Dje n’Kosovë
4 Maj, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Ka një lloj dashurie që ngjan me heroizëm të heshtur. Njerëz që japin, japin, japin dhe harrojnë veten. Njerëz që përkujdesen për të gjithë, por që nuk kujtohen as të ushqehen siç duhet, të flenë mjaftueshëm, të qajnë kur duhet, të ndalojnë kur janë të lodhur. Njerëz që mendojnë se vetëm duke sakrifikuar veten dinë të duan siç duhet.
Çka ndodhi dje në Kosovë?
Sërish as dje, për herë të dhjetë, nuk ka kaluar propozimi i VV-së që kryetari i Kuvendit të zgjidhet me votë të fshehtë.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka thënë se vetëm 54 deputetë kanë votuar pro këtij propozimi. Kundër ishte një deputet, ndërsa nuk kishte asnjë abstenim. Pas dështimit të këtij votimi, Dehari e ka ndërprerë seancën.
PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja nuk kanë marrë fare pjesë në këtë votim, sipas zyrtarëve.
***
Këto janë pyetjet që ngrihen tani:
A ka fituesi relativ i zgjedhjeve të 9 shkurtit të drejtën të propozojë çdo dyzet e tetë orë, pa kufi, kandidatin e njëjtë për kryetar të Kuvendit?
Nëse po, atëherë cili është roli i deputetëve dhe i grupeve parlamentare që nuk janë fitues relativë të zgjedhjeve të 9 shkurtit?
Nëse jo, sa herë ka të drejtë partia fituese relative të propozojë kandidatin e njëjtë dhe në çfarë afati kohor kjo e drejtë shuhet dhe kalon te të tjerët?
Dhe, a i di mirë pushteti aktual përgjigjet për të gjitha këto pyetje? Apo vetëm do ta luajë lojën?
***
Në tetë vjetët e shkuar, Kosova ka humbur mbi 756 milionë metra kub ujë. Vetëm vitin e shkuar, sipas një raporti të Agjencisë së Statistikave, janë humbur mbi 124 milionë metra kub ujë — 12.22 për qind më shumë se më 2023. E ndër shkaktarët kryesorë të kësaj, ekspertët e fushës i numëruan rrjedhjet në rrjetin e vjetër të gypave, si dhe kyçjet ilegale në rrjet.
Sipas Agon Demit, drejtor i Institutit “Atlas”, i cili kishte folur për koha.net-in, humbjet e evidentuara mund të barasvlerësohen me gjithë kapacitetin e Liqenit të Radoniqit.
Sa vite kanë kaluar pas luftës, e ne ende nuk e posedojmë një sistem të mirëfilltë që e menaxhon si duhet rrjedhën e ujit dhe furnizimin me ujë.
A e ka shkaktuar këtë “tollovi” gjithë ky ndërtim i lartë — lokale ose depo të ndërtuara pa dokumentacion të rregullt — të cilat përfundojnë me lidhje në ujësjellës pa kontroll teknik, duke rezultuar në keqpërdorim dhe humbje?
Kur bëjnë këso lëshime, a mendojnë për të ardhmen, apo kanë korniza që nuk i lejojnë të shohin përtej? Me një logjikë të thjeshtë: a e mendojnë se uji që shpërndahet por nuk matet e nuk faturohet, quhet ujë i humbur, i cili pastaj na çon në një dëm të drejtpërdrejtë financiar për ndërmarrjet publike?
ngritje tarifash për konsumatorët e rregullt?
mungesë investimesh për zgjerim dhe modernizim të rrjetit?
Qoftë hajër për këtë vend!
***
Fjalët mund të jenë ngushëllim për këdo që po kalon një stuhi të brendshme. Ka fjalë që njerëzit i thonë për të qetësuar të tjerët. Ka fjalë që i thonë për të mbajtur veten në një copë. Dhe ka fjalë që janë një përpjekje për të bërë të dyja njëherësh.