N’Kosovë
5 Mars, 2025
Kjo datë në histori në ditën e sotme na kujton datën 5 mars 1998, dita kur fshati Prekaz i Skenderajt, rrethohet nga artileria më e rëndë e forcave serbe.
Me tanke e helikopterë më 5 mars filloi sulmi mbi familjen Jashari, sulm ky që vazhdoi më 6 dhe 7 mars në mënyrën më brutale duke vrarë e masakruar 22 anëtarë të familjes së ngushtë Jashari dhe 34 bashkëfshatarë dhe të afërmit e tyre.
Aty dogjën dhe rrënuan shtëpitë e familjes Jashari.
Në nderim të kësaj sakrifice vetëmohuese, le t’i kujtojmë monumentet rreth e rrotull si dhe jashtë Kosovës që i dedikohen Ademit dhe familjes Jashari.
Kompleksi memorial Adem Jashari i njohur edhe si Kompleksi memorial i lagjes Jashari
Brenda kompleksit:
Shtëpia e Jasharajve – shtëpia e Adem Jasharit dhe e familjes së tij është e ruajtur në gjendjen e saj origjinale pas sulmit. Ajo përmban gjurmë të plumbave dhe shkatërrimeve nga luftimet, duke shërbyer si një dëshmi e sakrificës së familjes Jashari.
Varrezat e dëshmorëve – Në kompleks ndodhen varrezat e Adem Jasharit, familjes së tij dhe të rënëve të tjerë në betejën e Prekazit. Këto varreza janë bërë një vend pelegrinazhi për qytetarët e Kosovës dhe shqiptarët nga mbarë trojet.
Monumenti qendror dhe obelisku – Në hyrje të kompleksit është ngritur një monument përkujtimor që simbolizon heroizmin e familjes Jashari dhe luftën për liri.
Muzeu dhe pllakat përkujtimore – Në kompleks ka një muze ku ekspozohen objekte të ndryshme personale të Adem Jasharit dhe luftëtarëve të UÇK-së, dokumente, fotografi dhe armë të përdorura gjatë betejës.
Amfiteatri memorial – Në këtë pjesë organizohen ngjarje përkujtimore, akademi dhe aktivitete kulturore që lidhen me historinë e luftës çlirimtare.
Gjithë lagjja e Jasharajve është e rrethuar me pllaka informuese dhe simbole të UÇK-së.
Bunkeri
Në Kompleksin Memorial ndodhet një bunker, i cili simbolizon përgatitjen dhe mbrojtjen e luftëtarëve të UÇK-së kundër forcave serbe. Bunkeri ka shërbyer si një pikë strategjike për mbrojtjen e familjes Jashari dhe dëshmorëve të tjerë gjatë sulmit të marsit 1998.
Piramida
Një strukturë piramidale është vendosur në një pjesë të kompleksit, duke pasur një simbolikë të veçantë për qëndresën dhe sakrificën e familjes Jashari. Forma e piramidës shpesh interpretohet si një simbol i fuqisë dhe përjetësisë, duke e lidhur sakrificën e Jasharajve me historinë dhe identitetin kombëtar.
Kulla e ujit
Kulla e ujit, e cila ndodhet në kompleks, ka qenë një pjesë e infrastrukturës së lagjes Jashari, por gjatë betejës së marsit 1998 ka marrë një rëndësi të madhe strategjike. Ajo është e mbushur me vrima plumbash dhe mbetet një dëshmi e ashpërsisë së sulmit të forcave serbe kundër familjes Jashari.

Aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë – përveç emërtimit të aeroportit kryesor të Kosovës në nder të Adem Jasharit është një shatërvan forma e të cilit është gjysma shqiponjë dhe gjysma profili i Adem Jasharit.
Ky nderim i figurës së tij, është pika kryesore që informon edhe të huajt që vizitojnë Kosovën, njohin historinë e vendit tonë dhe shohin diçka të punuar artistikisht.
Ky objekt u ideua nga Paper Communication dhe puna nga Fortesa.

Bustet dhe shtatoret në qytete të ndryshme – Përveç Prishtinës dhe Skenderajt, buste dhe shtatore të Adem Jasharit ndodhen edhe në qytete të tjera të Kosovës si Vushtrri, Mitrovicë, Lipjan, Ferizaj, Pejë, e poashtu edhe ajo në Tiranë.

Sheshi “Adem Jashari” – Shumë qytete në Kosovë kanë sheshe ose rrugë të emërtuara në nder të tij, ku shpesh vendosen edhe buste ose pllakata përkujtimore.
Poshtë është sheshi Adem Jashari në Prishtinë, emri i të cilit iu vendos pas vitit 2000.

Shtatorja e Adem Jasharit në Skenderaj,
Shtatorja e Adem Jasharit në Prishtinë .
