N’Kosovë / foto: Driton Paçarada / koha.net
29 Maj, 2025
Ka kombinime që tashmë çka kanë pasë me marrë vlerësim prej kësaj bote e kanë marrë, pra e kanë kaluar provën e kohës.
Jack & Cola, për shembull, pija që kujt sja banë me pi veç Jack kur e kombinon me Cola të duken si shpirtra binjakë. Përndryshe shumë e pijnë se e jep bilancin klasik mes të fortës edhe t’ëmblës.
Por në Kosovë, një kombinim që kurrë s’ja gjetëm qaren, Kosovës edhe instituconeve funksionale, dështim i rregullt në stil e në funksion.
Sot, kjo “duo” dështoi sërish. Rreth 1300 biznese prodhuese, të cilat punësojnë 143 mijë njerëz, ose gjysmën e të gjithë të punësuarve në sektorin privat, dolën në rrugë për të treguar se po mbyten nga një politikë energjetike që s’ka as logjikë, e ua varfëron xhepat.
Në një akt të rrallë përtej interesave partiake, këto biznese protestuan kundër një vendimi që i hedh në treg të lirë, i cili në praktikë ka vetëm një ofertues, KESCO-n, që shet energji me çmime deri në trefish më të larta.
Fillimi i kësaj recete është 1 qershori.
Por shteti, në vend që të dëgjoj, ofendoi. Vetë kryeministri në detyrë e njëkohësisht deputeti Albin Kurti, krahasoi protestën e bizneseve me barrikadat e Milan Radoiçiqit.
Po, personat që i ofrojnë mbi 100 mijë vende të punës u krahasuan me një strukturë kriminale të armatosur.
“Koha e barrikadave ka kaluar, do t’i heqim kudo”, tha ai në mbledhjen e qeverisë të mbajtur sot, drejtuar 1200 bizneseve që preken nga tregu i hapur apo 1% e ndërmarrjeve në Kosovë.
“300 prej tyre si prodhuese dhe shpenzuese më të mëdha, preken më së shumti, por duhet theksuar se ky proces nuk është i befasishëm”.
Ai theksoi se ligji për energjinë elektrike është miratuar që në vitin 2016, ndërsa faza e parë e liberalizimit ka nisur më 2017. Sipas tij, faza e dytë është shtyrë disa herë në këto tetë vjet, duke u dhënë bizneseve kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur.
Në këtë histori me shumë voltazh, opozita nuk qëndroi pa reagim. PDK-ja, e quajti “krim kundër ekonomisë” dhe paralajmëroi nisjen e betejës ligjore për anulimin e tij.
E për fatin tonë të keq, s’është as ironi as metaforë kur thotë që “tregu i lirë” nuk mund të ekzistoj me vetëm një ofertues. Njësoj si me demokracinë me vetëm një kandidat.
Në të njëjtën frymë reagoi edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, duke e quajtur vendimin një shërbim të drejtpërdrejtë ndaj EFT-së së Vukhamoviqit dhe kompanisë fantazmë NOA, e cila, në mungesë të zyrës, funksionon si fantazmë që gjeneron fitime marramendëse.
Në këtë vend, a ka diçka reale, gjithçka që është prodhim real dhe punësim, sulmohet.
Protesta u shpërbë për dy orë, sepse ishte paralajmëruar që të mos zgjaste më shumë, sepse bizneset ende besojnë se mund të ketë një kthesë logjike, sepse shteti ende ka kohë të zgjedhë ose të rreshtohet me qytetarët që prodhojnë ose me ata që vetëm faturojnë.
Por sot, për të disatën herë, Kosova dhe institucionet funksionale rezultuan si ujë dhe vaj – nuk përzihen. Nuk kemi qeveri t’re, por mbajmë mbledhje të qeverisë, KQZ-ja e shkatërron materialin e zgjedhjeve të 9 shkurtit ama ne nuk kemi as kuvend.
Dhe nëse dikush ende s’e ka kuptuar rëndësinë e këtyre 1300 bizneseve, le ta dëgjojë sërish numrin: 143 mijë njerëz të punësuar, që mund të jenë prindërit tanë, fqinjët tanë ose ne vetë.
Sepse kur rryma trefishohet, nuk e ndjenë vetëm biznesi e “vëren” furrtari i lagjes, studentja që s’paguan dot qiranë dhe e gjithë shtresa që quhet popull.
Si duket, për momentin, ajo që kemi është një Jack pa Cola.