Paper explorer
9 Mars, 2025
Në këtë verë, nëse në mendje nuk ke ndonjë vend evropian për të vizituar, qoftë për shkak të mungesës së financave të mjaftueshme, kohës së pamjaftueshme apo thjesht sepse ke plane të tjera që nuk të lejojnë të organizosh udhëtime afatgjata, ndaje një fundjavë për Shqipërinë dhe zbulo këto tri pika të veçanta që mund t’i vizitosh brenda një vikendi:

Berati, qyteti i një mijë dritareve
Destinacioni turistik më i njohur për t’u vizituar në Shqipëri. Një qytet i bukur i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, më pak se dy orë larg nga kryeqyteti. Berati është një qytet me më shumë se 2000 vjet histori, ku kultura të ndryshme kanë lënë gjurmë. Edhe pse i mungojnë monumentet kryesore, ai është një muze gjigant.
Imazhi emblematik i qytetit na tregon një enigmë shtëpish të vogla prej guri, që nga bregu i lumit Osum, ngjiten të çrregullta deri në majën e shpatit të kurorëzuar nga kalaja e Beratit. Qershia mbi tortë janë minaret e holla të xhamive, ezani i të cilave ndërthuret me rrëmujën e jetës së përditshme në qytet.
Berati ndahet në tre lagje të dallueshme historike: lagjja e krishterë e Goricës, lagja myslimane e Mangalemit dhe lagjja e Kalasë, e vendosur në majë të kodrës ku ndodhet kalaja.

Kanionet marramendëse të Osumit
Shumë pranë Beratit ndodhet një destinacion me natyrë befasuese dhe ende i panjohur, Kanionet e Osumit. Eshtë një grykë e madhe me më shumë se 13 kilometra gjatësi, më e madhja në Shqipëri dhe me mure shkëmbore që arrijnë 100 metra lartësi. Gjithashtu mund të bëni një vizitë në Ujëvarën e Bogovës. Qasja në këtë zone bëhet përmes një rruge të thjeshtë rreth 30 minuta (një drejtim) dhe megjithëse e vogël ujëvara është e shkëlqyer për të notuar në verë.

Gjirokastra dhe sharmi i stilit kaldrëm
Gjirokastra, një tjetër qytet i përfshirë në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Pa dyshim është shembulli më i mirë i arkitekturës tradicionale osmane në tokën shqiptare, i quajtur ndryshe ‘qyteti i gurtë’. Ajo që sot është një kështjellë e bukur (pjesërisht në rrënoja) dhe me pamjet më të mira të qytetit, lë të kuptohet për një të kaluar të lavdishme.
Rrugët me kalldrëm të Gjirokastrës janë një kënaqësi e vërtetë për shëtitje të gjata. Këtu do të zbuloni xhevahire arkitekturore që nga koha e dominimit turk, kryesisht pallate të mëdha dhe elegante me çati të mbuluara me gurë (një tipar dallues i qytetit). Gjithashtu, nëse ju pëlqen natyra dhe hiking, duhet të dini se ajo është e rrethuar nga male dhe hapësira të bukura natyrore.
Gjithashtu vizitoni Parkun Natyror “Syri i Kaltër” apo Parkun Kombëtar të Bredhit të Hotovës dhe zonën e tij të burimeve të nxehta, Banjat e Benjës.

Burimet e ujërave termale të Bënjës ose Banjat e Bënjës
Do të mahniteni me urën e mrekullueshme osmane të Kadiut dhe burimet e ujërave termale të Bënjës, apo siç quhen ndryshe Banjat e Bënjës. Pa dyshim, një tjetër vend mahnitës dhe shumë autentik për t’u parë në Shqipëri. Ky vend ndodhet pranë qytetit të Përmetit dhe brenda Parkut Kombëtar të Bredhit të Hotovës.
Udhëtimi këtu është një atraksion i madh në vetvete për shkak të peizazheve spektakolare. Pasi të keni lënë makinën tuaj në parking, mund të shijoni pamjen e mrekullueshme të kësaj ure mesjetare pranë së cilës ndodhet një grup pishinash termale me ujëra sulfurorë me pamje nga malet dhe me akses të lirë.
Gjithashtu, ju këshilloj të ecni përgjatë shtratit të lumit përmes kanionit të Langaricës për rreth 1 kilometër. Përveç shijimit të një panorame spektakolare do të gjeni edhe pishina të tjera shumë më pak të frekuentuara.