Live Stories from Prishtina

LIVE

24 Prill, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Mos u mbështet në valët e motivimit, sepse ato vijnë dhe ikin. Ndërto varkën tënde me zakone të vogla, por të qëndrueshme, që të mbajnë në lëvizje edhe kur motivimi mungon. Vetëm zakonet e forta të çojnë përtej stuhive të pasigurisë.

***
Po e nisë me një koment: nuk e di sa ja vlen me tregu që konstituimi i Kuvendit ka dështuar, sepse më duket sikur as nuk përbën lajm më – përbën trishtim.

Edhe kësaj radhe, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar emrin e deputetes Albulena Haxhiu për postin e kryetares së Kuvendit, me gjithë qëndrimet kundër votimit të saj të shprehura më herët nga përfaqësues të partive që në legjislaturën e shkuar kanë qenë në opozitë. Zgjedhja e Haxhiut ka dështuar edhe në votimin e tretë, pasi ajo nuk ka marrë asnjë votë më tepër sesa në dy tentimet e mëhershme.

Votë pro Haxhiut kanë dhënë 57 deputetë, 46 kanë votuar kundër, ndërsa 3 kanë abstenuar.

Propozimi i Haxhiut ka rezultuar me dështim në miratim në tri seancat e fundit, më 19, 21 dhe 23 prill.

Për opozitën, emri i Haxhiut nuk është unifikues. Pse, po të ishte dikush tjetër, do ta votonin? Se entuziazmi për Bogujevcin dhe Selimin iku…

***
Dje, grupi i Lëvizjes Vetëvendosje bëri të ditur se nuk do të marrë pjesë në seancën e Kuvendit Komunal të Prishtinës të enjten, ku pikë e rendit të ditës do të jetë Plani Zhvillimor Komunal. Në një reagim, LVV-ja ka thënë se ky plan është i paligjshëm.

Ky grup u ka bërë thirrje asamblistëve të subjekteve të tjera politike që ta bojkotojnë mbledhjen e së enjtes, që “të mos e legjitimojnë me praninë e tyre një dokument që rrezikon të kthehet në pasojë për të ardhmen e qytetit”.

Sipas LVV-së, ky është një proces joligjor, joprofesional dhe i dëmshëm për Prishtinën.

***
Në deklarimin e pasurisë për vitin 2025, në uebfaqen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, ish-kryeministri dhe deputeti aktual, Albin Kurti, ka deklaruar se është pasuruar për 300 euro më shumë se vitin paraprak. Teksa ka deklaruar se ende jeton me qira mujore prej 250 eurosh.

***
Gazetarët kanë bojkotuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke lëshuar mikrofonat dhe kamerat në tokë.

Kjo situatë ndodhi derisa Kurti ishte duke dalë nga Kuvendi, ku edhe dështoi të zgjidhej kryeparlamentarja Albulena Haxhiu.

Kurti, në seancat e mëhershme, është pyetur nga gazetarët rreth konstituimit të Kuvendit, por ai kishte refuzuar të përgjigjet.

***
Bendi i famshëm Saziso, që bën muzikë të bukur nga jugu i Shqipërisë, ka koncert në Prishtinë. Ju ftojmë me shku me u kënaqë më 26 prill – nëse doni, mund t’i shikoni biletat në Rave Travel.

***
Ti je ajo që mendon
, sepse çdo mendim që mbjellë sot është një zgjedhje që formëson kush do të jesh nesër. Mendimet nuk janë vetëm fjalë në mendje – janë gurthemeli i realitetit tënd. Prandaj, ushqeje veten me mendime që ndërtojnë, jo që rrënojnë.