Live Stories from Prishtina

LIVE

8 Maj, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Në këtë jetë, ndoshta s’ka dalje të përhershme. Por ka momente pushimi. Ka çaste ku zëri i mendjes heshtë dhe dëgjon zërin tënd. Dhe aty nisë shërimi. Mendja di të jetë burg dhe strehë njëkohësisht.

Kur politika bllokohet dhe mendja lodhet, si ta gjejmë zërin për të ndryshuar realitetin?

Çka ndodhi dje në Kosovë?

Kur tymi i zi doli mbrëmë nga oxhaku i Kapelës Sistine, që do të thotë se kardinalët nuk kanë qenë në gjendje të zgjedhin një papë të ri, sikur diçka pa dashje më thotë: a ka situata si të Kosovës edhe në Vatikan?

Për herë të 12-të ka dështuar konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

Në këtë pikë, e gjitha çka mund të them është se kjo bllokadë nuk ka të bëjë me çështje teknike apo procedurale — është bllokadë në mendjen e të përzgjedhurve të popullit, bllokadë në gjykimin e tyre. Është një dështim total i politikës kosovare. Nuk ka as ide, as çështje morale se si të tejkalohet kjo krizë dhe të sillet në përputhje me përgjegjësinë që vjen me besimin e qytetarëve.

***

Për shembull, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka theksuar se partia e tij nuk do të marrë pjesë në tryezën për krijimin e një qeverie tranzicioni që përfshin Lëvizjen Vetëvendosje, duke iu referuar përpjekjeve të tjera të partive opozitare për të negociuar me Albin Kurtin.

Haradinaj tha se AAK-ja është e hapur për komunikim me opozitën dhe mbështet bashkëpunimin opozitar, por pa krijuar “ura” me LVV-në.

Po ashtu, zor se e japin votën, nëse Fatmir Limaj propozohet si kryetar Kuvendi nga LVV-ja.

***

Në të njëjtën kohë, LDK-ja ka njoftuar se sot në orën 13:15 do të dorëzojë kallëzim penal për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe tejkalim të autorizimeve ndaj ish-kryeministrit Kurti dhe ish-ministrave, të rizgjedhur tashmë si deputetë.

***

Ndërkohë, deputetët e Parlamentit Evropian kanë miratuar një raport për Kosovën që inkurajon vendin të bëjë reforma për të ecur drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Por, gjithashtu, raporti kërkon që Prishtina dhe Beogradi të hapin një kapitull të ri në bisedimet për normalizim.

Parlamenti Evropian u ka kërkuar të dyja palëve të zbatojnë marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, dhe që Serbia të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata rajonale dhe ndërkombëtare.

Me kon se?

***

Në një vend që shpesh është i mbushur me dyshime dhe sfida, ne kemi nevojë të besojmë te vetja, te njëri-tjetri dhe te mundësitë për të krijuar një të ardhme më të mirë. Çdo ngjarje, sado e vogël apo e madhe, është një mundësi për të mësuar, për të reflektuar dhe për të mos harruar kurrë fuqinë që kemi për të ndryshuar realitetin tonë.