Live Stories from Prishtina

LIVE

20 Prill, 2025

“Kujtimet më të ëmbla nuk i kemi nga fjalët, por nga shijet që na gjejnë kur s’i presim.”

Nëse nisesh për një udhëtim nëpër Shqipëri, merr me vete një valixhe të lehtë dhe preki frekuencat që të shoqërojnë, kryesisht ato të Paper Play Radio. Sepse ka vende që nuk duhen parë vetëm me sy, por duhen shijuar ngadalë, kafshatë pas kafshate.

A të ndodh që kur shkon nëpër vizita, e ndjenë nevojën ta kesh pranë një person, që di pak për vendin, për historinë, për ushqimin, për pjesët që vlen të vizitohen etj. Unë e kam babin, ky ka qëlluar edhe i dashuruar pas ushqimit edhe pas historisë. Nganjëherë për ushqim nuk i besoj në vlerësimin e gjithçkaje (sepse preferon çka të ka përpara), por me ato që ka sugjeruar dhe që kam provuar, ja një rrugëtim me ushqimet më të shijshme në Shqipëri. (hint: pa renditje vendesh, vetëm ajo çka na shkon n’mendje)

Trahan në mëngjes!

Në juglindje, diku në Korçë a në ndonjë fshat të vogël përtej, kur mëngjesi bie mbi çatitë me gurë, shërbehet trahana. E thjeshtë, e trashë, me pak kos sipër, por me një fuqi magjike për të ngrohur stomakun dhe zemrën.

Në sfond dëgjon, ndoshta një tregim të Petrit Çarkaxhiut për qytetet antike, ose një tingull i lehtë nga bota dhe për pak çaste harron gjithçka përveç aromës së miellit dhe historisë që të vjen përmes zërit.

Dreko me tavë të Elbasanit!

Më pas, ndalesh në Elbasan. Në ndonjë restorant të fshehur në rrugicat e vjetra, tava nuk të vjen në pjatë ajo të vjen në tavë dheu. Mish qengji që shkrihet e shkapërderdhet si gjalpë, kos i pjekur që ka zënë ngjyrë të artë dhe një shije që të kujton një drekë të fëmijërisë që nuk e kishe ditur se e kishe humbur.

Në radio, po luan një këngë e vjetër shqiptare nga “Andrra e qytetit tim”, nga Uran Haxha.

Akullore në Sarandë!

Në mbrëmje, në jug, je në Sarandë. Bulevardi përgjatë detit të ofron akullore me shije fiku, arrë kokosi, apo thjesht vanilje. E merr një topth në dorë, ulesh buzë detit, dhe Paper Play Radio po flet për diçka krejt tjetër – për një ndjesi, për një vend, për një kujtim që të zgjon, po dëgjon Anilen me emisionin “Fije jete”.

Kjo është bukuria e radios: të flet përbrenda, edhe kur ti je krejt i qetë jashtë.

Peshku me presh!

Në ndonjë restorant familjar në Vlorë, apo në ndonjë fshat mes Jonit dhe malit, të ofrojnë një pjatë të rrallë: peshk i freskët i zier ngadalë me presh dhe vaj ulliri. Është një martesë e vjetër mes tokës dhe detit, që vetëm Shqipëria di ta bëjë me aq pak fjalë.

Paper Play Radio është ende aty, “n’mes t’ditës”, me Erëzen e Suadën sepse ka ardhur koha që t’mos shkëputesh tërësisht, por të informohesh, thjeshtë, mirë dhe në kohë.

Shqipëria që gatuan bukur,
përshëndetje nga udhëtimi, nga shijet, nga tingujt. Me dashuri – Paper Play Radio.