Java n’Kosovë
14 Qershor, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Çka ndodhi javën që shkoi? Gjëra që s’janë të reja, por po përsëriten me zhurmë më të madhe.
Një propozim 15-pikësh për qeveri uniteti që tingëllon më shumë si draft bashkëjetese me ish-rivalin, një Kuvend që për të 31-ën herë e praktikoi bojkotin ceremonial, një “polic i dy shteteve” që mbeti pa shtetësi, dhe një arrestim i papritur i një ish-polici në kufi për të cilin reagimi zyrtar erdhi vetëm pasi u bë zhurmë publike. Kjo ishte java që lamë pas në Kosovë: e mbushur me tension, ironi dhe ngërçe që s’guxojnë të quhen “të zakonshme”, por veç sa po normalizohen.
***
Ky propozimi i kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut me 15 pika, pak e çuditshme çysh e rrok sikleti partinë e tretë për qeveri të unitetit, nuk i ka votat Albulena Haxhiu për kryetare të kuvendit, e hajde po bëjmë qeveri të unitetit? Çysh po don ti qeveri të unitetit kur si ka shumë muaj që ke dalë në zgjedhje edhe ke kërkuar të rrëzosh autokratin.
Janë disa pika në atë 15-pikëshin, si vetingu, ku ti në qeveri të unitetit duhet ta kesh Vetëvendosjen, e në këto katër vite ata nuk patën mundësi ta bëjnë vetingun, e paskan tash me qeveri të unitetit… hajgare a? Ke edhe një pikë interesante, Rindërtimi i partneritetit me BE-në dhe SHBA-në: rikthimi i politikës së jashtme aktive, dmth LDK-ja po e di që në këto katër vite, janë shkatërru raportet dhe Kosova ka hy për herë të parë nën saksione, e një njeri që ka refuzu projektet amerikane përfshirë edhe gazsjellsin amerikanë edhe tash mendon që ndryshon impakti i VV-së në qeveri të unitetit, e të lejojnë me i përmbush këto pika a?
Tash kur VV-ja ka pasë pushtet, shkatërru krejt qito që ju i keni strukturu në 15 pikë, e tash 42 deputetëve të vetë ju thotë hajde ju përshtatemi këtyre 15-të pikave që i ka propozu LDK-ja, se jemi në qeveri të unitetit? Ku është logjika politike këtu, pse duhet nën një ideje të Abdixhikut?
Pika 10, thotë: “Fillimi i reformës në arsim”, me duket prej kohës së UNMIK-ut, shënohet në çdo projekt e në çdo ide.
Këto pika pak si me qenë të shkruara me CHATgpt a çka kanë bo?
Mbase qëllimi i këtij veprimi është të thuhet se ka bile një parti që tregohet konstruktive, përderisa të tjerat mrizojnë, po a nuk kishte me qenë shkuarja në zgjedhje alternativa e duhur a?
***
Dje, për të 31-ën herë, u mblodhën badihavxhinjtë e Kuvendit për të hyrë, për t’u nënshkruar dhe për të dalë nga seanca. Bllokada e kotë, tash e dy muaj, ku secili tabor deputetësh e ngarkon me përgjegjësi atë tjetrin për bllokadë, me qëndrime akuzuese që vlejnë edhe për taborin që flet, ka kaluar në fazën e nonsensit absolut: krejt çka flasin janë gjepura.
***
Shtetësia i hiqet një “polici të dy shteteve”, për shkak të rrezikimit të sigurisë kombëtare.
Nëse dikush ka menduar që mund të jetë njëkohësisht pjesë e shtetit të Kosovës dhe pjesëtar i forcave të sigurisë së Serbisë le ta pyesë Nikola Vujoviqin si i shkoi kjo përpjekje.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar sot se Nikola Vujoviq është zyrtarisht pa shtetësi kosovare. Sveçla ka thënë se Serbia ka punësuar shtetas të Kosovës brenda institucioneve të veta, gjë që cenon sigurinë kombëtare dhe ka për synim destabilizimin.
“Kam marrë vendimin për privimin nga shtetësia e Republikës së Kosovës për Nikola Vujović,” shkroi ministri, duke lënë të kuptohet se ky nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një tendence më të gjerë të ndërhyrjes dhe destabilizimit.
Po të ishte Nikola një lojtar futbolli me dy shtetësi, do ta kuptonim. Por polic? Paska qenë më shumë “double agent” sesa qytetar i përkushtuar.
***
Pesë ditë pas arrestimit të Arbnor Spahiut, institucionet reagojnë me vonesë, qytetarët paralajmërohen të shmangin kalimin nëpër Serbi
Arrestimi i ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiut, nga autoritetet serbe më 7 qershor në pikën kufitare Hungari-Serbi, ka nxitur reagime të shumta institucionale e politike – por vetëm pas disa ditësh heshtje.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njoftoi se është duke u angazhuar për lirimin e tij dhe njëkohësisht u bëri thirrje qytetarëve të shmangin kalimin nëpër Serbi për shkak të rrezikut nga ndalimet arbitrare.
Në vend që të përdorte të dhënat zyrtare për ta kundërshtuar akuzën për përfshirje të Spahiut në rastin e Banjskës, MPJD iu referua deklaratave të familjes dhe avokatit, sipas të cilëve ai ka përfunduar shërbimin në polici që nga viti 2022 dhe jeton në Gjermani.