Dje n’Kosovë
24 Janar, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Domethënja e jetës nuk qëndron gjithmonë në madhështinë e qëllimeve apo arritjeve të mëdha. Ajo gjendet në gëzimet e thjeshta, që shpesh kalojnë pa u vënë re – në një shëtitje të qetë, një melodi që të prek shpirtin, apo një moment të ndarë me ata që do. Plotësimi i vërtetë është të kuptosh se jeta nuk ka nevojë për një arsye të madhe për të qenë e bukur; ajo është e bukur thjesht sepse jetohet.
***
Çka e karakterizoi ditën e djeshme në Kosovë?
“Edhe djemtë, edhe vajzat, edhe nënat, edhe dajat, edhe hallat, të bëhen bashkë, të votojnë bashkë.” Kjo është gjuha që po përdoret në fushata dhe tashmë është bërë virale. Nganjëherë nuk di të dalloj nëse ky ka qenë gjithmonë fjalori apo është krijuar specifikisht për audiencën në TikTok.
Ku është ligji për reforma? A është i shkruar mirë ligji për Byronë, që Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar?
Pse prapë tentohet t’i vihet faji prokurorisë? Puna e prokurorisë është të merret me korrupsionin, me rezervat shtetërore, me KEK-un dhe me rastet e ambalazhimit të ujit.
Kjo është vetëm një përmbledhje e asaj çka flitet në tubimet e fushatave.
***
Problemet me ilaçet për pacientët
Ngecjet në procedurat e prokurimit kanë bërë që pacientët e Klinikës së Hematologjisë në QKUK të mbeten pa ilaçin Bortezomib, që përdoret për trajtimin e kancerit. Në mungesë të këtij bari, që duhet të sigurohet nga shteti, pacientët po detyrohen ta ndërpresin kimioterapinë, ndërsa disa të tjerë po e blejnë vetë.
Mungesa e barit Bortezomib në klinikë ka detyruar shumë pacientë ta blejnë vetë terapinë, që kushton nga 180 deri në 200 euro.
Bortezomibi përdoret kryesisht për trajtimin e mielomës së shumëfishtë, një formë kanceri që prek qelizat plazmatike në palcën e kockave.
***
Shfaqja “Shërbëtoret”
Ripërshtatja e shfaqjes “Shërbëtoret” nga Jean Genet zhvillohet nëpërmjet 15 skenave eksperimentale që përziejnë koreografi, tekst dhe vallëzim. Historia eksploron marrëdhënien komplekse të dashurisë dhe urrejtjes midis dy shërbëtoreve, Madame dhe Monsieur.
Të bllokuara në cikle shërbimi dhe fantazie, shërbëtoret dëshirojnë liri, por mbeten të lidhura nga dëshirat e tyre dhe dinamikat represive të pushtetit. Ndërsa kufijtë midis realitetit dhe iluzionit shuhen, rebelimi i tyre i çon drejt një përfundimi të pashmangshëm dhe tragjik.
Shfaqja “Maids” është dhënë më 22 dhe 23 janar, në orën 20:00, në qendrën Barabar, te hoteli Grand.
***
Shkëndija e jetës nuk matet me listën e arritjeve apo qëllimeve të realizuara. Ajo që e bën jetën të vlejë është aftësia për të ndjerë kënaqësinë në të tashmen, për të gjetur gëzimin në gjërat e thjeshta dhe për të shijuar çdo moment si një dhuratë. Jeta e vërtetë nuk është një garë për të arritur majat, por një udhëtim për të shijuar çdo hap që na çon atje ku duam të jemi.