Dje n’Kosovë / foto: pinterest
12 Qershor, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Zhurma e helikopterit në mëngjesin e hershëm të 12 qershorit 1999, ua bëri me dije ushtarëve britanik që do të hyjmë në tokën e Kosovës, por fillimisht në Kaçanik duhej të evitohej rreziku që ju kanosej, pasi helikopterët erdhën nga ajri, radha i erdhi këmbësorisë, ushtartakë ishin ndarë në grupe dhe po vëzhgonin terenin, të parët ishin ata që kontrollonin për mjete shpërthyese, e të tjerët u rrinin pas shpinës si përforcim. Nisja e ushtarëve drejt Prishtinës, i bëri të shihnin qytete të djegura, zërat plot dhimbje, që shpresa i kishte mbajtur e rrokullisur deri në ditën e 12 qershorit.
Plot 26 vite, zhurma që zgjon sot qytetet e Kosovës nuk është më ajo e helikopterëve, por ajo e trafikut të mëngjesit, zërave në kafene, e bisedave për çmime, për paga, për ardhmërinë. Sot, më 12 qershor, ne jemi ata që ecim nëpër këto rrugë, por shpesh pa plan, pa unitet, e ndonjëherë edhe pa qëllim të përbashkët.
Urime kjo ditë, miku im.
Qoftë gjithmonë një kujtesë e fortë për ty dhe familjen tënde, se liria nuk është dhuratë, por trashëgimi për t’u ruajtur me dinjitet.
Gabimi falet njëherë, e jo përherë.
Thotë kjo fjala e urtë e popullit, që tashmë e shoh si absurde që ta përsërisim prap si “kampionat i dështimit”. Le që dështon edhe seanca e 30-të e konstituimit, po dalin edhe deklaratat e Haxhiut.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka shprehur skepticizëm se Gjykata Kushtetuese do të mund të zgjidhë ngërçin institucional që ka pamundësuar konstituimin e Kuvendit.
“Nuk kam besim se Gjykata Kushtetuese përmes një vendimi do të na japë rrugë për zgjidhje. Çështja është se nuk ka objekt”, tha Haxhiu në një deklaratë për media.
Ajo theksoi se kërkesa e dorëzuar nga AAK-ja në Kushtetuese nuk ka bazë të mjaftueshme për shqyrtim, pasi mungon një vendim i Kuvendit që do të mund të kontestohej.
***
A kaniherë e pikasim me disa vendime.
Kosova ka pranuar kërkesën amerikane për të deportuar 50 migrantë në vit. E mediumi “Reuters”, ka shkruar për këtë punë.
“Kosova ka pranuar një kërkesë për të pranuar migrantë të deportuar nga Shtetet e Bashkuara, me një plan fillestar për të pranuar 50 të deportuar në vit”, tha qeveria në një deklaratë për Reuters të mërkurën.
Qeveria ka shprehur gatishmërinë e saj për të marrë pjesë, me mundësinë për të zgjedhur individë nga një grup i propozuar, me kusht që ata të plotësojnë kritere specifike që lidhen me sundimin e ligjit dhe rendin publik”.
***
Me kërkesën që të shtyhet për një vit dalja në treg të lirë e energjisë, biznese të mëdha të Kosovës kanë protestuar për herë të dytë në Prishtinë. Protesta nisi para objektit të Qeverisë, e përfundoi para zyrave të ZRRE-së. Aty u paralajmërua se protestat do të vazhdojnë, nëse ZRRE-ja nuk e pezullon vendimin për 10 ditë.
***
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar Planin e aktiviteteve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Në këtë plan janë të përcaktuara afatet për deklarimin e koalicioneve parazgjedhore, pjesëmarrjen e partive politike apo jo në zgjedhje, nisjen e fushatës e zhvillimin e votimit me postë. Diskutim te anëtarët e KQZ-së nxiti përfaqësimi i partive në komisionet komunale zgjedhore.
***
Në një ditë që dikur na solli shpresën nga qielli, sot na duhet ta kërkojmë atë mes rrëmujës në tokë dhe ndërsa qytetarët sërish ecin nëpër rrugë dikur me frikë, sot me papërcaktueshmëri mbetet pyetja thelbësore: a po dimë të jetojmë me lirinë që e fituam me aq shumë zhurmë, por po e trajtojmë me kaq shumë heshtje?