Dje n’Kosovë
6 Maj, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Të gjithë kanë një mënyrë të vetën për t’u dorëzuar njëherë në jetë. Disa e tregojnë kur heqin dorë nga të veshurit me rregull përherë, disa humbin dëshirat, disa braktisin shkollën, disa harrojnë qëndrimin ose mbështeten te muzika e trishtuar. Disa të tjerë ndalojnë së fotografuari, apo së dashuruari. E vërteta është se të gjithë kalojnë diçka që ti nuk e di, andaj tregohu i sjellshëm!
Ka raste kur fjala e dhënë zgjatë më pak se një status në rrjetet sociale. Politikanët tanë, si të gjithë ata në botë, shpesh sillen sikur mendimet e tyre janë versionet të përkohshme, testuese dhe gjithmonë të gatshme për t’u përditësuar. Por u del nga mendja që në jetën e vërtetë nuk ka butone “undo”.
Sot, le ta hapim këtë artikull me një shije ironie dhe një pyetje të thjeshtë: kush nga ta do të përmirësohej ndjeshëm… po të mos hante fjalët e veta?
Dje në mëngjes, deputeti Albin Kurti dhe kryetari i Vetëvendosjes, i dërgoi letër, LDKYHIT, për mundësi të dialogimit dhe bashkëpunimit për të zgjedhur ngërçin politik në Kosovë.
Në letrën e dërguar të hënën, Kurti ka shkruar se votuesit e LVV-së dhe LDK-së e preferojnë koalicionin mes këtyre dy partive. Abdixhiku ka thënë se LDK-ja do t’i përgjigjet ftesës me seriozitetin që meriton, teksa disa orë më vonë ka thënë: “Ju e dini qëndrimin e LDK-së”!
Teksa ka kërkuar edhe ta trajtojnë letrën e Kurtit, pa arrogancë.
Agim Bahtiri, deputet nga rradhët e Vetëvendosjes, e ndjeu nevojën për të reaguar dhe të ka folur për rëndësinë jetike mes këtyre dy partive.
“Republika e Kosovës nuk ka luksin të rrotullohet në një cikël pafund zgjedhjesh. Ne kemi procese të papërfunduara, na presin negociatat me Serbinë, sfida jetike përpara dhe një moment historik që kërkon lidership dhe bashkëpunim. Një marrëveshje e mundshme LVV–LDK nuk është kompromis i dobësisë, por një marrëveshje e mençurisë — një akt përgjegjësie për të ndërtuar institucione të forta dhe për t’i dhënë fund ngërçit politik”.
***
Ti lexues, a mendon se ekziston një mundësi për koalicion ndërmjet LVV-së me këdo tjetër prej opozitës? Diskutimet dhe bashkëpunimet bëhen më të vështira kur dihet që në pazare përfshihet edhe roli i presidentit.
Për që kurgjo nuk bëhet pa konstituim të Kuvendit e zgjedhje të kryekuvendarit e kuptuam, po qe nuk po zgjedhet, nuk po arrihet një marrëveshje, tek kush është zgjidhja, a vazhdon me këso propozime deri në infinit? A deri sa t’i thërrasin mendjes vetë politikanët tanë, a duhet ta merr dikush n’dorë këtë punë?
***
Tash e dy ditë rruga Agim Ramadani, ka qenë e bllokuar për shkak të punimeve në këtë rrugë ku edhe janë krijuar “yellow boxes”.
“Këto kutia të verdha, obligojnë të gjithë shoferët që të mos hyjnë në këtë zonë nëse nuk kanë hapësirë të mjaftueshme për të përfunduar kalimin e udhëkryqit! Të shmangin çdo ndalim brenda kësaj zone, me qëllim të mos bllokohet trafiku! Shkelësit e këtij rregulli do të ndëshkohen me gjoba deri në 80 euro”, thuhet në postimin e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.
***
Sot, me 6 maj, Galeria Qahili (në Veternik) shënon 12 vjet krijimtari, me një festë të veçantë që bashkon artin, muzikën dhe shoqninë e mirë artistike. Galeria ju fton me qenë pjesë e kësaj ngjarjeje ku ka me u prezantu koleksioni i Galerisë Qahili, i shoqërum me muzikë, koktej, punëtori dhe atmosferë të lezetshme. Tema e ekspozitës për këtë manifestim të hareshëm është “Toka”.
***
Çka është 11-shi, kur punën nuk e kryen as 10-shi. Dje dështoi edhe seanca e 11-të e konstituimit të Kuvendit.
Njerëzit nuk janë gjithmonë gati ta dëgjojnë të vërtetën. Ajo prish rehatinë, lëkund bindjet, dhe hedh dritë atje ku më mirë mbahet terri. Prandaj, nëse duhet ta thuash, thuaje me humor. Qeshu bashkë me ta. Bëje që e vërteta të ngjajë si një shaka, jo ngaqë nuk është serioze, por sepse është më e lehtë për t’u përtypur kur mbështillet me të qeshurën. Në këtë botë, shpeshherë mbijetojnë jo ata që kanë të drejtë, por ata që dinë si ta thonë të drejtën pa u bërë armiq me të gjithë.