo më në një “gjendje” që kërcënonte jetën time.

Çfarë do të thotë kjo?

Shiko drejt qiellit të natës
Rikonceptimi i pagjumësisë si një “dhuratë për kohë shtesë” ishte katalizatori për të zbuluar qiellin e natës. Unë përdora netët pa gjumë për të lexuar për yjet, planetët dhe fazat e hënës. Kjo më ndihmoi të shpërqendroja mendjen dhe të gjeja qetësi të thellë.

Madje, në një artikull nga The Guardian, lexova se një doktor, Dr. Chris Barnes, në Universitetin e Derby, kishte zbuluar se shikimi i qiellit të natës na bën të ndihemi më të qetë, më të lumtur dhe më të lidhur me universin.

“Të ndodhesh në një vend ku ndihesh rehat me errësirën është një përvojë thellësisht e qetë dhe restauruese,” kishte thënë ai.

Bëj diçka krijuese
“Mendja pas mesnate” shpesh mendon ndryshe, duke i bërë netët pa gjumë një mundësi të mrekullueshme për të eksploruar një anë tjetër të trurit. Dhjetëra shkrimtarë dhe artistë, në intervista të ndryshme online, pohojnë se janë më imagjinativë dhe krijues gjatë natës. Fillova ta përdor këtë kohë për të shkruar, një përvojë që ndoshta më ndihmoi të përpunoja disa tekste dhe të largoja ankthin që më mbante zgjuar në radhë të parë.

Gjithashtu, eksperti i gjumit Matthew Walker, në podcast-in e tij të fundit, thekson se pagjumësia shpesh vjen si pasojë e çështjeve emocionale të pashprehura gjatë ditës. Pasi fillova të shkruaja mendimet dhe shqetësimet e mia në letër, ato pushonin së më shqetësuari dhe më zinte gjumi më lehtë.

Mbaj errësirë
Studime të kohëve të fundit kanë nxjerrë në pah rolin e rëndësishëm të errësirës dhe ndikimin negativ të ndriçimit në gjumë. Për mijëvjeçarë, njerëzit flinin në shpella ose strehë pa dritë, dhe trupat tanë duket se ende përfitojnë nga ndriçimi i ulët në mbrëmje dhe mungesa e plotë e dritës gjatë natës. Errësira ndihmon trupin të prodhojë melatonin dhe largon tensionin që sjell drita. Prandaj, ulni ndriçimin gjatë mbrëmjes.

Gjithashtu, është e rëndësishme të merrni sa më shumë dritë dielli gjatë ditës.

Askush nuk ka vdekur nga pagjumësia
Dr. Tim Hearn nga Newnham College, Cambridge, ka thënë për The Guardian se aftësia për të përballuar mungesën e gjumit ishte një avantazh evolucionar për paraardhëset tona femra. Ato që përballonin ndërprerjet e ritmit cirkadian dhe vazhdonin të funksiononin, u bënë partnere më të qëndrueshme dhe më të dëshirueshme. Interesante është që disa studime nuk kanë gjetur pasoja negative për gratë.

Mos u shqetësoni që nuk do të funksiononi
Shumë pak prej nesh mund të rikuperojnë gjumin gjatë ditës për shkak të orareve të zëna. Kjo e shton ankthin gjatë netëve pa gjumë, por studimet tregojnë se mënyra si e perceptojmë pagjumësinë ndikon në performancën tonë. Nëse i themi vetes se një natë me gjumë të shkurtër nuk do të ndikojë, ne funksionojmë më mirë sesa kur mendojmë të kundërtën.

Kuptoni se jemi “programuar” për të ruminuar gjatë natës
Studime të reja tregojnë se mendja gjatë natës funksionon ndryshe. Kemi evoluar për t’u ndjerë më të frikësuar natën. Hormonet e ndryshuara dhe qasja jonë më pak racionale gjatë këtyre orëve e bëjnë të domosdoshme ta kuptojmë këtë gjendje si normale.