Live Stories from Prishtina

LIVE

24 Maj, 2025

Pushimet pa miqtë! Pse ndonjëherë duam të ikim larg… nga të gjithë!

Planifikimi i pushimeve këtë vit, nisi, si gjithmonë, me të njëjtën pyetje: “ku do të jenë të gjithë të tjerët?” dhe përgjigjja ndaj saj shërben si yll polar, jo për të përcaktuar se ku do të shkojmë, por se cilat vende do t’i shmangim.

Sepse ja ku qëndron e vërteta të udhëtosh me miqtë mund të jetë kënaqësi (përveç nëse shkon në Miami apo Ibiza, ku aventurat me shumë alkool testojnë edhe miqësitë më të forta).

Më kujtohet një verë, disa vite më parë, kur shkova vetëm në një hotel të vogël në Himarë, për të pasur disa ditë pa asnjë fytyrë të njohur.

Mëngjesin e parë, mezi zgjodha një vend të qetë për kafe, pa shumë njerëz. Po shijoja qetësinë, kur kamarieri më afrohet dhe më thotë: “Të fala nga Arlinda. Tha që kur të çohesh, të shkosh te tavolina e saj.”

U ktheva dhe pashë Arlindën, kushërirën e nënës sime, me burrin dhe dy fëmijët. Në rregull, s’ishim shoqe të ngushtë por me shqiptarinë nuk ka rëndësi.

Brenda një ore isha futur në diskutime për politikën, recetat e sarmave dhe pse s’jam martuar ende. Pushimet solo morën formën e një darke familjare spontane.

Që atëherë, e di: nëse dua të iki vetëm, s’është vendi që ka rëndësi por të sigurohem që askush nga rrafshi i Kosovës s’është atje para meje.

Të takosh rastësisht të njohur gjatë pushimeve që i ke imagjinuar si “vetëm për vete”, është një histori tjetër. S’po themi se nuk i duam miqtë tanë por a mund ta prishë magjinë e pushimeve prania e njerëzve nga jeta e përditshme dhe si t’i thuash dikujt “tung” e “mirupafshim” pa u dukur i ftohtë?

“Shumë njerëz e përqafojnë lirinë që vjen me shkëputjen nga jeta e përditshme kur udhëtojnë,” thotë Alexis Doerfler, bashkëthemeluese e një agjencie të luksit për udhëtime të personalizuara.

“Kur ndeshim fytyra të njohura pa paralajmërim, disa ndihen të detyruar të angazhohen e të komunikojnë, gjë që mund të përjetohet si ndërhyrje në hapësirën dhe përvojën personale”, shkruan Doerfler.

Kjo vlen veçanërisht për ata që udhëtojnë vetëm apo janë në një udhëtim intim me partnerin.

Më kujtohet romani “Age of innocence” nga Edith Wharton.

Newland Archer dhe gruaja e tij, May, udhëtojnë nëpër Evropë për muaj mjalti. May, e rritur në rregullat e ngurta të Nju Jorkut të vjetër, refuzon të takoj miqtë evropianë të burrit të saj sepse kjo shihej si rënie e statusit edhe pse Archer dëshiron të shkëputet nga këto pritshmëri, ai nuk e kundërshton May-n sepse “nuk kishte asnjë kuptim të përpiqeshe të edukosh një grua që s’e kishte as idenë më të vogël se nuk ishte e lirë.” Ky rresht godet në shenjë edhe kur pretendojmë se jemi të lirë, prania e të njohurve mund të zgjoj sërish ndrojtjen tonë dhe të na ndalojë të çlirohemi plotësisht qoftë edhe për të kërcyer mbi tavolina.

Sigurisht, ka edhe nga ata që e duan rastësinë dhe entuziazmohenë kur takojnë dikë nga e kaluara.

Alexis thotë se ajo shpesh ndien dëshirën për t’i ftuar në planin e saj. Por bashkëpunëtorja e saj do të preferonte ndoshta një kafe të shkurtër, përpara se t’i rikthehej planit origjinal, me mirësjellje dhe kufij të qartë.

Po si të veprojmë kur, duke pushuar buzë pishinës, na bie në sy dikush nga qyteti ynë? S’ka nevojë të fshihemi pas shkurreve.

Sipas William Hanson, ekspert etikete në The English Manner, qasja më e mirë është të jemi të këndshëm, por të qartë.

“Fillimisht, tregohuni entuziastë, buzëqeshni dhe shprehni kënaqësinë që i shihni. Mund të qeshni bashkë për rastësinë,” thotë Hanson.

“Më pas, nëse nuk dëshironi të kaloni kohë me ta, tregojuni që keni një plan të paracaktuar dhe nëse është e nevojshme, përdorni një ‘gënjeshtër të bardhë’, si ‘nëse më ndryshojnë planet, do të shihemi për një pije së bashku.’”

Po, nëse është fjala për një mik të ngushtë, një takim i shkurtër mund të jetë këndshëm.

“Askush nuk pret që t’i ndryshoni gjithë planet për ta ashtu siç as ata nuk duhet të ndryshojnë të tyret.”

Ka plot arsye pse redaksia jonë i shmangë plot plazhe të famshme të Shqipërisë gjatë verës dhe i preferon më shumë jashtë sezonës. Sepse në fund, çdo vend bëhet një “katund i vogël” me të njëjtët njerëz, të njëjtat sjellje, të njëjtat biseda.

Pushimet janë për t’u shkëputur dhe nuk është aspak fyerje nëse kjo përfshinë edhe distancimin për pak kohë nga shoqëria. Mund t’i shohim sërish në shtator (:P).