Dje n’Kosovë
14 Mars, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Ndryshimi është i frikshëm, pasiguria, mundësia e humbjes. Po sikur gjërat të mos përmirësohen? Po sikur të bëj zgjedhjen e gabuar? Po sikur, duke u përpjekur të rritem, të humbas veten në vend të kësaj? Po sikur të mbetem i njëjtë? Po, ndryshimi është i frikshëm. Por, edhe të mos provosh është. Edhe të qëndrosh në vend është. Edhe të zgjohesh një ditë dhe të kuptosh që i ke lënë frikës të vendosë për jetën tënde.
Çka ka ndodhë dje në Kosovë?
A e dini cila ka qenë arsyeja që interneti ka fol 24 orë veç për një personalitet? Për mirë e për të keq, krejt ndodhi për vizitën e ish-presidetit, Hashim Thaçi.
Ish-presidentit Thaçi iu lejua vizita, pasi babai i tij është i shtrirë në Qendrën Klinike Universitare. Gjatë gjithë kohës, ai ishte i shoqëruar nga pjesëtarë të EULEX-it. Kjo është vizita e tretë e tij që nga arrestimi, pas atyre të 29 majit dhe 2 shtatorit 2023, të cilat po ashtu ishin lejuar shkaku i gjendjes së familjarëve të tij.
Ende ka njerëz që shkojnë mbrapa personave që i konsiderojnë liderë, ende ka njerëz që kur dëgjojnë se po vjen dikush, e lëshojnë edhe punën për ta vizitu, qishtu ndodhi dje edhe me Thaçin.
***
Dje ka qenë një ditë ku ka kulmu patriotizmi, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, e ka publiku një foto me malet shqiptare, duke i shënu emrat e maleve dhe flamurin e secilit vend që i takojnë. Mali i Shkëlzenit, Malet e Zogut dhe Malet e Gjeravicës.
Lajm nuk ishte fakti që serbët u aktivizuan me komentet që i bëjnë përherë, lajm ishin përgjigjet e mprehta të ambasadës karshi komentuesve.
Kur në komente, kontestohej pavarësia e Kosovës, ambasada e kthente këtë përgjigje në gjuhën angleze:
“Pavarësia e Kosovës është një realitet dhe një fakt. Gjermania e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur që nga viti 2008, menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë. Kjo njohje ndahet nga shumica e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe shumë vende të tjera në mbarë botën”.
Ndërsa kur dikush, komentonte se; sa të bukura janë “malet serbe”, ambasada në formën më të zgjuar kthente këtë përgjigje: “Edhe ne i duam ato! Thjesht, malet në foto nuk i përkasin Serbisë.”
Ky ishte interaksioni më i mrekullueshëm që kam parë ndonjëherë!!!
***
Dje në Prishtinë u përurua edhe një shesh “Erhard Busek”. Tash që edhe kjo hapësirë për shesh u nda në kampusin universitar dhe në afërsi të Bibilotekës Kombëtare dhe ku prap u ndalën punimet, nuk po e di ku qëndron qëllimi…
***Kulturë
Dje pasdite u promovua libri ku trashëgimia kulturore e shpirtërore shqiptare vjen e dokumentuar nga antropologia amerikane, Janet Reineck. “E kaluara si strehë” me nëntitull “Gjinia, migrimi dhe ideologjia te shqiptarët e Kosovës” është studim i thellë antropologjik ku shpalosen dimensionet e jetës në Kosovë duke u fokusuar në një regjion të caktuar – në Opojë.
***
Askush nuk i ka të gjitha përgjigjet, askush nuk e di me të vërtetë se çfarë po bën. Jeta nuk ka të bëjë me t’i pasur të gjitha të qarta, por me hedhjen e hapit të radhës edhe kur je i frikësuar.