Bota
16 Qershor, 2025
Konflikti i gjatë mes Izraelit dhe Iranit shpërtheu hapur më 13 qershor, kur Izraeli kreu sulme ajrore brenda Iranit, duke goditur objektiva që i konsideronte si ushtarake dhe bërthamore.
Para se të kalojmë tek “si rrodhën arsyet e këtij konflikti”, le të flasim për faktin “pse Irani ka rëndësi të madhe për botën?”, që nga pozita gjeografike, pasuria me burime natyrore dhe mënyra e funksionimit.
Irani, ndodhet në nyjën midis Lindjes së Mesme, Azisë Qendrore dhe Azisë Jugore, duke e bërë një urë gjeopolitike për tregtinë dhe energjinë.
Kontrollon ngushticën e Hormuzit, një pikë kyçe ku kalon mbi 20% e naftës botërore, çdo kërcënim në këtë rrugë ndikon menjëherë tregjet globale.
Irani ka rezervat e dyta më të mëdha të gazit natyror në botë dhe ndër më të mëdhatë për naftë.
Këto burime e bëjnë atë tërheqës për vende që kërkojnë diversifikim energjie, si Kina, India apo Evropa (nëse sanksionet do të hiqeshin).
Irani nuk është fuqi ushtarake klasike, por ka ndërtuar influencë përmes grupeve aleate në rajon: Hezbollahu në Liban, Milicitë shiite në Irak, Huthi në Jemen dhe Hamasi në Gaza.
Këto i japin aftësi për të ndikuar në zhvillimet rajonale pa pasur nevojë për ndërhyrje të drejtpërdrejtë ushtarake.
Përpjekjet e Iranit për të zhvilluar një armë bërthamore (ose së paku kapacitetin për ta bërë) janë një pikë e madhe tensioni ndërkombëtar, veçanërisht me Izraelin dhe SHBA-në.
Një Iran me armë bërthamore do të ndryshonte ekuilibrat e sigurisë në Lindjen e Mesme dhe mund të nxis një garë armatimesh në rajon.
Irani është kundërshtar i SHBA-së dhe aleatëve të saj, por gjithashtu partner strategjik për Rusinë dhe Kinën.
Në një botë me konkurrencë të shtuar midis fuqive, Irani shërben si kartë gjeopolitike për të balancuar interesat lindje-perëndim.
Tash, çkado të lexoni më poshtë do të ketë kuptim për ju! Si nisi gjithçka:
Tensionet kanë një histori të gjatë. Në vitin 2010, një virus kompjuterik i krijuar nga inteligjenca izraelite dhe amerikane dëmtoi centrifugat bërthamore të Iranit.
Në vitin 2018, Izraeli publikoi dokumente të vjedhura nga Teherani që sipas tyre dëshmonin se Irani kishte fshehur programin bërthamor. Pas prishjes së marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, u shtuan sulmet dhe sabotimet.
Në vitin 2020, një shpërthim i madh në Natanz dëmtoi rëndë objektet bërthamore, ndërsa një shkencëtar i lartë iranian u vra. Në vitet që pasuan, Irani akuzoi Izraelin për ndërhyrje dhe madje për helmime të shkencëtarëve edhe pse pa prova.
Më 7 tetor 2023, një sulm i Hamasit në jug të Izraelit vrau 1,200 njerëz dhe shkaktoi luftën në Gaza. Si përkrahës i Hamasit, Irani u fut më thellë në konflikt. Izraeli më pas ndërmori një sërë sulmesh kundër objektivave iraniane, përfshirë një sulm në konsullatën iraniane në Siri, ku u vranë dy gjeneralë.
Në prill të vitit 2024, Irani reagoi duke lëshuar mbi 300 raketa dhe dronë ndaj Izraelit, por shumica u ndaluan. Më vonë, Izraeli vrau udhëheqës të rëndësishëm të Hamasit dhe Hezbollahut, gjë që e rriti rrezikun për një luftë më të gjerë në rajon. Në tetor, për herë të parë, Izraeli kreu sulme të drejtpërdrejta në territorin iranian.
Në prill, Irani ekzekutoi një burrë që dyshohej për bashkëpunim me Mossadin dhe për përfshirje në vrasjen e një oficeri të lartë.
Eksperti gjerman, Guido Steinberg thotë se kjo përplasje ka hyrë në një fazë ku diplomacia nuk funksionon më dhe tani gjithçka drejtohet nga ushtria.
Ai shpjegon se pas Revolucionit Islamik të vitit 1979, marrëdhëniet e dikurshme të mira mes Iranit dhe Izraelit u kthyen në armiqësi. Irani e pa Izraelin si një zgjatim të SHBA-së në Lindjen e Mesme dhe nisi të mbështesë lëvizjet palestineze, duke themeluar Hezbollahun si mjet për të goditur Izraelin indirekt.
Edhe pse në vitet ‘80 pati bashkëpunim të kufizuar mes tyre për shkak të kërcënimit nga Iraku, Irani nuk e ndali strategjinë për ta mbajtur Izraelin të kërcënuar përmes Hezbollahut. Por, sipas Steinberg, në vitin 2024, Izraeli e ka dobësuar rëndë këtë grup.
Programi bërthamor i Iranit nisi në fund të viteve ’80, por në vitin 2002 u bë e qartë se qëllimi ishte krijimi i armës bërthamore, çka Izraeli e sheh si kërcënimin më të madh. Marrëveshja e vitit 2015 për ta ndalur këtë program u prish nga ish-presidenti Trump në vitin 2018 dhe që atëherë, përplasja është bërë gjithnjë e më e ashpër.
Në Siri, ku Irani ka forca ushtarake, Izraeli ka kryer mbi 1000 sulme ajrore. Sipas Steinberg, Izraeli ka pasur sukses: Hamas është gati i shkatërruar, Hezbollahu është dobësuar dhe regjimi sirian është rrëzuar.
Sot, thotë ai, është e qartë që nuk ka më hapësirë për diplomaci. Irani është më i vendosur se kurrë për të krijuar një armë bërthamore dhe Izraeli është i gatshëm të veprojë ushtarakisht për ta ndaluar.
Tani gjithçka varet nga sa të fuqishme janë goditjet izraelite dhe si do të reagojë Irani!