Dje n’Kosovë
27 Janar, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
“Jepi kohës, kohë.” E vërtetë, gjithçkafit i nevojitet kohë, madje edhe vetë kohës. Nëse e ke të vështirë ta kuptosh, lexoje disa herë. Përderisa jemi duke pritur “shërimin” tonë, vetëm sa po e shtojmë presionin ndaj asaj që e ka kohën e vet për përmirësim.
***
Që thotë Shuki:
“Mirë që e kam koeficientin e inteligjencës, se me këta të rrogës, kurrë në jetë nuk e di ‘sa po shkon pasuli’.”
Meqenëse gjithçka është fushatë dhe e vetmja risi që ndodh gjatë ditës është ndonjë ankesë në PZAP, le të ecim përmbi premtimet e partive politike.
Në një fushatë ku po triumfon përmendja e ngritjes së pagës minimale, e cila prapëseprapë cilësinë e ka “minimale”, premtimet për anëtarësim në NATO, ngritje të buxhetit shtetëror, dhe… vërtet, sa janë të besueshme premtimet për sigurim shëndetësor e siguri energjetike?
Realizimi i sigurimeve shëndetësore publike është premtim i të gjitha partive kryesore, me ligje paraprake që kanë filluar që nga viti 2014, e nuk u zbatuan asnjëherë. Arsyeja kryesore sigurisht ka qenë: implikimet financiare. Por në Kosovë nuk është ndërtuar asnjëherë Sistemi Informativ Shëndetësor, pra një databazë e kujdesit mjekësor që regjistron vijueshmërinë e pacientit, barnat, historikun e gjithçkaje. Ende sillemi prej reparteve në reparte me letra në dorë!
Pastaj, cili element garanton implementimin e kësaj pike, me çfarë fondesh dhe çfarë pakosh?
***
Një pikë shumë e rëndësishme është arsimi i hershëm i fëmijëve, që përfshin ndërtimin e çerdheve. Problem që ka natyrë zinxhir, duke gërshetuar shumë tema në vete. Mosvijueshmëria e fëmijëve ose ndalimi i kësaj të drejte, rrjedhimisht nga pamundësia e kushteve, pengon zhvillimin e tyre në moshën 3-5 vjeç. Mungesa e çerdheve publike është problem më vete për familjet me të ardhura të kufizuara.
Përveç rolit në zhvillimin e fëmijëve, çerdhet luajnë rol të rëndësishëm në integrimin e barabartë të grave në tregun e punës. Meqë atyre shpesh u bie përgjegjësia kryesore për përkujdesjen ndaj fëmijëve, çerdhet do t’ua lehtësonin këtë barrë, duke u mundësuar zhvillimin e karrierës dhe pavarësinë ekonomike.
PDK ka premtuar 100 euro për të gjitha familjet, pa adresuar një varg sfidash që mund të dalin gjatë zbatimit të një ideje të tillë. LDK ka premtuar ndërtimin e 80 çerdheve për një mandat, ndërsa VV as nuk e ka plotësuar atë zotim të 2021-it për ndërtimin e 160 çerdheve. Nga AAK kanë përmendur idenë e zbatimit të një programi për ndërtimin e çerdheve modulare, që, sipas tyre, do të ndërtohen brenda 40 ditësh.
Një ide që bazohet vetëm në plane infrastrukturore, natyrisht, nuk është e analizuar mirë!
***
Boll negativitet… por këto janë zotimet, si ajo fjalia që u bë virale: “Kur mun… mun. Kur s’mun… provo kur mun.” Qishtu diçka.
***
Tek zyrat e YIHR KS është hapur nga 22 janari ekspozita e parë me emrin “Loja e ndërprerë.” Kjo ekspozitë paraqet një udhëtim të fshehjes, ikjes në kushte ekstreme, ballafaqimin traumatik me humbjen dhe vdekjen, si dhe të situatës së krijuar pas përfundimit të luftës.
***
Në fund të ditës, nuk janë vetëm premtimet që ndryshojnë rrjedhën, por veprimet që mbjellim sot për një të nesërme më të ndritur. E nëse diçka duhet t’i japim kohë, atëherë le t’i japim kohë guximit për të bërë më mirë