Live Stories from Prishtina

LIVE

6 Qershor, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Disa njerëz duhet të jetojnë në hapësira të mëdha, ku qielli vazhdon përgjithmonë. Ku të gatuash, të peshkosh, të flesh, të sakrifikosh, të bësh përpjekje për ta përmirësuar shoqërinë, të jesh falënderues nën atë qiell të madh nuk janë aktivitete, por një mënyrë jetese.

Këtë mënyrë jetese, këtë lehtësi shpirtërore ia dëshiroj të gjithë njerëzve më të dashur, veçanërisht në festën e Bajramit. Sot po e shfrytëzoj rastin që ta uroj Kurban Bajramin edhe ty, i dashur lexues, por në një formë pak më ndryshe.

Tash që je duke lexuar, po e bëjmë një dialog, një muhabet të mesditës, po imagjinoj sikur t’kam përballë.

Po qëllove pak më detajist, e më nostalgjik (ti, lexues, tashmë miku im i përditshëm), do të më pyesje “nëse kam shpresuar gjithmonë për qiellin e njëjtë?” E unë me përgjigjen time, pak do të ktheja në fëmijëri, e pak do të ndihmoja t’i kujtosh edhe ata personat që nuk janë më, jo pse ty nuk të vijnë në mendje, por se duke lexuar këtë e ke më të lehtë, t’i kujtosh vitet e tua dhe t’i shohësh si vegim përballë.

Tek e fundit, Bajrami është bashkim, tubim, festë, të ndashë, të ushqehesh, të dhurosh tënden për të tjerët dhe me të tjerët, pra festa e bën të vetën edhe pa tentuar unë fare.

Sa për t’u kthyer te pyetja që hipotetikisht do të duhej të ma bëje ti, i dashur lexues: Jo, nuk e kisha përherë këtë uratë e këtë dëshirë! E vetmja gjë që ma mbante ngazëllimin gjallë për Bajram, e që po besoj se nuk ka ndryshuar shumë prej kohës kur ke qenë edhe ti fëmijë, ka qenë të zgjohem herët, t’i vesh rrobat e reja që mami ose babi i kanë blerë për ne, të kërkoj ëmbëlsirën që mami vonë pas punës, në natën e Bajramit, e gatuante, të bëja bajram me t’shpisë për t’i përqafuar fort e për t’ju treguar që kam pushuar nga dita e djeshme ku të gjithë fjetëm vonë për të lënë dhomën e ndejës të pastër për sot dhe për të marrë ndonjë pare prej kujtdo që zgjidhnin të gëzonin zemrat e fëmijëve nga xhepi i tyre.

Ishte “adet”… e këtë më së shumti e praktikonin tek dajtë, maraku im ishte që pasdite të shkonim tek daja (andej nga ana e babit, ishim kallaballëk, deri sa shkonim ne, paratë i “hanin” fëmijët e lagjes, veç nëse qëllonte mysafir dikush prej gurbetit).

Sot shpresoj për këtë qiellin e madh, veç që njerëzit ta shohin botën me këta sy edhe në ditët kur nuk është festë! Zemërgjerësinë e tyre ta shfaqin më shpesh, faljen ta praktikojnë më shumë, inatin ta harrojmë krejt!

Po për të rikthy pak ty në kujtime, unë kam prit të bëhet ora 15:00, që t’i përfundojmë shumicën e aktiviteteve që t’i ndaj me ty pijatat me ushqim, atmosferën përmes fjalëve dhe rrjedhën prej momentit kur dikush prej familjes e fal Bajramin dhe vjen e sjell tek njerëzit e shtëpisë.

(Një detaj: nana, kur gatun, jo veç që gatun, po mediton, e shijon, relaksohet… thjesht e don gatimin bre!)

Po e filloj me ëmbëlsirë, se kjo është edhe çka e përshkruan këtë festë. Kur shkon tek shtëpia e dikujt tjetër, kur vjen dikush mysafir tek ti, ëmbëlsirën kanë/ke për ta kërku.

Mundesh edhe pa prit ta gjesh veten duke ngrënë copën e disatë të tortës apo bakllavas dhe pastaj të përfundosh në infuzion, pra ndodh edhe kjo. Andaj rregull në shtëpinë tonë është që shijen e ëmbël ta mbajë vetëm bakllavaja, ndërsa tortat ta ruajnë balancin.

Qokollatë e zezë, arra të bluara, qumësht, petë e përgatitur me vezë, miell dhe kakao, janë përbërësit kryesorë që e sjellin në pjatë këtë ëmbëlsirën që nuk ka emër, ka shije, dhe ne e quajmë vetëm “torta e zezë”, për shkak të sasisë së limituar të sheqerit që ka.

Nëse veç je duke lexu e ke dëshirë ta provosh prej mënyrës si po duket në foto dhe si po ta përshkruaj, lirisht më shkruaj, derën e ke të hapur të vish dhe ta provosh… t’premtoj që as muhabeti nuk do të mungojë.

Natyrisht që këtë “kryevepër” do ta shoqërojmë me nganjë kafe turke, se era e kafes së zier i jep tjetër kuptim këtij “vakti”, sepse ky është vakt në vete. Bën mirë të dish të jesh i uritur që të dish ta shijosh.

 

Kurban Bajrami, në qendër të ritualit, e ka sakrifikimin e një kafshe, mishin e të cilës, pak e mban për vete dhe shumicën e ndan për të tjerët.

Ne nuk kemi marrë pjesë në therjen e kurbanit, mirëpo mishin e morëm nga gjyshi. Ama drekën e Bajramit e kemi përgatitur me mish gjeli dhe pule. Këtë pjesën e kurbanit vendosëm ta ruajmë për më vonë, kur e përgatisim jashtë me ujë limoni, vaj ulliri dhe hudhra të egra përmbi.

Përndryshe, nëse nuk keni dëgjuar, zakonisht kur më të vjetrit janë keq nga shëndeti, fëmijët e tyre therrin kurban, e cila bëhet “njet për shpirtin e të sëmurit”, gjë që sipas besimeve e drejton shpirtin e të sëmurit në një rrugë.

Ujin e gjelit dhe pulës e shfrytëzuam për supë, të cilës i hodhëm edhe mushkëritë e pulës.

Pastaj pjesën e mbetur nga uji e shfrytëzuam për tavën me oriz.

Orizi ka mbetur në traditën e Bajramit, pasi si ushqim sjell bereqet dhe bollëk.

Kjo traditë nuk është vetëm shqiptare – edhe në shumë vende të tjera myslimane, orizi është pjata që nuk mungon.

Në Turqi, për shembull, gatuhet “iç pilav”, oriz i përzier me bajame, rrush të thatë, erëza si kanellë e karafil, dhe mëlçi pule. Në Pakistan dhe Indi përdoret “biryani”, përgatitet me qepë të skuqura, domate, mish (zakonisht qengj ose pulë), dhe shumë erëza si shafran, kumin, kanellë, kardamom, duke i dhënë një shije të veçantë dhe intensive.

Në Egjipt përdoret orizi me qiqra dhe mish qengji, duke u përgatitur në mënyrë të ngjashme me tavat tona.

Në Indonezi, gatuhet “nasi uduk”, oriz i zier me qumësht kokosi, limon bar (lemongrass) dhe gjethe dafine, që më pas shërbehet me mish të pjekur dhe vezë.

Ne orizin e kavërdisim me piper të kuq dhe të zi, qepë dhe erëza të bollshme, që dominojnë aromën e vajit.

Pjatat tjera anësore përfshijnë edhe specat e mbushura, të njohur edhe si dollma.

Te gjyshja, për shembull, përgatisin japrak – fletë rrushi të mbushura me mish të bluar viçi – apo jahni, gjellë me qepë të ziera dhe të thara në furrë.

Si adhurues të pjatave të ëmbla, një prej specialiteteve që përshkruan tryezën tonë janë edhe petullat e vogla me mjaltë.

Brumi i tyre përgatitet me qumësht të vakët, miell, vezë dhe shtesat tjera të gatimit. Brumi lihet që të fryhet në një enë, të cilën e mbështjellim me peshqir, nën sobën paraprakisht të ngrohtë.

Pastaj, me ndihmën e lugës së vogël të gjellës, vihen në vaj të nxehtë.

Mjalti thyen shjen e njelmët nga pjatat tjera, të cilën ne e praktikojmë pas supës, pra si pjatë të dytë, por dikush e preferon edhe në fund të vaktit, pas pjatave kryesore.

Sigurisht që sallatat me domate, tranguj, qepë dhe ullinj nuk mungojnë, përderisa as lakra e imët me hudhër, kripë, vaj ulliri dhe uthull molle nuk mungon si pjatë e dytë e sallatës.

E preferuara ime, mbetet kjo me lakër!

Dreka përfundon, pastrohet tryeza, derisa çaji i zi ka tash e 10 minuta që është duke u zier.

Shoqërohet me gjëra të njelmëta dhe pihet ngadalë.

Spoiler: muhabeti duhet të jetë i fortë që ta shijosh. Sugjeroj politikë ose gjetjen e fajtorëve për atë vazon e shtrenjtë të mamit që është thyer para disa viteve.

Përderisa dita na shkon duke mirëpritur miq të familjes dhe familjarë, nuk duhet të mungojnë pjatat e lëngshme që të freskojnë.

Bostani nuk është në formën e tij më të mirë, pasi ende nuk na ka ardhur ai tipi i tyre i ëmbël nga Shqipëria, por në këto ditë të papritura të nxehta që kanë ardhur, sido që të qëllojë me atë shije që ka, mjafton të jetë i ftohtë që ta ndryshojë lojën!

E Bajrami është pikërisht kjo: një arsye më shumë për t’u mbledhur, për të qeshur, për të ndarë pak nga vetja – qoftë një pjatë, një kujtim, apo edhe një copëz boston të ftohtë që na freskon trupin e shpirtin. Nëse ndihesh i ngopur nga gjithë këto, dije se është një ndjenjë që s’vjen vetëm nga ushqimi.