Live Stories from Prishtina

LIVE

17 Janar, 2025

Një arritje historike që reflekton forcën dhe përkushtimin e grave kosovare.

Feride Rushiti dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës janë nominuar për Çmimin Nobel për Paqe 2025.

Ky lajm është bërë publik nga vetë Rushiti, duke e cilësuar atë si një moment krenarie dhe frymëzimi për Kosovën dhe përtej.

Nominimi vjen si propozim nga deputeti suedez Magnus Jocobsson, një mbështetje që dëshmon vlerësimin ndërkombëtar për punën jetike të QKRMT-së dhe për lideren e saj vizionare.

Në një postim të mbushur me emocione në Facebook, Rushiti shkroi:
“Jam thellësisht e lumtur dhe e nderuar që unë dhe QKRMT jemi nominuar për Çmimin Nobel për Paqe 2025. Ky vendim, i propozuar nga deputeti i Parlamentit Suedez, z. Magnus Jacobsson, më mbush me emocione të papërshkrueshme dhe mirënjohje të thellë.”

Feride Rushiti nuk është thjeshtë vetëm një emër, por një zë i fuqishëm për ata që kanë kaluar përmes ferrit të torturës dhe dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Në krye të QKRMT-së, ajo ka udhëhequr përpjekjet për rehabilitimin e viktimave dhe për avokimin e drejtësisë, duke u kthyer në simbol të shpresës për shumë të mbijetuar.

Ky nominim nuk është vetëm një vlerësim personal për Rushitin dhe ekipin e saj, por edhe një reflektim i guximit dhe qëndresës së Kosovës si një komb që ka kaluar përmes dhimbjes, por që nuk është dorëzuar.

Në një kohë kur bota shpesh përqendrohet në tragjeditë dhe sfidat e vendeve të vogla, kjo ngjarje e sjell Kosovën në qendër të vëmendjes si një shembull i forcës dhe përkushtimit për paqe.

Feride Rushiti është dëshmi e fuqisë së një gruaje për të bërë ndryshimin.

Nominimi për Çmimin Nobel për Paqe nuk është vetëm një njohje për punën e saj, por një thirrje për të gjithë botën që të angazhohet në ndalimin e dhunës seksuale në konflikte dhe për të ofruar mbështetje për ata që kanë kaluar përmes përvojave të tilla.

Puna dhe dedikimi i saj dhe QKRMT-së tregojnë se ndryshimi fillon me një hap të vetëm, me një zë të vetëm dhe një zemër të fuqishme.

Ky është mesazh për çdo grua dhe çdo individ që ndjen nevojën për të bërë botën një vend më të drejtë dhe më të mirë.

Në një kohë kur bota ka nevojë për heronj, Feride Rushiti na kujton se fuqia për ndryshim ekziston brenda secilit prej nesh.

Ajo fuqia shpesh gjendet tek gratë që nuk ndalen përpara asnjë sfide. Kosova dhe bota, kanë shumë për t’u krenuar.