Live Stories from Prishtina

LIVE

February 6, 2023

Note: Ky blog është krijuar për t’iu ofruar juve një këndvështrim të sinqertë rreth temave të caktuara, duke filluar nga librat dhe kultura, e deri tek mendimet dhe qëndrimet tona. Çfarëdo që të duket personale, mos e konsidero të tillë. Disa janë të bazuara në eksperienca personale, disa në vlerësime filozofike e psikologjike, e disa të tjera në evidencë. Ideja është që të mësosh diçka nga përvojat tona dhe pse jo të të gjenden ndonjëherë në jetë. No hard feelings. It’s all based on a true story. Paper Team.

Ja ku jemi: Nata më e madhe e muzikës Grammy është këtu – për t’iu mahnitur me fituesit e çmimeve dhe performuesit.

Ceremonia e 65-të e çmimeve Grammy u mbajt këtë të diel, duke na surprizuar që nga tapeti i kuq e deri tek rekordet botërore.

Me të filluar mbrëmja nën moderimin e Trevor Noah-s, më dha rehatinë të krijoja pikëpyetjet si: A do të jetë Beyonce artisja më e vlerësuar? (Kjo pasi në artikujt e mëparshëm, albumin e saj “Renaissance” e cilësuam si një nga albumet më të mira të vitit). Po albumet e Taylor Swift, Adele dhe Kendrick Lamar si do të vlerësohen?

Sot kam vendosur të ndaj me ju listën e fituesve për Grammys 2023 dhe pesë nga performancat më të mira.

Nuk do të konsiderohej si e mbarë nëse këtë listë do ta filloja me dikë tjetër përveç Beyonce, pasi mbrëmë ajo theu rekordin historik, duke u bërë artistja me më së shumti çmime Grammy që nga historia.

BEYONCE

Fjalimi i saj prekës, të cilin ja dedikon nënës, babait, bashkëshortit, fëmijëve dhe “Komunitetit Queer”, të dhuron emocione të forta të cilin e transmeton përmes lotëve. Beyonce nuk ia doli të jetë prezente në tapetin e kuq, por ajo mbrëmjen e mbylli duke shënuar historinë dhe duke marrë 4 çmimet prej kësaj nate, atë për këngën më të mirë R&B, këngën më të mirë elektro, këngën më të mirë dance dhe performanca më e mirë tradicionale R&B.

HARRY STYLES

Vetëm nga paraqitja e tij, e ndjeva që nata e sotme ka përgatitur diçka për Harry-n. Edhe këtë vit Styles na e rikujtoi se është “King of Jumpsuits” – kombinimi i tij me diamond multi-ngjyrësh në kostum na hipnotizoi që në fillim. Harry Styles mori çmimin më të madh Grammy të natës, albumin e vitit, me albumin “Harry’s House” si dhe çmimin për albumin më të mirë pop-vokal.

“Unë kam qenë kaq i frymëzuar nga çdo artist në këtë kategori me mua,” e nisi fjalimin ai duke fituar mbi Beyoncé dhe Adele.

“Mendoj se në net si sonte është e rëndësishme të mbani mend se nuk ka të bëjë me më të mirin në muzikë… pasi kjo nuk u ndodh shumë njerëzve si unë”, përfundoi ai.

ADELE

Duke përjetuar emocionalisht fitoren e Beyonce dhe Lizos, harroi që ishte e nominuar edhe për vete në shumë kategori. Ajo fitoi çmimin performanca më e mirë solo me këngën “Easy on Me” – ky është çmimi i 16-të i artistes. Në pranimin e çmimit ajo foli për djalin e saj duke thënë se çdo fitore i dedikohej atij.

KENDRICK LAMAR

Historia ndryshoi kur një nga çmimet kryesore për rap shkoi për Lamar, ai fitoi çmimin për performancën më të mirë rap, këngën më e mirë rap dhe albumin më të mirë rap. Në fjalimin e tij tha: “Dua të falënderoj aspektin kulturor që më la të zhvillohesha”.

KIM PETRAS

Gruaja e dytë transgjinore që fitoi një Grammy, duke sjellë në shtëpi çmimin për performancën më të mirë pop me Sam Smith për këngën e tyre Unholy. “Dua të falënderoj të gjitha legjendat transgjinore përpara meje, të cilat hapën rrugën për të qenë unë këtu sot” tha Petras. Teksa falënderoi frymëzimin e saj Madonna-n, e cila gjithmonë ishte mbështetëse e hapur e komunitetit LGBTQ+.

Madonna e cila i ftoi Sam dhe Kim për të realizuar performancën e tyre, deklaroi këtë: “Nëse ata ju quajnë skandaloz, shqetësues, problematik, provokues ose të rrezikshëm, padyshim se ju jeni diçka.”

Highlight i kësaj ceremonie ishte Viola Davis e cila u bë pjesë e grupit EGOT, termi që u është dhënë artistëve që kanë fituar çmime Emmy, Grammy, Oscar dhe Tony. Aktorja fitoi një Grammy për librin audio të kujtimeve të saj “Finding Me”.

Artistët të tjerë që kishin fituar në të kaluarën në këtë kategori përfshijnë Audrey Hepburn, John Legend dhe Whoopi Goldberg.

Fitues të tjerë të mbrëmjes ishin: Taylor Swift, për videoklipin më të mirë muzikor “All Too Well: The Short Film”. Çmimi për artistin e ri më të mirë të vitit, shkoi për këngëtaren e jazz-it nga New York, Samara Joy; çmim ky i cili më parë ishte fituar nga Billie Eilish, Lauryn Hill, Adele dhe Chance the Rapper.

Kurse, ndarja e çmimeve u përcoll edhe me performanca të kohë pas kohshme nga Bad Bunny, Mary J. Blige, Brandi Carlile, Luke Combs, Steve Lacy, Lizzo, Kim Petras dhe Sam Smith.

Rihanna nuk ishte e pranishme në këtë ceremoni, e cila erdhi si mungesë e nominimeve për shkak të mos prezencës së saj në muzikë. Ndoshta Riri edhe po bëhet gati për shfaqjen e Super Bowl.