The sun came up today
16 Qershor, 2025
Të jesh në “survival mode” (pak e rëndë kur e lexon por për ta thënë më shqip “veç për me mbetë gjallë”) nuk është vendimi yt. Është mënyra si trupi dhe mendja reagojnë kur janë përballur me shumë stres për një kohë të gjatë. Por fakti që nuk është faji yt, nuk do të thotë se duhet të bëhet normalja jote.
Ka disa shenja që tregojnë se trupi po të kërkon ndihmë. Janë si këmbana alarmi dhe ja cilat janë:
1. Zgjohesh i lodhur, sado që të flesh.
Nuk ndihesh i pushuar sepse trupi yt nuk ka pushuar vërtet. Ai është gjithmonë në gatishmëri, sikur po pret ndonjë rrezik që mund të vijë nga çasti në çast.
2. Të nervozojnë gjërat më të vogla.
Edhe një vendim i thjeshtë ose një detyrë e zakonshme të duket sikur është shumë. Ndihesh sikur nuk po ja del me asgjë.
3. Harron të hash, ose ha shumë pa e kuptuar.
Trupi yt është aq i fokusuar te mbijetesa, sa nuk ka kohë të ndjejë urinë apo ngopjen. Nervat e bëjnë që të mos e dëgjosh më çfarë të duhet vërtet.
4. Mendja jote nuk ndalet.
Gjithmonë po mendon për “çfarë nëse…”, duke imagjinuar skenarë të këqij edhe kur nuk ka arsye. E ke të vështirë të pushosh mendërisht.
5. Trupi është i ngurtë, i tensionuar.
Shpatullat, qafa, nofulla, barku të gjitha janë të shtrënguara. E kupton vetëm kur fillojnë dhimbjet, por ato janë aty prej kohësh.
6. Shpërqendrohesh lehtë dhe mbushesh me gjëra për të mos ndjerë.
Qëndron në telefon, sheh seri, punon pa ndalim – vetëm që të mos ndalosh, të mos ndjesh, të mos mendosh.
7. Nuk ndihesh më vetja.
Sikur po ecën në jetë në mënyrë automatike. Nuk ndihesh i pranishëm, nuk ndihesh plot. Sikur pret diçka që të të shpëtojë, por nuk vjen kurrë.
Këto janë sinjale. Mos i injoro.
Trupi yt po të thotë që ke nevojë për pushim, për kujdes, për pak më shumë butësi me veten. Mbijetesa nuk është jetë. Dhe sado e njohur të jetë kjo ndjenjë, nuk duhet të jetë e përhershme.
Fillo me diçka të vogël: një bisedë të sinqertë, një shëtitje, një pushim nga telefoni, një frymëmarrje të thellë dhe nëse ke mundësi, fol me dikë që mund të ndihmojë.