Live Stories from Prishtina

LIVE

16 Prill, 2025

Sikur qytetet tjera të Shqipërisë edhe Durrësi e ka shmekun e vetë. Jo veç për plazhet dhe detin Adriatik, por edhe për njerëzit që kanë lind, janë rrit dhe kanë lënë gjurmë në kujtesën kolektive si dashuri e parë, si verë e nxehtë, si kujtim që s’të zhbëhet.

Qyteti që ngarkon e shkarkon mallra ditë e natë, që rri në vigjilje të kohës me kranet e portit dhe me valët që nuk pushojnë kurrë, ka brenda tij një heshtje të lashtë një jehonë që s’ka të bëjë vetëm me tregtinë, por me një histori më të thellë, historinë e muzikës.

Pikërisht këtu, në këtë qytet buzë detit, ka lindur një nga figurat më të mëdha të muzikës bizantine Jan Kukuzeli.

Grekët kanë dëshirë ta përvetësojnë si personalitet të tyre, por gjeniu nga Durrësi që ia dha melodinë shpirtit të Bizantinit, me burime tregohet se është biri i një nëne shqiptare.

I lindur në shekullin XII, nga një nënë shqiptare dhe baba me prejardhje bullgare, Kukuzeli e nisi jetën në Durrës si një fëmijë i zakonshëm, por me një dhunti të pazakontë: zërin e tij.

Kjo është vetëm hipotezë por vetë mbiemri “Kukuzeli” ka gjasa të lidhet me fjalën shqipe “kuku” dhe sllavishten “zeli” (gjeth).

Që në moshë të re, ai ra në sy për vokalin e rrallë dhe ndjeshmërinë muzikore. Shumë burime e përshkruajnë si “fëmijën e artë” që i përthithte meloditë si deti që përthith dritën e diellit. Ishte aq i talentuar, saqë iu dha mundësia të shkonte në Kostandinopojë për të studiuar në shkollën perandorake të muzikës. Aty, mes zërave të korit më të dalluar të kohës, ai shëndriti menjëherë.

Madje mes fjalëve thuhet se vetë Perandori e mbështeti dhe vuri re gjatë kohës së tij në oborr.

Kjo dhunti e talentit të tij të veçantë habiti auditorët, maestrot dhe hierarkinë e lartë perandorake. Është kjo arsyeja që shumë shpejt i adhuruari laureohet me titullin “Angelofonos” – “zë engjëlli”. Duke iu referuar dy dokumenteve të rëndësishme të atyre kohëve, Imerologjios Sinaik (të vitit 1332) dhe Kodikut të Leningradit që flet më gjerë për Kukuzelin, ata na bëjnë të njohur pikërisht faktin se “këtë titull të veçantë, ‘angelofonos’, Kukuzeli e mbante që prej moshës njëzetvjeçare”.

I dëshpëruar nga jetesa e stërshkëlqyer e oborrit perandorak dhe me një nevojë të brendshme për qetësi, ai u tërhoq në malin Athos, në manastirin e famshëm të Lavrës së Madhe, ku kaloi pjesën më të madhe të jetës si murg.

jatë tërë jetës ai u mor me studimin e muzikës së lashtë tradicionale, të trashëguar përmes ritualeve bizantine. Ende edhe sot ruhen dorëshkrime të deshifruara, të ekspozuara dhe të tjera ende të pashpallura në fushën e kërkimeve të tij muzikore.

Ai punoi e shkroi studime teorike, kompozoi me një intensitet të madh dhe përherë në mënyrë novatore në raport me traditën pararendëse. Me krijimtarinë e tij ai hapi dhe themeloi atë që në artin muzikor bizantin thërritet “Periudha e Tretë” e këtij arti, si dhe ndërtoi sistemin e famshëm të shkrimit muzikor, i cili tanimë njihet si “Sistemi Kukuzelian i shkrimit muzikor”.

Kompozimet e tij, si Anothen oi prophetai dhe Polieleos, mbetën standarde liturgjike për shumë shekuj dhe ende këndohen në manastiret ortodokse.

Për devotshmërinë e tij, murgjit e quajtën “shenjt” qysh pa ndërruar jetë. Thuhet se zëri i tij ishte aq i ëmbël, saqë engjëjt zbrisnin të dëgjonin këndimin e tij. Edhe sot, ai njihet si Shën Jan Kukuzeli, dhe është i nderuar jo vetëm në traditën shqiptare, por në gjithë botën ortodokse.

Nga oborri perandorak, nga buja e adhuruesve të shumtë, nga zhurma dhe lavdet e publikut që e priste tërë ovacion, nga jeta tërë emocion dhe popullaritet… papritur Kukuzeli braktis kryeqytetin, Kostandinopojën, bujën e shenjtërimit që e rrethonte dhe shkon të mbyllet, izolohet përfundimisht në territore të veçuara gjeografikisht, në terrene malore të pakalueshme nga vizitorë të zakonshëm, në manastiret-kështjella të Malit të Shenjtë, në Halqidhiqi… duke u kthyer në një asket, murg i mbyllur në manastiret enigmë

Po, për çfarë arsye e ndërmori Kukuzeli këtë braktisje? Cilat qenë rrethanat që e detyruan atë të largohet prej lavdisë, adhurimit masiv, popullaritetit që e rrethonte ngado? Në ç‘rrethana ai u imponohej pasioneve të moshës së tij për t‘u ndrydhur brenda jetës së mbyllur të manastireve?

Në një nga dokumentet, që bën fjalë për këtë ngjarje të çuditshme të jetës së kompozitorit dhe novatorit kurajoz, thuhet se largimi iu imponua për të mos iu nënshtruar akteve imponuese të oborrit perandorak dhe kërkesës së Perandorit për ta martuar me një lidhjen e afërt të tij brenda pallatit. Një tjetër dëshmi, që është kontradiktore me njoftimin e mësipërm, na bën të njohur se Kukuzeli është larguar krejt papritur i mbuluar nga heshtja. Kur Perandori mësoi për largimin e tij dhe strehimin përfundimtar në Manastiret e Athosit, dërgoi dy të besuar për të mësuar rreth së vërtetës së këtij largimi të papritur dhe për ta ftuar atë në rikthimin e tij pranë oborrit. Por, gjeniu nuk e pranoi ftesën dhe nuk u rikthye më kurrë në labirintet e mistershme të pallateve perandorake.

Në Kodikun e Vatapodhit gjendet e shkruar nga dora e Kukuzelit edhe një ninullë, për të cilën thuhet se atë ia pat kënduar dikur nëna e tij. Vargjet e kësaj ninulle janë bërë objekt i studimeve të ndryshme, për të zbërthyer dhe interpretuar ato me greqishten ose sllavishten.

Në përmbledhjen e saj biografie, “për muzikën dhe muzikantët më të mëdhenj të kohëve”, Enciklopedia e Madhe Britanike – Mc Milan, nënvizon një fakt gati-gati kalimtar, por që padyshim për ne shqiptarët është domethënës, emocional e pse jo intrigues për qëmtime të mëtejme

Durrësi nuk ka mbetur në të kaluarën. Tingulli i tij ka ndryshuar, por s’ka heshtur. Nga këndet e lagjeve të vjetra deri në baret e hapura në mbrëmje, muzika vazhdon të jetë pjesë e identitetit të qytetit.

Nëse ecën pranë amfiteatrit antik kur era fryn nga deti, ndoshta të duket sikur dëgjon një melodi të largët. Një përzierje e tingujve që vijnë nga thellësia e kohës dhe nga gjallëria e së tashmes. Një qytet që di të dëgjojë, por edhe të këndojë.