Live Stories from Prishtina

LIVE

28 Shkurt, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Lexues i dashur,

Meqenëse sot u zgjova nën një mot të vranët dhe me ca lajme të hidhura që mora, e kam më të lehtë të kujtoj që: njeriun ta duam sa është i gjallë, sepse pasi të vdesë, për të rron vetëm kujtimi dhe të bëmat e tij/saj derisa ishin gjallë. Duajini njerëzit tuaj, një ditë do të jetë hera e fundit që i shihni…

Në kujtim të fotografit të luftës dhe paqes, Alban Bujarit!

Bujari ishte një ndër fotoreporterët më të shquar të Kosovës dhe ndër të parët që ka dokumentuar periudhën e luftës në Kosovë gjatë viteve 1997-‘99.

***

Çka ndodhi dje në Kosovë?

Derisa bota ka ndërruar “shefin” e saj dhe të gjithë po tentojnë të krijojnë marrëdhënie personale të mira (vendos këtu edhe mbretin Charles, i cili e ftoi Trumpin për vizitën e dytë të paprecedentë shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar), ne ende kemi vota të panumëruara, nga të cilat, me ritmin që kanë arritur, do të kuptojmë nëse LVV arrin 51 deputetë apo 48. Cilado që të jetë, do të sjellë rezultate për t’u komentuar.

Eugen Cakolli nga “Demokracia në Veprim” ka thënë se kjo parti, e cila ka dalë e para në zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk pritet të bjerë nën 49 deputetë.

Le të shohim…

***

Ngritja e çmimit të energjisë elektrike do të ketë ndikim edhe në shtrenjtimin e bukës. Këtë e ka bërë të ditur Shoqata e Mullisëve.

“Veç me dal n’mal”, do të thoshte një fjalë e popullit. “Ktyneherë”, këtë shprehje e kanë përdorur kur situatat e ndryshme jetësore janë bërë të tepërta për t’u duruar ose menaxhuar.

Nëse edhe rryma edhe buka shtrenjtohen, automatikisht priten edhe shtrenjtimë të tjera.

Ndryshimi i çmimit të bukës është jashtëzakonisht i paarsyeshëm, sepse, kur kemi parasysh prodhimin e bukës, energjia elektrike nuk është një faktor shumë kyç në procesin prodhues. Kjo është një barrë jashtëzakonisht e rëndë për të gjitha familjet kosovare, duke pasur parasysh që të ardhurat e tyre janë në nivele jo të kënaqshme.

***

Nën drejtimin e mjeshtrit të njohur zviceran-francez, Antoine Marguier, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës interpretoi një program të veçantë me vepra nga Rexho Mulliqi, Valton Beqiri, Kreshnik Aliçkaj, Giuseppe Verdi, Giacomo Puccini dhe Manuel de Falla.

Në rolin e solistëve u prezantuan sopranoja Besa Llugiqi dhe saksofonisti Vitaly Vatulya.
Koncerti u mbajt nga ora 19:30 në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

***

Gjithmonë do të kesh dikë që e sheh dritën tënde, dikë që e ndjen ngrohtësinë tënde dhe dikë që e ka jetën më të bukur falë teje. Mos harro kurrë se ekzistenca jote ka një ndikim dhe se bota do të ishte më e varfër pa ty.