Dje n’Kosovë
13 Qershor, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Në jetë i dashuri/dashura ime je shumë më i pasur se sa mendon. Nëse ke një kulm mbi kokë që nuk “lëshon” kur bie shi. Nëse ke ngrënë një vakt sot. Nëse ke rroba të pastra për t’u veshur dhe frymë pa dhimbje për të marrë. Nëse ke kujtime që të bëjnë të buzëqeshësh dhe ujë të pastër sa herë ke etje. Nëse ke një jastëk ku mbështet kokën në fund të ditës. Mirënjohja fillon pikërisht aty ku përfundon krahasimi!
Këtë temë e dëgjova dje, e që në sekond e lidha me seancën e radhës që do të mbahet sot. Nëse e llogaritim që secili deputet gjatë një muaji punon 10 minuta e paguhet 1900 euro a sa e kanë pagën bazë, i bie që për minut, deputetët e Kosovës paguhen ma shumë se basketbollistat e Champions League, diferenca deputetët paguhen nga paret tona, basketbollistët nga paret tjera. Ama për kah paret nëse pjestohet për angazhim për minuta qaty qaty janë… edhe në rregull jem me këtë punë.
Punë e madhe nëse ma shumë se 100 veta i marrin nga 2 mijë euro për të punuar nga tre minuta çdo të dytën ditë… populli i ka votu, le t’i marrin paret, se rreth 900 mijë veta kanë dalë në votim për me ua mundësu këtë sen.
A di ku nisin problemet? Kur e kupton që përveç deputetëve janë duke marrë rroga edhe asistentët e tyre, çysh bre?
Dmth, sot mbahet senaca e 31-të, me 5 minuta max kohëzgjatje edhe deputeti i vendit tonë, ka asistente me full-time punë! E çka punon asistentja e një deputeti, të një kuvendi që nuk është konstituuar akoma? Çysh duket asistenti i një njeri që s’di e s’do ta konstituoj kuvendin?
Lista e asistentëve është publike edhe mundeni me pa se ku shkojnë paret tona. Se fundja… me pare tona është ka paguhet fitimi që duhet ta realizojnë krejt ata që shesin dhe distribuojnë rrymë elektrike, me pare tona paguhen edhe njerëzit që e kanë shti distribucionin e rrymës e sot tregojnë si ajo ka qenë gabim, me paret tona paguhen prokurorët dhe gjyqtarët, që lejojnë dhunuesit e të miturave të dalin pas 8 muajsh nga burgu, me pare tona paguhen ministrat që e shkelin kushtetuten, me pare tona paguhen mësuesit, mjekët e kumedit sa personi që figuron në rroga të shtetit… a duam t’i falin edhe paret që shkojnë për asistent?
****
A në anën tjetër, opozita që thirret në kauzën “vendosni tjetër kënd jashtë Albulena Haxhiut”, po jep alternativa se si të vazhdohet tutje.
Tek e ka prezantuar dje agjendën 15-pikëshe me të cilën do të funksiononte Qeveria e Unitetit Kombëtar që ai e pati propozuar si rrugëdalje nga ngërçi politik disamujor, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka vlerësuar se formimi i Qeverisë së Unitetit, që do të funksiononte deri në pranverën e vitit të ardhshëm, është mundësia më e mirë për kapërcimin e krizës aktuale politike.
Ai ka thënë se kjo qeveri duhet të drejtohet nga një figurë unifikuese, teksa e ka përjashtuar veten si opsion për udhëheqjen e këtij ekzekutivi.
E kënd? Kush është dikush që partia jote po e miratojka? Dikë të PDK-së a? A dikë që s’ka qenë në skenën politike? Çysh po mendon?
Në anën tjetër, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se partia e tij e ka përjashtuar një koalicion me PDK-në, ndërsa tregoi se me Fatmir Limajn kanë pasur gatishmëri për bashkëpunim.
Po LVV-së edhe nëse i bashkohen Nisma, më shumë se 61 deputetë nuk mund të kenë përfshirë edhe pakicat joserbe, njëjtë edhe opozita, e cila nuk mund të bëj më shumë se 61 deputetë! Çka është zgjidhja e kësaj pune?
***
Pagat në sektorin privat në Kosovë janë rritur, por fuqia blerëse ka mbetur e kufizuar për shkak të inflacionit. Kamerierët mbeten kategoria më pak e paguar. Derisa në vitin 2019 paga mesatare e kësaj kategorie ishte 256 euro, në 2024-ën ajo ka arritur në 389 euro. Paga mesatare në sektorin privat sipas ASK-së, gjatë vitit 2024 ishte 598 euro bruto apo 187 euro më shumë sesa në vitin 2019.
Kjo pagë, vazhdon të jetë e ulët, duke pasur parasysh shkallën e rritjes së çmimeve, duke përfshirë së fundmi edhe çmimin e energjisë elektrike. Inflacioni e “han” rritjen e pagave!
Por, ditë më parë, ministri në detyrë, Hekuran Murati, është lavdëruar duke thënë se pagat në sektorin privat për 4 vjet u rritën për 57 për qind.
***
Me 11 qershor është hapur zyrtarisht edicioni i 25-të i Panairit të Librit në Prishtinë. Rreth 100 botues janë bashkuar në ambientet e Pallatit të Rinisë dhe Sportit me botimet më të reja. Nën moton “Inteligjenca rrjedhë nga libri”, Panairi do të jetë i hapur deri të dielën (15 qershor).
***
I dashur mik, ka raste kur do ta marrësh saktësisht atë që je lutur dhe do të të frikësoj. Sepse në çastin që e ke në duar, kupton që tani është përgjegjësia jote dhe asnjë bekim nuk vjen pa barrën për ta ruajtur. Prandaj, në lutjet e tua, bashkë me dëshirat, lutu edhe për mënyrën se si ta mbash përgjegjësinë e dëshirës pa u trembur prej saj.