A makeshift school in refugee camp in Çegran,North Macedonia / May 1999 / Photo by F.Bujupi
12 Qershor, 2025
Për fëmijët, shokët e familjarët e humbur diku nëpër botë, për kë të merr malli derdhe nga një lot.
Nuk është e lehtë as kur kthehesh e gjen hirin e gjanave që ke dhënë copa të shpirtit për t’i pasur, për t’i fituar. Po edhe më e vështirë, është kur nuk e gjen as kujtimin e personave që i ke humbur.
Nëse çdo luftë e ka fundin e saj, atëherë Kosova e përjetoi të vetin më 12 qershor 1999. Jo me një ceremoni zyrtare, jo me një nënshkrim në ndonjë ambasadë, por me rrugë të mbushura me njerëz që prisnin ushtarët e KFOR-it me duar plot lule dhe sy të përlotur. Sot, 26 vjet më pas, kujtojmë jo vetëm një ditë çlirimi, por një kapitull të ri që filloi në hijen e një tjetri të mbyllur me dhimbje.
“I ke 30 minuta… koha po kalon, kanë mbetur dhe 28 minuta”
Kjo është një nga frazat më të njohura të fundluftës, e shqiptuar nga komandanti gjerman i KFOR-it, Helmut Harff, drejtuar një oficeri serb në një fshat të Prizrenit. Siç raportoi më vonë Associated Press, kjo nuk ishte vetëm një përballje ushtarake ishte një akt simbolik, fundi i një epoke dhune, spastrimi etnik dhe frike. Harff do të largohej nga shërbimi pak muaj më pas, por emri i tij do të ngelte në kujtesën e shumë qytetarëve si një zë që solli kthesën.
Fjalët e tij, për ata që i përjetuan më afër, a di me çka ngjasojnë? Kur ndihesh sikur nuk t’ka mbetur njeri i gjallë afër vetës edhe në fund e sheh, e dëgjon zanin e dikujt që të duket si me qenë i familjes!
Kenneth Andresen: “Ata na pritën me buzëqeshje që nuk do t’i harroj kurrë”
Një tjetër zë që sot flet për atë ditë është Kenneth Andresen, ish-oficer norvegjez i KFOR-it. Në një postim të datës 12 qershor në vitin e kaluar, në platformën X, ai shkruante:
“Sot, 25 vjet më parë: më 12 qershor 1999, KFOR-i mbërriti në Kosovë dhe u prit nga mijëra njerëz përgjatë rrugëve. Unë shërbeva si oficer shtypi me KFOR-in nga korriku i vitit 1999 deri në janar të vitit 2000. Kjo ndryshoi jetën time. Jam mirënjohës për të gjithë miqtë dhe kolegët në/nga Kosova.”
Pamjet që ndau tregojnë fëmijë që i japin lule ushtarëve dhe të moshuar që i përqafojnë. Për shumë të huaj që hynë në Kosovë atë ditë, ishte hera e parë që përballeshin me një popull që nuk i shikonte si pushtues, por si shpëtimtarë.
Nga Kumanova në Prishtinë, si erdhi fundi?
Tri ditë para çlirimit, më 9 qershor 1999, në Kumanovë, Jugosllavia nënshkroi marrëveshjen ushtarake që e detyroi të tërhiqte forcat nga Kosova. NATO ndërpreu bombardimet më 10 qershor, pasi u miratua Rezoluta 1244 e OKB-së, e cila autorizonte vendosjen e trupave paqeruajtëse dhe një administratë të përkohshme në Kosovë.
Më 12 qershor, trupat e KFOR-it hynë në Kosovë nga Maqedonia, të ndara sipas zonave të përgjegjësisë: britanikët në jug, gjermanët në perëndim, francezët në veri, italianët në juglindje dhe amerikanët në lindje. Brenda pak ditësh, rreth 50 mijë trupa ishin vendosur në gjithë territorin e Kosovës.
E këto janë edhe disa të dhëna që duhen kujtuar:
78 ditë zgjati fushata ajrore e NATO-s (24 mars – 10 qershor 1999)
Rreth 13 mijë njerëz humbën jetën gjatë luftës në Kosovë, shumica shqiptarë civilë (Human Rights Watch)
Mbi 1 milion shqiptarë të Kosovës u dëbuan gjatë periudhës 1998–1999
Gati 500 viktima civile u vranë nga vetë bombardimet e NATO-s. Në 12 qershor 1999, mbi 20,000 trupa të KFOR-it hynë në Kosovë për të garantuar sigurinë pas tërheqjes së forcave serbe.
Çfarë u çlirua më 12 qershor?
Përtej territorit, më 12 qershor u çlirua zëri i qytetarëve të Kosovës. Ata që për vite të tëra nuk kishin pasur të drejtë të flasin, të shkruajnë, të votojnë, të mësojnë në gjuhën e tyre, më në fund u lejuan të ekzistojnë politikisht dhe njerëzisht.
Po! Ne jemi ende një shoqëri që mëson si të ecë përpara, pa harruar çfarë ka lënë pas.