Dje n’Kosovë
6 Prill, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Dikur dikush tha se njeriu bëhet më i dashur kur është paksa qesharak – dhe ndoshta, në Kosovën e djeshme, kishte mjaft për të dashur. Midis lajmeve serioze, deklaratave që s’u besuan as vetë dhe gjesteve të bukura që askush nuk i pa në lajme, dita e djeshme e jetoi rolin e saj në dramën tonë të përditshme.
Çka ndodhi dje në Kosovë?
A do jetë kjo javë që po vjen kthesë për vendimmarrje, kush do jetë protagonisti kryesor?
Sot bora mund të kishte ndaluar por dje nën diellin e së shtunës dhe vullnetin e ndryshimit, qindra qytetarë protestuan në sheshin kryesor të Prishtinës kundër shtrenjtimit të radhës për energjinë elektrike në vend – ku nisën prej ndërtesës së Qeverisë së Kosovës e te Ministria e Ekonomisë.
Demokracia nuk funksionon pa qytetarin proaktiv. Nuk mundesh me aprovu një kushtetutë edhe do ligje edhe me pritë që japin rezultate automatikisht.
***
Kosova i është bashkuar zyrtarisht Kodit të Praktikave për Shtetet, një kornizë ndërkombëtare që synon forcimin e transparencës dhe llogaridhënies në përdorimin e teknologjive kibernetike. Ky zhvillim vjen në kuadër të Procesit Pall Mall – një nismë e përbashkët e Britanisë së Madhe dhe Francës – që po mbledh rreth vetes gjithnjë e më shumë shtete të përkushtuara ndaj standardeve të përgjegjshme digjitale.
Këtë lajm e ka bërë të ditur kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
***
Me një komunë të vetme e të vogël si Malisheva si rezervuar të mbështetjes për vete, Fatmir Limaj i NISMA-s nxori tre deputetë – tre deputetë të cilët njëjtësojnë matematikën në të dy anët: në numrin e partive ish-opozitare (49) dhe atë të ish-pushtetit (48) për të ndërtuar qeveri eventuale.
Para më shumë se dy muajve, një paraqitje e Limajt në “Debat Plus” do të ndërronte çdo paramendim të mirëqenë për qeveri “fikse” ish-opozitare ose edhe një pastërtisht ish-pushtetare.
“Unë ulem me të gjithë, kush t’më fton – për interesa nacionale”, ishin fjalët e Limajt që prodhuan pafund debat dhe u panë si qëndrimi edhe/edhe.
Tash e dy muaj Limaj është mbyllur hermetikisht për publikun.
A do jetë Limaj protagonisti i 15 prillit? Nëse po, çka do të marrë?
***
Një person ka vdekur dhe një tjetër ka mbetur i lënduar pas shembjes së dheut në një vendpunishte në lagjen “Veternik”, në Prishtinë.
Në Polici bënë të ditur se kanë marrë informacionin rreth orës 13:00, se dy persona janë zënë nga dheu që është shembur afër rrugës “Gjilani”.
Vetëm gjatë tremujorit të parë të vitit në vendin e punës kanë vdekur 8 punëtorë.
***
Në fund të ditës i dashur lexues; të gjithë mendojnë të ndryshojnë botën, por askush nuk mendon të ndryshojë veten. Transformimi i vërtetë kërkon ndershmëri të vërtetë. Nëse doni të ecni përpara, bëhuni të vërtetë me veten tuaj!