“Zoti rriskun atij që punon nuk ja ndalë”

Paper Radio
ON AIR
91.1 Prishtinë
91.1 Podujevë
91.1 Fushë Kosovë
91.1 Artanë
91.1 Kastriot
91.1 Graçanicë
91.1 Drenas
91.1 Lipjan
91.1 Tiranë/Dajt
101.8 Durrës
104.1 Fier
102.7 Vlorë
88.9 Himarë
88.6 Sarandë & Ksamil

Ngjarje drejtpërdrejt nga Prishtina

LIVE

19 Shkurt, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Lexues, mos prit për anije në një aeroport!
Është në rregull të pritësh, por duhet ta presësh në vendin e duhur. Mos harro, nganjëherë pritja është rezultat i asaj që krijojmë në mendjen tonë, e cila jo gjithmonë është ashtu siç duket.

***

Çfarë ndodhi dje në Kosovë?
Me votat e numëruara deri tani, janë publikuar listat e kandidatëve të partive politike që potencialisht kanë siguruar ulëse në Kuvend.

Në mesin e personave që kanë qenë pjesë e disa legjislaturave dhe atyre që për herë të parë do t’i bashkohen Kuvendit, kalimi i disa kandidatëve me vota, në raport me ata më të vjetër, ka ngritur polemika krahasimi të tipit: “Kush, kur ia ka dëgjuar zërin këtij?”

“Mulliri ka nevojë për mullixhinj.” Asnjë arritje nuk është e rastësishme; elektorati votoi atë që ua shkeli derën tash e tre muaj – nga para fushatës zgjedhore deri në ditën e votimit.

Fitorja e Edona Llalloshit nga VV-ja, fitorja e Sala Jasharit dhe Përparim Grudës nga PDK-ja, hyrja potenciale e Paris Gurit nga LDK-ja (varësisht nga numri që mund të ndryshojë), si dhe ajo e Jehona Lushtaku-Sadriut, janë rezultat i synimit të qartë dhe të drejtpërdrejtë për fitore.

***

Në 17-vjetorin e pavarësisë, presidentja Vjosa Osmani ka dekoruar një numër personalitetesh dhe institucionesh. Me urdhrin “Hero i Kosovës” është dekoruar post-mortem edhe Shaban Jashari, i cili gjatë rezistencës së armatosur në mars të vitit 1998 ra në shtëpinë e tij së bashku me 21 anëtarë të familjes, përfshirë komandantin legjendar Adem Jashari.

***

Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ka deklaruar se siguria e Kosovës është kërcënuar gjatë fushatës zgjedhore nëpërmjet lajmeve të rreme dhe, madje, edhe në ditën e votimit, përmes një sulmi kibernetik ndaj uebfaqes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Gjatë qëndrimit në Varshavë të Polonisë, ku mori pjesë në takimin informal ministerial të organizuar nga Presidenca e Polonisë në Këshillin e Bashkimit Evropian (BE), Bislimi theksoi se duhet gjetur përgjigje ndaj kërcënimeve të tilla, me të cilat përballen të gjitha vendet e bllokut.

***

Kosova nuk ia ka dalë që, as një çerekshekull pas luftës, t’i dokumentojë sistematikisht krimet e kryera nga regjimi serb gjatë luftës së fundit. Padia ndaj Serbisë për krime gjatë luftës nuk është ende në horizont, për shkak se shteti më i ri në Evropë ende nuk gëzon të drejta për të ndërmarrë një hap të tillë.

Mungesa e dëshmive në dokumentet zyrtare serbe për spastrim etnik në Kosovë, shkatërrimi i trashëgimisë kulturore dhe përgatitja juridike e vendit për një padi kundër Serbisë ishin temat që u trajtuan në ditën e parë të punimeve të konferencës shkencore “Shkalla, trashëgimia, dokumentimi dhe gjykimi i krimeve të kryera në Kosovë”.

***

Çfarëdo qoftë puna jote, bëje mirë! Jo për punëdhënësin, por për veten tënde. Ti e bën punën, jo puna ty. Ti nuk je puna që bën – ti je personi që je, për virtytet e tua njerëzore. Gabimi që ke bërë para disa ditësh në punë nuk të definon si person.