Dje n’Kosovë
7 Maj, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
“Nuk e di” nuk është mungesë ambicieje, është sinqeritet. Është hapësirë për të provuar, për të gabuar, për të ndryshuar mendje. Sepse jeta nuk është një drejtim i vetëm me një destinacion të fiksuar, por një hartë e hapur që i përgjigjet pyetjes: “Kush po bëhem?” më shumë se “Çfarë dua të jem?”.
“Zemër guri!” Lexues po e mbanë mend që kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka ndërmarrë një hap për të tejkaluar krizën politike, duke i dërguar një letër kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Në letër, Kurti e shprehte qartë gatishmërinë e Vetëvendosjes për të ndërtuar një koalicion me LDK-në, duke e cilësuar këtë si mënyrën më të mirë për të garantuar stabilitet institucional dhe funksionim të qeverisjes.
E LDK-ja, dje nuk është që doli nga qëndrimet origjinale, po erdhi me një propozim që e shohin si zgjedhje – propozimi për një Qeveri Nacionale të Tranzicionit.
Pra propozuan, që “Qeveria Nacionale e Tranzicionit, e formuar nga të gjitha partitë shqiptare dhe, në përputhje me dispozitat kushtetuese, edhe nga përfaqësues të partive të komuniteteve joshumicë, do të ketë afat të caktuar (deri në procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri), qëllime të qarta politike dhe ekzekutive, program dhe agjendë ekzekutive të dakorduar, si dhe kryeministër dhe kabinet përfaqësues dhe unifikues”.
S’kanë faj, numrat janë argumente të ngurta. Shumicën nuk po arrinë ta bëjë LVV-ja, por as të tjerët nuk e kanë, kështuqë një marrëveshje politike duhet me u ndërmarrë.
Disa prej anëtarëve të kësaj partie ju është dukur edhe si “zgjidhja e Nyjës së Gordianit”, teksa ekspertë të fushës e konsideruan si “nxjerrje e Kosovës nga polarizimi ekstrem”, mandej ish-ministrja Emilja Rexhepi, e akuzoi këtë parti se kërkoi qeveri pa komunitetet pakicë.
Meqenëse qeveri konkrete bash ama bash për shkak të pozitës së presidentes s’po kemi, bile le të kemi deri në zgjedhje të këtij posti, diçka kalimtare, që nuk lejon me ik fonde e punë të rëndësishme. Çysh ka thënë edhe i madhi i LVV-së, Agim Bahtiri, “përpara kemi sfida me rëndësi si dialogu me Serbinë”.
***
Një ngjarje tragjike, e ka përshkruar ditën e djeshme, për motive të cilat ende janë të pa njohura.
Brenda një familjeje në Prizren, babai i ka marrë jetën vajzës së tij 15-vjeçare dhe ka lënë të plagosur vajzën tjetër 10-vjeçare. Sipas autoriteteve i dyshuari është shtetas i Turqisë dhe që prej 6 muajsh u vendos në Kosovë.
Zbardhje e plotë me ndëshkim maksimal do të ishin veprimet ideale në këtë moment edhe pse ky është minimumi që kërkon drejtësia në këtë rast. Por drejtësia pas tragjedisë nuk mjafton!
Pas rastit kanë reaguar presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe ish ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu.
***
“DokuFesti”, “Anibari” e “ReMusica” nga Kosova u janë bashkuar mbi 100 ngjarjeve më të mëdha evropiane nga 40 vende të ndryshme. Në Samitin e Festivaleve të Artit, një prej ngjarjeve kyçe në Asociacionin e Festivaleve Evropiane, është marrë vendimi që këto festivale me ndikim në skenën kulturore të vendit t’i bashkohen kësaj familjeje të rëndësishme. Festivaleve u hapen dyert për bashkëpunime e shkëmbime artistike në organizatën prestigjioze në kontinent e më gjerë.
***
Heshtja ka shumë forma. Ka heshtje në natyrë, heshtje në dhoma të zbrazëta, heshtje që na qetëson ose që na ngushëllon. Por ka edhe një lloj tjetër, ajo që vjen nga brenda nesh, që na e kujton se më e rëndë se çdo zhurmë mungese është heshtja që vetë e krijojmë, ajo që lind nga fjalët që nuk i themi, nga ndjenjat që i shtypim, nga mendimet që na gërryejnë por që nuk arrijnë kurrë të dalin në dritë.