Rreth e Rrotull
5 Maj, 2025
A ke pasur ndonjëherë ndjesinë që njerëzit të gjykojnë vetëm nga ajo që bën në jetë? Që puna jote apo mungesa e saj i mbivendoset gjithmonë asaj që ti je? Po flasim për fenomenin, ankthi i statusit (status anxiety).
Filozofi Alain de Botton e përshkruan këtë ndjesi si një shqetësim që na gërryen ngadalë, një ndjenjë që nuk je “mjaftueshëm” sepse nuk je dikush “me emër”, ajo nuk paraqitet me dhimbje fizike, por ngadalë ta minon vetëbesimin, marrëdhëniet dhe qasjen ndaj vetes dhe të tjerëve.
Dhe si ndodh kjo?
Thjeshtë: Sa përfundon shkollën, bota nis të të pyes: “Çfarë pune bën?”
Dhe përgjigja jote, jo karakteri yt, jo ëndrrat apo mirësia bëhet mënyra se si të tjerët vendosin nëse do të të dëgjojnë apo do të të shmangen.
“Jetojmë në një botë me snobë modernë”, thotë De Botton, në një video shpjeguese “What are you worth? Getting past status anxiety”!
“Snobi i ditëve tona nuk është më ai që mburret me pasurinë. Sot, snobi është ai që të gjykon nga profesioni. Në vend që të shohë njeriun para vetes, ai sheh vetëm një “kartëvizitë”. Dhe ky është një problem i madh sepse ajo që shkruhet në një titull pune nuk përfaqëson kush je ti me të vërtetë.”
Ama a mund të thuhet se kjo është çka shkakton kapitalizmi? (Një sistem ekonomik dhe politik në të cilin tregtia dhe industria e një vendi kontrollohen nga pronarët privat për fitim.)
Shumica prej nesh kanë brenda vetes ndjenja, aftësi dhe histori që nuk pasqyrohen kurrë në CV. Por sistemi në të cilin jetojmë, kapitalizmi, vlerëson vetëm rezultatet e dukshme: para, famë, tituj. Ndërsa ajo që na bën vërtet të veçantë, si imagjinata, butësia, mendimet e thella shpesh mbeten të padukshme.
Çfarë na duhet përballë kësaj bote?
De Botton thotë se na duhet dashuri. Por jo në kuptimin romantik, dashuri si imagjinatë dhe dëshirë për të parë më thellë. Sepse shumë njerëz që në pamje të parë duken të zakonshëm, në të vërtetë kanë një botë të brendshme, të pa eksploruar. Atyre u duhet më shumë se 30 sekonda për t’u kuptuar.
Fatkeqësisht, bota moderne nuk na jep më shumë kohë.
Në shumë vende, sidomos në qytete të mëdha, (shumë më shumë kryeqytete) nëse nuk dukesh “i suksesshëm” në pak sekonda, njerëzit thjeshtë ecin më tej dhe kjo i bën shumë prej nesh të ndihen bosh, të pavlerë, të pafuqishëm përballë një bote, e cila nuk sheh përtej sipërfaqes.
A ke zgjidhje?
Zgjidhja nuk është e thjeshtë, por nis me një ndryshim në mendje: të kuptosh se nuk je vetëm puna jote. Se vlera jote nuk matet me atë që ke arritur, por me atë që përfaqëson si njeri dhe që të kuptosh plotësisht dikë, përfshirë edhe veten kërkon kohë, durim dhe zemër të hapur.
Në fund të fundit, secili nga ne ka një histori më të madhe për të treguar sesa ajo që shkruhet në një kartëvizitë.
Status Anxiety, është një libër i publikuar në vitin 2004, që analizon një nga dhimbjet më të përhapura (por shpesh të fshehura) të kohës moderne: ndjenjën se nuk jemi “mjaftueshëm të suksesshëm” në sytë e të tjerëve. De Botton argumenton se në shoqëritë perëndimore, vlera e një njeriu matet gjithnjë e më shumë sipas statusit shoqëror, dhe sidomos, sipas profesionit dhe pasurisë.