Dje n’Kosovë
16 Mars, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Është e tëra brenda nesh, lexues, gjithçka. Nëse ti vendos ta shohësh si të bukur, e bukur do të jetë. Nëse ti vendos të ndihesh mirë, mirë do të jesh. Afirmimi që ti i bën vetes luan rol edhe në jetën e njerëzve që ke përreth. Kurrë mos harro: “Një rreth i shëndetshëm, ti i shëndetshëm”.
Seç e ndjej nevojën nganjëherë t’i nisë të dielat me këto rikujtime; më bëjnë mirë edhe mua. Pavarësisht çfarë ndodh çdo ditë, e keqe e mirë, asnjëra nuk zgjat përherë. Të mirës gëzoju, e “e keqja” kalon.
Nejse… Çka ndodhi dje në Kosovë?
Siç edhe u paralajmërua, KQZ na gëzoi me publikimin e rezultateve:
Lëvizja Vetëvendosje është konfirmuar si partia e parë me 42.3 për qind të votave. Kjo parti ka marrë 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.95 për qind të votave, apo 24 ulëse.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 18.27 për qind të votave, apo 20 ulëse.
Koalicioni AAK-Nisma ka dalë në vend të katërt me 7.06 për qind të votave, apo tetë ulëse.
Tash, kur secili subjekt e konsideron historik rezultatin e tij dhe deri sa mendohen cila është “përputhja e tij më e mirë”, a e din kush çka po ndodh me djegien e maleve tona, aseti, vlera jonë më e çmuar, pse po kallet?
***
Eksploruesi i faunës, Arian Mavriqi, mbrëmë kishte ndarë disa foto ku zjarri kishte përfshirë një pjesë të maleve të Kamenicës.
Është raportuar se kjo ka ndodhur mbi lagjen “Çamëria”. Mavriqi ka raportuar po ashtu se zjarrfikësit janë në vijën e parë të frontit.
Kohëve të fundit, Kosova është përballur me qindra zjarre.
Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave ka shprehur dyshime se zjarrvëniet ishin të qëllimshme.
Zjarre ka pasur në Skenderaj, Zubin-Potok, Prishtinë e Deçan.
Zjarrvënia e maleve është e barabartë me aktet që cilësohen krime. Urojmë të gjenden fajtorët, se nuk është piku i verës që malet të digjen prej nxehtësisë.
***kulturë
Një aksident i kurdisur që bashkon dy persona është burimi i një pasioni në filmin “The River”. Rrugët janë metaforë për lumenjtë aty. Në filmin e regjisorit grek, Haris Raftogiannis, lumit të kastës i është bashkuar edhe aktorja nga Kosova, Ilire Vinca, e cila ka një prej roleve kryesore. Tjetër kapitull i përfshirjes së Kosovës aty është edhe bashkëprodhimi.
Ky film shënon bashkëprodhimin e parë midis Kosovës dhe Greqisë, që nuk e njeh vendin si shtet. Aktorja Vinca dhe bashkëprodhuesi i filmit, Eshref Durmishi, e konsiderojnë këtë si hap të parë drejt bashkëpunimit artistik midis dy vendeve.
Filmi ka filluar të shfaqet në Athinë, ndërsa pritet që së shpejti të shfaqet edhe në Kosovë, e ndoshta edhe të udhëtojë nëpër festivalet këtu.
***
Shikoje këtë thënie që e pashë në një film këtë vikend, lexues, dhe po i japim fund kësaj jave: “Dita, muaji, viti e tërë jeta është rreth asaj se kush qëndron në shi me ty; shumë lehtë mund të kishin zgjedhur të mos bëheshin qull.”