Dje n’Kosovë
1 Maj, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
I dashur lexues, dje ishte dita e fundit e muajit prill, shpresoj që je rikuperuar nga ajo që të ka lënduar dhe që la shenja në nënvetëdijën tënde pa e vënë ti re. Teksa uroj që maji të jetë muaji që ti shpërthen duke lulëzuar në atë që është e shkruar të jesh!
Çka ndodhi dje n’Kosovë?
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka pranuar ofertën e Albin Kurtit të Lëvizjes Vetëvendosje, për takim, për sot nga ora 8;30, një orë e gjysmë para fillimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
“Duke besuar thellësisht se Republika e Kosovës ka nevojë urgjente për zhbllokim institucional dhe për rikthimin e funksionimit të rregullt të institucionit më të lartë legjislativ, si dhe për t’i hapur rrugë afateve kushtetuese për themelimin e Qeverisë, do t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese për takim” – ka thënë Krasniqi.
Tash u kry ajo pjesa e inatit a? Njëherë kishe ke puna: “a po i vyjmë ne atij, a ai neve?”
E ftesën fuqishëm po e refuzon LDK-ja, të cilës poashtu i ka dëguar ftesë LVV-ja.
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, tha se kjo parti nuk do ta mbështesë asnjë anëtar të LVV-së për pozitën e kryetarit të Kuvendit, pasi zgjedhja e personit në krye të këtij institucioni kërkon “marrëveshje politike”, të cilën, tha ajo, nuk mund ta bëjnë me LDK-në.
Hajde veç qarkulloni aman! Çkado që janë fjaltë, “i shkoj, e thirri, i ka hangër fjaltë e veta…” etj,etj, që krejt kemi me i thanë, prap e dimë që zgjidhja është tek marrëveshjet ndërpartiake.
***
Nuk ka nevojë për shumë sy e analiza për me t’ra në sy, “lufta pa kuptim” e qeverisë dhe ministrisë së Kulturës me kryeqytetin.
Kryetari i Prishtinës Përparim Rama, në emisionin Pressing në T7 ka thënë se ishin në Greqi me Kurtin, kur ky i fundit i ka thënë se nëse vjen “me neve” nuk do të kesh probleme për projektet. Sipas Ramës, Kurti ia ka thënë këtë drejtpërdrejt dhe se Rama i është përgjigjur, “kush janë neve”.
Kurti sipas tij nuk sheh Kosovë e Shqipëri pa Vetëvendosje.
“Albin Kurti më ka thënë eja me neve edhe nuk ka problem për projekte. S’je me neve, atëherë kemi me t’i blloku krejt projektet. Më ka thënë personalisht, kemi qenë në Greqi kur erdhi si kryeministër deshti t’i prezantonte projektin për Lojërat Mesdhetare. Aty i thash kryeministër ne e kemi një projekt madhor për vendin, për kryeqytetin e gjithë Kosovën, ne duhet me bashkëpunu. Tha, eja me neve nuk ka problem. Çka me i thanë, i thash po me neve jam, kush janë neve, populli është. Albin Kurti nuk sheh, Kosovë, Shqipëri, shqiptari përtej Vetëvendosjes”!
***
Çysh bre kafeja 2 euro, s’pritshi bile pak, mezi s’paskeni pritur.
Pasi u shpërndanë fotot e kuponave fiskal ku makiato në disa vende të Prishtinës rezultoi me çmim 2 euro, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka reaguar menjëherë ndaj paralajmërimeve të shtrenjëtimit!
Përmes një komunikate për media, ky institucion ka bërë me dije se ka intensifikuar aktivitetet e tij për monitorimin e tregut.
Me vendimin për masa të përkohshme, Autoriteti urdhëron ndërmarrjen të ndalojë një veprim të caktuar ose të zbatojë masa, kushte dhe afate për të eliminuar efektet e dëmshme në konkurrencën në treg. Masat e përkohshme zgjasin deri në gjashtë (6) muaj. Autoriteti mund të zgjasë kohëzgjatjen e tyre nëse kjo është e domosdoshme”, është thënë në komunikatën për media.
***
Sa për fund i dashur lexues, është një ndër shumë faktet e çuditshme njerëzore që ti asnjëherë nuk do ta dish sa herë dikush për pak nuk të thirri, për pak të dërgoi një mesazh, për pak nuk u kthye që ta thërras emrin, sa “mirë u pafshim” nuk u thanë, e sa ndjenja nuk u rrëfyen. Koha është “asgjë” deri sa nuk përjetojmë diçka që ta ndalë frymën.