Bota
18 Janar, 2025
A keni dëgjuar për dokumentarin e vitit 2024 nga Netflix, “Sweet Bobby: My Catfish Nightmare”, dokumentari vë në pah historinë e cila vë në pah fenomenin “catfish” apo mashtrimin online e Kirat Assi, një grua e cila u mashtrua nga kusherira e saj për më shumë se 5 vite duke u paraqitur si një partner romantik fiktiv i quajtur “Bobby Jandu”.
Shikojeni nëse vetëm nuk e keni parë. Kjo histori sikur është bërë e gjallë edhe në Francë.
Dashuria virtuale me Bred Pitt dhe 830 mijë eurot e humbura. Histori që sfidon logjikën dhe realitetin!
Imagjinoni këtë!
Ju po shfletoni Instagramin për herë të parë, kur papritur merrni një mesazh nga nëna e Brad Pitt.
Jo vetëm kaq, ajo ju thotë se djali i saj ka nevojë për një grua si ju.
Dhe më pas, aktivizohet bomba!
Vetë “Brad Pitt” ju shkruan.
Kjo është pikërisht ajo që ndodhi me Anne, një 53-vjeçare franceze, e cila humbi kursimet e saj të jetës në një mashtrim që mund të hyjë në historinë e naivitetit modern, raporton BBC.
Gjithçka filloi në shkurt të vitit 2023, kur Anne, ende e martuar me një sipërmarrës të pasur, shkarkoi aplikacionin Instagram.
Brenda pak orësh, ajo mori një mesazh nga një llogari që pretendonte se ishte e nënshtetases Jane Etta Pitt, nëna e aktorit të famshëm hollivudian.
Sipas mesazhit, Brad Pitt kishte nevojë për një grua ashtu siç ishte Anne.
Këmbanat e alarmit filluan të bien, por jo për protagonisten Anne.
Të nesërmen, ajo mori një mesazh kinse nga Brad Pitt.
“Nuk dija çfarë po më ndodhte,” tha ajo më vonë, duke shtuar se si një përdoruese e re në mediat sociale, nuk kishte aftësitë për të dalluar një mashtrim.
Në muajt ma pas Brad Pitt-i virtual i tha Anne-së se i kishte dërguar dhurata luksoze, por dogana ia kishte bllokuar.
Ai kërkoi para për të zhbllokuar paketat, një total fillestar prej 9,000 eurosh.
Sikur kjo nuk mjaftonte, ai deklaroi se i duheshin para për trajtimin e një kanceri të veshkave dhe i dërgoi Anne-së foto të gjeneruara nga Inteligjenca Artificiale, ku dukej ai i shtrirë në një shtrat spitali.
Anne, ka deklaruar se ka kërkuar fotot në internet dhe kur nuk gjeti asgjë, u bind se ato ishin bërë posaçërisht për të.
Gjatë kësaj kohe, Anne u divorcua nga burri i saj dhe mori një dëmshpërblim prej 775,000 eurosh, të cilat, siç do ta imagjinoni, përfunduan në duart e mashtruesve.
“I thashë vetes se ndoshta po shpëtoja jetën e një njeriu,” tha ajo me një sinqeritet të dhimbshëm.
Por skenari nuk mbaron këtu.
Kur Brad Pitt i vërtetë u fotografua me të dashurën e tij të re, mashtruesit i dërguan Anne-së një video me një lajm të rremë ku një folëse në media, padyshim e gjeneruar nga intelegjenca artificiale fliste për lidhjen “ekskluzive” të Pitt me një grua misterioze të quajtur Anne.
Vetëm kur mashtruesit pretenduan se ishin agjentë të FBI-së që kërkonin para shtesë, Anne e kuptoi të vërtetën dhe kontaktoi policinë.
Për fat të keq, kursimet e saj ishin zhdukur, dhe ajo mbeti me një dhomë të vogël dhe disa kuti me gjëra personale.
Historia e Anne u bë virale në Francë, duke shkaktuar një valë reagimesh online.
Disa përdorues e tallnin, duke krijuar meme dhe postime satirike, të tjerë e mbrojtën, duke theksuar se edhe njerëzit më inteligjentë mund të bien viktimë e mashtrimeve.
Historia e Anne është një kujtesë për të gjithë ne që interneti është një terren i minuar për mashtrime.
Përfaqësuesit e vërtetë të Brad Pitt rekomanduan që njerëzit të mos iu përgjigjen kontakteve të tilla, sidomos nga aktorët që nuk menaxhojnë personalisht mediat sociale.
Por për Anne, plagët e mashtrimit shkojnë përtej parave të humbura.
Në një botë ku mashtrimet virtuale bëhen gjithnjë e më të sofistikuara, historia e Anne, është një leksion për kujdes të shtuar sidomos për përdoruesit “naiv” në rrjete sociale.
Brad Pitt reagon ndaj mashtruesve ‘të tmerrshëm’ që mashtruan një franceze duke përdorur fotot e tij
Anne, 53, u mashtrua nga qindra mijëra pasi besoi se ishte në një lidhje afatgjatë me aktorin.
Një zëdhënës i Brad Pitt ka adresuar historinë virale duke përcjell këtë mesazh.
“Është e tmerrshme që mashtruesit të përfitojnë nga lidhja e fortë midis fansave dhe të famshëmve”, kishte thënë ai.
Ja video reklamuese e dokumentarit që e përdora si krahasim: