Kojshitë
27 Maj, 2025
Jo vetëm për muzikën, por për jetën që i rrethon, për copëza intime, për mënyrën si krijojnë, si jetojnë e si e përballojnë këtë vëmendjen e momentit.
Ua sjellim Shkodrën Elektronike, Beatriçen dhe Kolën, në pesë fjalitë me momentet që nuk i keni ditë më parë që të bëjnë me qesh dhe mendu, të ndara vetëm për Paper Play Radio, në intervistën e tyre në “N’mes t’ditës” me Erëza Ademin dhe Suada Dacin.
1. Beatriçja, nuk u lejua të hyjë në restorant për shkak të veshjes!
Fjalia kryesore
“Një natë shkuam për me hangër një copë bukë dhe s’ma dhanë, nuk më lanë me hy.”
A e din ça i ka ndodh Beatriçes? Nji natë në Tiranë, shkon me hangër diçka përveti zgjedh që të mos duket fancy si në skenë, thjeshtë do një copë bukë. Po kur shkon te një restorant që e quajnë “fancy”, nuk e lejojnë me hy! Vetëm prej mënyrës si ishte veshur. E tha vetë që në përditshmëri vishet si çun, me tuta. Po prapë, për ta paska qenë shumë.
2. Thënia e Michelangelos që e inspiron Kolën me gjetë rrugën për krijimin e këngës!
Fjalia kryesore
“Michelangelo ka thënë: ‘Statujat që i bëj, nuk i bëj – thjeshtë i heq gurit pjesët e tepërta.’ Për mua është e njëjta gjë. Më duket sikur kënga ka ekzistu më përpara, puna ime është thjeshtë me gjet se ku qëndron ajo këngë.”
Nuk e keni dëgjuar si e përshkruan Kola mënyrën si e bën një këngë? Ka përdorur nji thënie prej Michelangelos. Si ai që thotë “unë nuk e krijoj statujën veç ia heq gurit pjesët që s’i duhen”. E njëjta gjë, thotë Kola, ndodh edhe me muzikën. Ai nuk e ndien sikur po shpik diçka, por sikur po zbulon një këngë që ka qenë gjithmonë aty, vetëm se duhet me e ç’gdhend me kujdes. E bukur shumë kjo metaforë, edhe shumë ndryshe prej mënyrës si flasin zakonisht muzikantët.
3. Regjistrimi me dy mikrofonë i iso-polifonisë dhe korit të vetëm të femrave në Shqipëri për albumin e ri!
Fjalia kryesore:
“Ky album është kriju mbi disa regjistrime që i ka bërë Kola kur erdhi në Shqipëri para dy vitesh – solli dy mikrofonë dhe regjistroi grupet iso-polifonike.”
Prej nga ka nisur ideja për albumin e Shkodrës Elektronike more? Thjeshtë, fare thjeshtë para dy vitesh, Kola vjen në Shqipëri me dy mikrofonë në çantë dhe fillon me regjistru grupin e iso-polifonisë, përfshirë edhe korin femëror që është i fundit i tillë në Shqipëri. Këto regjistrime i kanë mbajtur si material bazë për me i ndërtu këngët. Ka përpunuar dhe i kanë marrë si sample si frymë. Janë këngë që s’i ke dëgju kurrë e kanë marrë thelbin e asaj muzike dhe e kanë përpunu.
4. Fryma arkaike!
Fjalia kryesore:
“Na pëlqen ajo frymë arkaike – një lloj ‘arkaizmi’ në këngët polifonike.”
Çfarë kanë bërë para ca vitesh? Janë marrë me këngët shkodrane, i kanë regjistru vetë, pastaj i kanë përpunu, si me i pasë gdhendur si gur. Mbi ato këngë kanë ndërtu materiale të reja. Dhe çka u ka pëlqy më së shumti? Ai “arkaizmi” – ajo ndjesia e lashtësisë që e kanë këngët tradicionale. E kanë përdorur si bazë për eksperimentin e tyre. Si me pas bërë një urë mes së shkuarës dhe elektronikes.
5. Jetesa në “bubble room” gjatë përgatitjeve!
Fjalia kryesore
“Kemi pas një ‘bubble room’ – disa orë bënim prova, pasdite, natën… Pastaj ishte darka. U shtriheshim për tokë, rrinim aty për orë të tëra.”
Po si kanë kaluar para se të mbahet Eurovisioni? Kanë pas një “bubble room” një dhomë ku rrinin gjithë kohës për prova. Ditë, natë, nuk kishte orar. Dhe kur nuk provonin, rrishin shtrirë për tokë, sikur me qenë në kamp. Thonë vetë që kjo atmosferë u kujtonte kohën kur kishin ardhur në Itali në vitin 1993 – si emigrantë. E gjithë kjo tregon se sa organike dhe tokësore e kanë mbajtur gjithçka, edhe në një garë kaq të madhe.
Pjesa e intervistës:
Kola: Arsyeja pse kemi marrë pjesë, që në fillim, që nga Festivali i Kangës, ka qenë me zgjeru publikun tonë. Fakti që fituam në festival, e tani në Eurovision dhe që aty jemi votu kryesisht prej publikut, ka qenë shumë për ne – kupa jonë kryesore. Se ne kemi shku me i dhanë diçka mbrapsht njerëzve. Që prej se kemi fillu, njerëzit na kanë thënë që janë ndjerë sikur kanë qenë bashkë me ne, jo si me qenë një grup më vete.
Suada: A jeni ju rehat me atë që bëni, e doni atë që bëni?
Kole: Ne bëjmë muzikë qe 10-11 vjet maksimumi. Në kuptimin, si fëmijët kur eksperimentojnë nga kurioziteti si lojë. Fjala “lojë” nuk është rastësisht që përdoret për ekzekutimin e instrumenteve. Është një fjalë shumë e bukur, dhe për ne është lojë që e bëjmë për qejfin tonë.
Çysh te “Zjarr” dhe këto të rejat që ka dëgju publiku, çdo pjesëtar ka kompozu pjesën e vet. Beatriçja ka kompozu pjesën që këndon, dhe unë pjesën tjetër. Secili ka “lujt” me pjesën e vet.
Erëza: Çfarë ndjenje është me performu para një audience aq të madhe?
Beatriçe: Emocionet kanë qenë shumë të mëdha, se përgjegjësia është e madhe – nuk je vetëm ti. Dhe si hera e parë, ne e kemi ndjerë prezencën e njerëzve përreth. E kemi pas andërr me shku në Eurovision. Ne shkruajmë këngë që na pëlqejnë, prandaj gjithçka e kemi bërë organikisht. Por nuk e kemi ndjerë veten si “mbretëresha” apo diçka e tillë. Ne e kemi ndjerë përgjegjësinë ndaj publikut, por jo presionin.
Suada: Po vëmendjen e mediave a e keni ndjerë? Kishit kohë ta përthithnit emocionin?
Beatriçe: Ne nuk kemi pasë kohë. Plus, mësuesja ime më ka thënë me qëndru larg celularëve. Është një metodë që e përdorin edhe në Sanremo, këngëtarët heqin celularin kur shkojnë në festival. Nuk e përdorin vetë, e përdor dikush tjetër për ta. Ne nuk kemi njerëz që e bëjnë këtë për ne. Unë ndonjëherë bëja ndonjë “repost”, por për të lexuar artikujt dhe gjërat, jo – nuk e kam bërë. Edhe pse nuk është e lehtë, sepse ke trurin e fokusuar dhe për tre minuta duhej me u koncentru në vete dhe në shëndetin mendor.
Suada: Look-u juaj ishte shumë i veçantë – një ndërthurje stili dhe tradite. Tani, më pëlqejnë thashethemet, ndaj dua të ndalem pak te Shqipëria. Për shembull, ti je vajzë me shumë stil, por në një nga restorantet që pretendohet të jetë shumë “fancy” në Tiranë, nuk të kanë lënë me hy.
Beatricja (qesh): A të ka treguar ty Olsi? Mua më pëlqen me u vesh, sepse jam rrit në një shtëpi rrobaqepësesh. Por skena është skenë – është një moment ku mundesh me e tepru me veshje. Në jetën e përditshme, unë jam si çun: vesh tuta, nuk vesh rraqe dhe gjëra të komplikuara. Një natë shkuam për me hangër një copë bukë dhe s’ma dhanë, nuk më lanë me hy.
Po prap, një copë bukë gjithmonë e gjej në një vend tjetër.
Suada: Si ka qenë kjo pjesa me mamin? A e ke mendu për çdo pre-party pjesët që do të vishesh, se ishte e rëndësishme?
Beatricja: Po, mami i ka mendu. Ka pas mundësinë me punu që kur RTSH-ja ka zgjedhur ekipin tonë. I kanë ardhur disa stilistë të tjerë. Mami ka punu me ne që prej 2019-ës. Ajo kishte prezantuar një projekt krejt me shqiptarë. Tani kishte mundësinë me e shfrytëzu krejt kreativitetin e saj. E kam parë shumë të gëzuar.
Suada: Po babi?
Beatricja: Baba në rregull. Gruaja i ka nejt larg disa javë – ai është relaksu.
Suada: Partneri?
Beatricja: Mirë është edhe ai.
Suada (drejtuar Kolës): Po ti?
Kole: Unë nuk kam jetë personale.
Beatricja (duke u tallur): Ky është njeri serioz!
Suada: Çfarë e bën të veçantë “Zjarr”? Nga ana vizuale është ndër më të bukurat që Shqipëria ka pasur.
Beatriçe: S’e di – nuk është e thjeshtë me e kuptu këtë gjë. Neve na pëlqen shumë ajo këngë, e kemi shkru. A e din kur fillon me shkru një këngë, shkruan çfarë të pëlqen. Është një punë që zgjat disa orë, dhe gjatë atyre orëve unë ndjej që jam duke kërku një gjë. Derisa nuk e ndjej veten në rregull me atë që po bëj, nuk e nxjerrë këngën.
Deri kur zgjodhëm “Zjarr-in”, thamë: “Ok, kjo është kënga.” Na dukej shumë e “marume” për festival. Ajo bën një fije diference. Pra, nuk mendojmë me i ngja diçkaje që është trend. Unë them: “Çfarë kam qejf unë me dëgju në një festival?”
Kola: Michelangelo ka thënë: “Statujat që i bëj, nuk i bëj – thjesht i heq gurit pjesët e tepërta.” Për mua është e njëjta gjë. Më duket sikur kënga ka ekzistu më përpara – puna ime është thjesht me gjet se ku qëndron ajo këngë. Gati-gati sikur nuk jam unë ai që e bëj – është një rrugë që duhet me ndjek që e ka vendos dikush tjetër.
Erëza: Kënga ka qenë aq unike, ndoshta sepse vjen nga një vend i ndjerë.
Suada: Keni menduar ndonjë bashkëpunim me artistë të tjerë shqiptarë pas mbështetjes që keni parë?
Kola: Për në këto momente është vështirë të fokusohemi këtu. Por tek ne nuk ka munguar bashkëpunimi me artistët tanë. Ne kemi kompozu këngën për Rrezarta Smaja para 3-4 viteve – “E jemja nuse”, ka fitu çmimin e tretë në Festivalin e Këngës. Pra, bashkëpunimin me artistë shqiptarë e kemi bërë moti. Për albumin që kemi nxjerrë kemi bashkëpunuar me Albanian Iso-Polyphony – kori i fundit femëror iso-polifonik në Shqipëri. Janë magjikë. Bashkëpunojmë me muzikantë shqiptarë.
Erëza: Çka ka qenë diçka që s’e kemi pa ne e ju ka ndodhur juve?
Beatriçe: Kemi pasur një “bubble room”, disa orë bënim prova, pasdite, natën. Pastaj ishte “daraka”. Kur kishim pak kohë, e bënim backstage-in tonë – si me qenë kamp. U shtriheshim për tokë, rrimë aty orë të tëra. Si në ’93 kur kemi ardh në Itali.
Suada: Po albumi i ri?
Beatricja: Ky album është antipastë, si ato gjërat që i ha para vaktit kryesor. Në këtë album mundeni me ndi çfarë kemi punu në këto vite, çfarë kemi eksperimentu – këngë që nuk i keni dëgju kurrë. Është kriju mbi disa regjistrime që i ka bërë Kola kur erdhi në Shqipëri para dy vitesh – solli dy mikrofonë dhe regjistroi grupet iso-polifonike, përfshirë edhe atë femëror.
Kola: Na plotëson shumë, sepse para disa vitesh jemi marrë me këngë shkodrane – i kemi regjistru, i kemi përpunu, dhe mbi ato kemi ndërtu këngë të reja. Na pëlqen ajo frymë arkaike – një lloj “arkaizmi” në këngët polifonike. Edhe pse s’dinim si do priteshin përpunimet, kishim një lloj sigurie. E dinim prej nga vijnë këto këngë, prandaj kemi pas guximin me i çu përpara.
….