N’Kosovë
10 Maj, 2025
Për rastin tragjik që ka ndodhur dje në Prishtinë!
Të premtën, më 9 maj 2025, përballë një ngjarjeje tragjike që ka tronditur Prishtinën, disa media vendosën të hedhin poshtë çdo normë etike, çdo parim të gazetarisë së ndershme dhe çdo ndjeshmëri njerëzore. Në vend të raportimit të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm, pamë një garë të pështirë për klikime e vëmendje.
Njëra prej mediave publikoi adresën e saktë të vendit ku ndodhi ngjarja: rrugën, lagjen, hyrjen, madje edhe qëndresën, me qira/a pa qira. Një tjetër transmetoi drejtpërdrejt tërheqjen e trupit të pajetë, pa asnjë filtër, pa asnjë ndalesë, pa asnjë ndjeshmëri ndaj atyre që mund ta shikojnë, familjarët e ngushtë që ndoshta nuk kanë dëgjuar ende rastin, shokë/shoqe që sapo kanë takuar dhe tani dëgjojnë për çfarë ju ka ndodhur.
E mbi të gjitha, pa asnjë respekt për jetën që u shua dhe për familjarët që vuajnë.
Këto nuk janë lajme që i shërbejnë interesit publik. Këto janë spektakle dhimbjeje që ushqehen me tragjedi. Janë forma të shfrytëzimit emocional që shkelin mbi dhimbjen e tjetrit për të grumbulluar shikime e komente. Ato nuk respektojnë as minimumin e standardeve të etikës në gazetari që përfshijnë kujdesin për privatësinë, ndjeshmërinë në raportim dhe shmangien e detajeve që mund të rrisin traumën kolektive.
Në vend që të informojnë, këto raportime trishtojnë, tmerrojnë dhe ndotin hapësirën publike me sensacionalizëm. Në vend që të ngrenë vetëdijen, ato e ulin vlerën e profesionit të gazetarit dhe e kthejnë median në një tribunë të pashpirt për përfitime të shpejta.
Gazetaria nuk është objektiv i thjeshtë për ndjekje, por një përgjegjësi e rëndë. Kur ajo tradhëtohet për hir të vëmendjes, të gjithë humbim sidomos shoqëria që meriton të informohet, jo të shokohet.
Duhet të ndalet kjo çmenduri. Të vendoset një vijë e kuqe. Të rikthehet dinjiteti i profesionit. Dhe të mos harrojmë kurrë: përpara se të jetë lajm, çdo ngjarje e tillë lajmore është një jetë njerëzore.