Dje n’Kosovë
2 Maj, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
I dashur lexues, në jetë, gjithmonë do të kemi njerëz që me një fjalë, një buzëqeshje apo thjeshtë me praninë e tyre, e mbushin dhomën me dritë. E pastaj ka edhe të tjerë, që me largimin e tyre, e lirojnë ajrin. Të dy llojet na mësojnë diçka për jetën.
Votimi i fshehtë është i paraparë për seancat plenare – seanca të rregullta pune gjatë gjithë mandatit të Kuvendit. Por seanca konstituive, ndryshe nga këto, është seanca themeluese e Kuvendit pas zgjedhjeve, me një rend dite të paracaktuar dhe me rregulla që nuk mund të ndryshohen gjatë zhvillimit të saj. Atëherë, si është e mundur që kërkohet votim i fshehtë?
Konstituimi i Kuvendit ka dështuar për herën e nëntë dje (të enjten). Partia që mori më së shumti vota në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ka tentuar të aplikojë votimin e fshehtë. Por partitë që deri tani kanë qenë në opozitë nuk kanë votuar as për themelimin e komisionit zgjedhor, i cili do ta mbikëqyrte këtë procedurë.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, deputet i LVV-së, është thirrur në një aktgjykim të vitit 2014 të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit votimi mund të bëhet edhe i fshehtë. Më pas, ai ka ftuar subjektet politike të nominojnë anëtarët e tyre për formimin e një komisioni.
***
Takimi konsultativ që Kurti mbajti para mbledhjes me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi – që ky i fundit e pranoi për të dëshmuar se partia e tij nuk i frikësohet “takimeve dhe zgjidhjeve të mundshme kur Kosova është në krizë” – nuk solli asnjë rezultat konkret.
“Kurtit i thashë se është mirë të propozojë tjetër kandidat. Ne jemi të interesuar ta zhbllokojmë situatën. Nuk japim propozime – i takon atij ta bëjë këtë. Nuk besoj se ka ndryshuar ndonjë gjë, as pas takimit,” tha Krasniqi.
Në Stamboll, qindra rrugë u bllokuan dhe shumë persona u arrestuan gjatë protestave për 1 Majin – Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve. Në shumë qytete të botës u protestua për të drejta themelore dhe legjitime.
Ndërsa në Kosovë, ku problemet janë reale: pasiguria në punë, puna jashtë orarit pa pagesë, çmime të larta me paga minimale, dhe rritje e çmimit të energjisë – prap me paga minimale – në protestën e mbajtur dje, pjesëmarrësit mund të numëroheshin me gishta.
Paga mesatare bruto në Kosovë, sipas të dhënave të fundit nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), është 702 euro. Sektori privat është punëdhënësi më i madh, me mbi 300 mijë të punësuar.
Qeveria dhe Kuvendi kanë dështuar të ndërmarrin veprime të duhura në fushën sociale, përfshirë miratimin dhe zbatimin e ligjeve përkatëse.
***
Interesimi i lartë për koncertin e fundit, veçanërisht për muzikën jazz, tregonte se pritej një artiste ose artist i nivelit të lartë. Dhe të mërkurën mbrëma, në fakt, qenë të dy: një pianiste jazz-i me përvojë të madhe dhe një yll në ngritje.
Aziza Mustafa Zadeh manifeston qetësinë e një artisteje që jo vetëm dëshiron të dëgjohet, por edhe të dëgjojë. Me të njëjtën qetësi që e ka shoqëruar gjatë gjithë mbrëmjes, ajo u ul përballë pianos.
Në kuadër të “Mitrovica International Jazz Days,” Aziza performoi në Prishtinë bashkë me të birin, Ramiz Khan. Në repertor, ajo përfshiu edhe vepra të babait të saj, Vaqif Mustafa Zadeh.
***
“Përvoja është emri që u japim gabimeve tona.” Ndoshta e përdorim si arsyetim, por sa herë që gabojmë, mësojmë. Sa herë që mësojmë, rritemi. Në fund, e quajmë “përvojë”, por e dimë mirë: është historia e plagëve tona që tashmë nuk dhembin më.