Prishtina
1 Shkurt, 2025
Një studim i kryer nga Behavior & Brain Lab në Universitetin IULM në Milano tregon se ngrënia e makaronave mund të prodhojë emocione pozitive, ndonjëherë edhe më shumë sesa aktivitete të tjera si dëgjimi i muzikës ose përcjellja e sportit.
(Paramendo tash ti muzikë + pasta – një “ekstazi” në vete!)😀
Hulumtimi përfshiu pjesëmarrës të moshës 25 deri në 55 vjeç dhe përdori teknika neuroshkencore për të matur përgjigjet e tyre emocionale dhe njohëse ndaj stimujve të ndryshëm.
Rezultatet treguan se konsumimi i makaronave jo vetëm që ngjalli ndjenja të forta pozitive, por gjithashtu përfshiu memorien dhe funksionet njohëse në nivele të krahasueshme ose që tejkalonin aktivitetet e tjera të këndshme.
E ku mund të hash pasta të mira në Prishtinë, që t’i përjetosh këto emocione më shpesh, tani që e dimë si fakt?
Nëse jeni adhurues i pastave në Prishtinë, këto tre restorante ofrojnë eksperienca të ndryshme, për natë, ditë ose çfarëdo kohe. Cilado qoftë zgjedhja juaj, dije që do ta shijosh një pjatë të mrekullueshme me pasta! 🍝

Basilico, tek kafet e vogla
Basilico është një nga ato restorante që e kombinon elegancën me shijen e pastave të freskëta. Ambienti është modern, me një ndriçim të ngrohtë dhe atmosferë të qetë, që pak të kujton lokalet në Amerikë me ato ulëse për dy persona, duke ofruar privatësi nga tavolinat e tjera.
Rekomandim për pasta:
Tagliatelle me fruta deti – një pjatë e pasur me aroma intensive dhe një teksturë kremoze që shkrin në gojë.
Çka i karakterizon pastat e tyre?
Përgatitja e tyre – një zierje mesatare, pak më të forta, apo në gjuhën italiane al dente.
Review:
Basilico shquhet për cilësinë e lartë të përbërësve dhe prezantimin elegant. Është vendi i duhur për ata që kërkojnë një përvojë autentike të pastave, të kombinuar me verëra cilësore.

Ponte Vecchio, një qoshe e Firencës në Prishtinë, pak më lart se Basilico, tek rruga Fehmi Agani
Me një emër që evokon urën historike të Firencës, Ponte Vecchio është një nga restorantet më të njohura me prezencë të fortë të kuzhinës italiane në Prishtinë. Thjeshtësia e interierit të ofron rehati, ndërsa pjesa e oborrit në verë është gjithmonë nën hije – ideale për një drekë relaksuese.
Rekomandim për pasta:
Pasta Ponte – një përzierje e shkëlqyer midis pastës së freskët tagliatelle me perime si hudhër, kërpudha, spec i kuq dhe spinaq. Shija e vajit të ullirit është gjithçka!
Për fund, një tiramisu e freskët e zbukuron çdo gjë – përherë e përgatitur në kuzhinën e Pontes.
Review:
Ponte Vecchio është ideal për ata që kërkojnë recetat klasike të kuzhinës italiane, me një atmosferë të ngrohtë dhe një shije autentike.

Vapiano, vendi i duhur nëse ke mysafir të huaj (Pejton, rruga Ukshin Hoti)
Vapiano sjell konceptin e pastave të freskëta me një stil të lirshëm dhe modern. Përgatitja është ndër më të shpejtat – sapo të ulesh në ambientet e tyre, për 2 minuta të vjen porosia! Plus, nëpër xhama mund të shohësh se si i përgatisin dhe gatuajnë pastat.
Rekomandim për pasta:
Pasta Bolognese – e përgatitur me mish të gatuar ngadalë dhe një salcë të pasur, e shoqëruar me djath të grirë përmbi.
Për fund, një chocolate cake është zgjedhja e duhur për ta përmbyllur drekën apo darkën tuaj.
Çka i karakterizon pastat e tyre?
Janë perfekte për njerëzit që preferojnë pasta më të ziera, me një strukturë më të butë.
Review:
Vapiano është një zgjedhje e shkëlqyer për një vakt të shpejtë, por cilësor. Ambienti është modern, ndërsa koncepti i përgatitjes së hapur e bën eksperiencën edhe më interesante.