I dashur lexues, nëse ndonjëherë harron se sa i veçantë je, vetëm kujtoje faktin se çdo frut që ha ose je duke ngrënë, është bërë për ty që nga momenti që i është mbjellur fara. Prej asaj shegës që rritet në Iran, avokados që është rritur në Meksikë, asaj që njihet si qepa kineze e na e njohim si kivi. Kur frutat e gjejnë rrugën për tek ti, gjithçka tjetër e gjenë.
***
Çka ndodhi dje në Kosovë?
Nganjëherë njeriu nuk di si t’i qaset disa çështjeve, për shkak të ndjeshmërisë që bartin dhe për faktin që rrethanat që sollën situatat e caktuara nuk dihen saktë, por janë disa situata të cilat nuk arsyetohen asesi.
As fjalia që “gjëra të tilla ndodhin çdokund”, nuk e normalizon dhe nuk nënkupton që nëse ka ndodhur dikur, dikur, ndonjëherë duhet të vazhdoj tutje.
Dje në lagjen “Mati”, në rrugën “Butofci”, pranë deponisë së mbeturinave, një qytetar ka gjetur një foshnje, e cila dyshohet të kishte ndërruar jetë në një qese të zezë.
Ky fëmijë nuk arriti të marrë frymë, të qajë, të qeshë. Por historia e tij mund të bëhet shkëndijë për të mbrojtur ata që janë ende në rrezik.
A kemi ndërtuar një vend ku është më e lehtë të braktisësh se të kërkosh ndihmë? A kemi sistem social që e kap sinjalin para se të bëhet tragjedi? Çfarë duhet të bëjmë për personat që nuk kanë ndihmë dhe që nuk njohin përgjegjësitë morale?
Një gjë është më se e ditur, ai fëmijë nuk duhej të përfundonte aty!
***
Konflikti ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi” ka eskaluar gjatë vitit 2024 dhe në fillim të vitit 2025, e tek tash i është kujtuar Prokurorisë Themelore të merret me rastin, të mbledhë informatat dhe provat për mosgrumbullimin e mbeturinave kur bërlloku u është afruar tek fytyra.
Në nëntor të 2024-ës, Komuna e Prishtinës shpalli një tender në vlerë prej 16.5 milionë euro për menaxhimin e mbeturinave, duke përfshirë operatorët privatë.
Kjo lëvizje u kundërshtua ashpër nga “Pastrimi”, e cila e interpretoi si përpjekje për ta çuar drejt falimentimit, duke rrezikuar vendet e punës të mbi 900 punëtorëve të saj.
Në dhjetor të vitit 2024, punëtorët e “Pastrimit” organizuan një grevë disaorëshe për të shprehur pakënaqësinë ndaj menaxhmentit të kompanisë, veçanërisht ndaj kryeshefit ekzekutiv. Kjo grevë çoi në grumbullimin e mbeturinave në disa lagje të Prishtinës, duke krijuar një situatë të rënduar për qytetarët.
Në po këtë muaj, PDK-LVV, votuan për ndryshim të një Rregulloreje që mundësonte kyçjen e sektorit privat.
Në shkurt të vitit 2025, Komuna e Prishtinës njoftoi qytetarët se nuk janë të detyruar të paguajnë faturat për grumbullimin e mbeturinave të lëshuara nga “Pastrimi” nga data 1 janar 2025. “Pastrimi” e kundërshtoi këtë vendim, duke e cilësuar si të paligjshëm dhe në kundërshtim me Rregulloren për menaxhimin e mbeturinave.
Për shkak të përkeqësimit të situatës, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për menaxhimin e mbeturinave në qytet.
“Pastrimi” akuzoi Komunën se po manipulon me situatën për të favorizuar kompani private nëpërmjet tenderëve të dyshimtë. Një dispozitë nga udhëzimet publike që ka orientuar qytetarët që të mos paguajnë në kompaninë “Pastrimi”, por në Komunë ka ndikuar drejtpërdrejt në pamundësinë për të arkëtuar të hyrat e nevojshme për funksionim, që nga muaji janar i këtij viti.
***
Dje ka dështuar konstituimi i 18-të i Kuvendit të Kosovës e hera e 10-të për të miratuar votimin e fshehtë, të propozuar nga LVV-ja. Çdo 48 orë, populli i Kosovës po vdes nga pak, duke përfshirë edhe ato deklaratat e kota dhe skandaloze si ajo e Mimoza Kusarit, “ndoshta duhet të takohemi më rallë se qishtu shpesh s’po mujna”.
E në anën tjetër dinamikat nëpër botë si për mirë si për keq nuk po ndalen, bile Macron në takimin e 47 liderëve në Tiranë tha se Shqipëria duhet të hyjë në BE brenda dy viteve.
T’kishin mendu për vendin e për qytetarët, kjo legjislaturë ish mbyllë si ai këshilli i kardinalëve, konklava dhe kishin thanë që nuk dalim prej Kuvendit pa u zhblloku kjo situatë.
Bota nuk e ndalë ecurinë për bllokimet e Kosovës, madje kurrë më shpejt nuk ka ecur.
Tragjikomedia e kësaj situate është kur tash, dalin deputetë si Dimal Basha, që varen prej kërkesës që AAK-ja ka bërë në Gjykatën Kushtetuese, me besimin e plotë se ka me dalë në anën e LVV-së, nëse votimi duhet të jetë i hapur apo i mbyllur.
***
Të gjithë jemi, në fund të fundit, të lumtur për aq kohë sa vendosim të jemi, për aq kohë sa zgjedhim të mos ia dorëzojmë mendjen ankthit, zemrën pakënaqësisë dhe sytë tek ajo që nuk kemi. Jemi të lumtur kur zgjedhim të shohim përtej pengesave, përtej lodhjes së përditshme, përtej zhurmës së botës, e të kthehemi brenda vetes, aty ku lind paqja.